Rekomandimi pozitiv për hapjen e negociatave, fryt i 3 vjetëve betejë për Reformat

Kryeministrit Edi Rama iu dorëzua sot në mesditë, nga ambasadorja e BE në Tiranë, Romana Vlahutin, Raporti i Progresit të Komisionit Europian për Shqipërinë. Më poshtë, deklarata e Kryeministrit në konferencën e përbashkët për shtyp:

 

Kryeministri Edi Rama: Tre vjet më parë, kur ne erdhëm në qeveri, Shqipëria ishte një vend i refuzuar 3 herë me radhë, në tre vite rresht, në përpjekjen për të marrë statusin e kandidatit. 

Axhenda e re reformiste e Aleancës për Shqipërinë Europiane hapi rrugën e rimëkëmbjes së Shqipërisë edhe në sytë e familjes europianë dhe komunitetit ndërkombëtar në tërësi. Vendi ynë e mori statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian dhe sot, pas dy vjetësh përpjekje të mëdha e bindëse pasi morëm statusin, Shqipëria sapo ka marrë rekomandimin e Komisionit Europian për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Tre vjet më parë, kjo arritje kaq domethënëse në procesin e integrimit dukej një mision i pamundur brenda mandatit tonë të parë qeverisës, por axhenda jonë reformiste dhe një betejë e paepur, e përditshme, pas një vonese të pajustifikueshme, shumëvjeçare, për të çuar përpara reforma rrënjësore, të rënda e me kosto, në çdo sektor, ja ku na ka dhënë të drejtë edhe ndërkombëtarisht. Komisioni Europian e ka vlerësuar aq pozitivisht progresin e bërë përmes reformave në çdo fushë, sa ka ndezura dritën jeshile për çeljen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë. 

Kazani i broçkullave, që zien përditë në mexhlisin tonë politik e mediatik, zhurmoi me të madhe për kushtet që do t’i viheshin Shqipërisë. Madje, shqiptarët dëgjuan pa pushim se deri dhe kanabisi do të ishte kusht për çeljen e negociatave, e të tjera e të tjera. 

Edhe një herë, ata që u refuzuan për tre vite rresht, kur kërkonin thjesht statusin e kandidatit për Shqipërinë, thanë çfarë nuk thanë. E jo vetëm kaq, por dy ditë më parë dolën hapur kundër rekomandimit për hapjen e negociatave. Shqipëria, sot e ka marrë rekomandimin pozitiv për çeljen e këtyre negociatave pa kushte dhe vetëm me mirëkuptimin, krejt natyrshëm, që deri në momentin e fillimit të punës në tryezën e negocimit, të vazhdojë pa ndërprerje puna për zbatimin e reformës në drejtësi. Konkretisht, për veting-un e gjykatësve dhe të prokurorëve. Pra, e vetmja pikë e nënvizuar nga Komisioni Europian, si premisë e mirëkuptuar për të shkuar normalisht drejt fillimit të punës në tryezën e negociatave, quajeni dhe kusht po të doni, është ecuria në zbatimin e reformës në drejtësi dhe konkretisht, zbatimi i ligjit të vetting-ut. 

Por më lejoni t’ju them se nuk do as mend e as kalem, që kjo premisë apo kusht është në radhë të parë, premisa ose kushti që kjo qeveri i ka vënë vetes në rrugën drejt Shqipërisë europiane. Një rrugë të cilën e kemi zgjedhur, e kanë zgjedhur vetë shqiptarët, 26 vjet më parë dhe nuk na e ka diktuar askush. Ashtu sikundër ne i kemi bërë e do t’i bëjmë një për një të gjitha reformat dhe detyrat e integrimit europian, jo sepse na i kërkon Brukseli, por sepse ua kemi borxh fëmijëve tanë, shqiptarëve të gjeneratës tjetër. E nënvizoj këtë fakt, edhe këtë herë si gjithnjë, pasi kam bindjen e patundur që Shqipëria europiane, shteti modern i shqiptarëve mund të ndërtohet vetëm duke ndjekur rrugën e integrimit europian, e cila është e vetmja rrugë për të bërë shtet, ndërtuar institucione, forcuar shoqërinë dhe rritur mirëqenien e popullit shqiptar.

Më lejoni t’ju shpjegoj se mes momentit kur jepet rekomandimi dhe uljes në tryezë, për të hapur fashikujt e mëdhenj të kapitjeve të negociatave, ka si rregull një periudhë përgatitore, ku vendi, çdo vend, jo vetëm duhet të bëhet gati teknikisht me planin e punës, ekipin e negociatorëve dhe strukturat mbikëqyrëse e koordinuese të procesit, por edhe patjetër duhet të vijojë të bëjë progres në çdo fushë. Kështu që nuk ka pikë dyshimi, tanimë që Shqipëria mund të çelë negociatat, sapo e gjithë kjo punë e madhe përgatitore të jetë kryer dhe ndërkohë ne të kemi vazhduar të japim provën e vijimit të progresit në çdo fushë, përfshirë në radhë të parë, zbatimin e ligjit për vetting-un, pa diskutim. 

Gjithashtu, po të shihet dhe eksperienca e vendeve të tjera që kanë hyrë përpara nesh në këtë proces në Bashkimin Europian, as nuk diskutohet që nënvizimi, - apo po të doni kushtëzimi, - i çeljes së siparit të negociatave me progresin e mëtejshëm në ndërkohë dhe posaçërisht me zbatimin e ligjit për vetting-ut, në rastin tonë, është diçka krejt normale. Si mund ta imagjinojmë se negociatat mund të çelën normalisht, nëse, kur ekipet të jenë gati për t’u ulur në tavolinë, nuk do ketë nisur ende zbatimi i vetting-ut për gjykatësit e prokurorët. Këtë e kupton çdokush që ka dy fije mend në kokë, por e dinë edhe dritëshkurtrit që e kanë bllokuar përkohësisht vetting-un, me kërkesën e turpshme për ta shpallur antikushtetues dhe që janë gati t’i zënë pritë Shqipërisë në rrugën drejt negociatave, për arsye që dihen. 

Ata me siguri do vazhdojnë të thonë pa pushim që nuk ka negociata; s’ka negociata me kanabisin; s’ka negociata me këtë qeveri, s’ka negociata me Shqipërinë që kështu e me Shqipërinë që ashtu. E dreqi e di me çfarë e me sa do thonë e do stërthonë pa pushim, për t’i penguar shqiptarët t’i gëzohen një arritjeje jo të vogël si kjo dhe të shohin me shpresë dhe besim të ardhmen, që po e ndërtojmë sëbashku dhe në bashkëpunim të ngushtë me miqtë dhe partnerët tanë, përmes reformave tona transformuese. 

Ndërkohë as që diskutohet edhe që do të bëjnë çmos për ta penguar jo vetëm zbatimin e ligjit për vetting-un, por të çdo ligji të reformës në drejtësi,  e cila është ‘alfa’ dhe ‘omega’ e suksesit të negociatave në dy kapitujt e parë që do të hapen në tryezën e negocimit e që janë kapitujt për drejtësinë. Por e vetmja gjë që duhet, mund dhe do të bëjmë ne, është të vazhdojmë vendosmërisht në rrugën e vështirë për të rilindur Shqipërinë dhe për ta bërë sa më parë të jetë e mundur anëtare e Bashkimit Europian. Ky moment i bukur dhe shumë sfidues i marrjes së rekomandimit nga Komisioni Europian më imponon dhe na imponon të gjithëve, si qeveri dhe si shumicë, t’i shtrijmë edhe më shumë dorën e bashkëpunimit dhe të kërkojmë ndihmë nga çdo qytetar, çdo komunitet, çdo bashki, universitet, organizatë shoqërore jo qeveritare, për ta bërë Shqipërinë sa më të suksesshme në rrugën e re, plot ambicie dhe vështirësi të mëdha, që hapin negociatat për anëtarësim. 

Natyrisht dhe për opozitën, dora është e shtrirë dhe mbase, jo gjithçka është në dorën e saj. Kështu që do të reflektojë çfarë mund të bëjë dhe çfarë mund të bëjmë të gjithë sëbashku më shumë, që ta ndihmojmë opozitën të futet në rolin e saj, të rikthehet në detyrën e saj, të rivendoset në vendin e lënë bosh prej tre vjetësh. 

Sidoqoftë le të shijojmë këtë moment, me vetëdijen se nuk është arritja e madhe drejt destinacionit ku jemi nisur, por një pikënisje e re, plot shpresa dhe detyra të reja, në rrugën e Shqipërisë së gjeneratës tjetër. 

Në fund, më lejoni të falënderoj në mënyrë të posaçme, të gjithë ata që janë marrë drejtpërdrejtë me këtë proces, si miq dhe si partnerë; Federica Mogherini-n, shefen e diplomacisë europiane, komisionerin Hahn, ekipin e tyre në Bruksel dhe padyshim, edhe ekipin këtu në Tiranë, ku një falënderim i veçantë i shkon ambasadores Vlahutin. Shumë faleminderit!

Adresa

Ambasada Shqiptare
Rr.Slavej Planina, nr.2
1000 Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut

Tel / Fax

Tel: +389 2 3246726
Fax: +389 2 3246727
Vetëm për emergjenca:
+38975376896

E-MAIL

embassy.skopje@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00

Zyra Konsullore
10:00-14:00