Konferenca për shtyp e Ministrit Ditmir Bushati pas vendimit të Këshillit të BE-së

Mirëmbrëma të gjithëve!
Sot është një ditë e mirë për Shqipërinë, për fqinjin tonë Maqedoninë dhe natyrisht për të gjithë Evropën e bashkuar dhe të ardhmen e projektit evropian. Këshilli pak minuta më parë, ose thënë më shkoqur ministrat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian vendosën t’i përgjigjen pozitivisht rekomandimit të Komisionit Evropian për fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Këshilli po ashtu ka përcaktuar qartë një afat kohor brenda së cilës do të zhvillohet i gjithë procesi përgatitor për tryezën e bisedimeve.
Këshilli i kërkoi KE-së të fillojë pa humbur kohë procesin përgatitor me Shqipërinë duke qenë se ka skicuar qartë rrugën drejt bisedimeve për anëtarësim dhe gjithashtu ka përcaktuar një afat kohor, qershorin e 2019-s për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Natyrisht kjo është një praktikë e njohur për Bashkimin Evropian i cili edhe në rastin e Serbisë, Malit të Zi, ka përcaktuar një afat kohor brenda së cilit ndodhi puna përgatitore nga momenti i marrjes së vendimit të Këshillit deri në momentin e nisjes së bisedimeve për anëtarësim.
Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn është shprehur shumë qartë sot pas punimeve të këtij Këshilli dhe gjithashtu presidenca e BE, në mbështetje të këtij procesi dhe ne besojmë se tanimë Shqipëria është në rrugën e pakthyeshme drejt procesit të anëtarësimit në BE. Diskutimet e këtyre ditëve në të gjitha nivelet, qoftë në nivele diplomatike dhe nivelin e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE dëshmuan një gjë të cilën kemi kohë që e themi dhe jemi dëshmitar njëkohësisht: kursi i reformave që ka ndërmarrë Shqipëria, sidomos nga momenti që mori statusin e vendit kandidat është një kurs reformash impresionues që natyrisht do të duhet të thellohet dhe më tej në ditët dhe muajt në vijim. Ne do të ulemi me Komisionin Evropian pa humbur kohë në procesin përgatitor në mënyrë që qershori i vitit të ardhshëm ta gjejë Shqipërinë në një pozicion sa më solid përsa i përket plotësimit të të gjitha detyrimeve që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Sot gjithashtu ishte një ditë e rëndësisshme siç e thashë në fillim dhe për vetë projektin evropian. Debatet e ditëve, javëve dhe muajve të fundit për vetë të ardhmen e projektit evropian kanë vendosur në pikëpyetje dhe vetë procesin e zgjerimit. 72 orët e fundit  kanë qenë orë të vështira ku na është dashur të komunikojmë me të gjitha nivelet vendimmarrëse, me kancelaritë, Elysse, Hagë, Bruksel për të komunikuar në detaje procesin e reformave dhe atë çka do të vijë më pas. Me këtë rast në emër të qeverisë shqiptare, popullit shqiptar dua të shpreh një falenderim të madh për komisionin Evropian, përfaqësuesen për politikë të jashtme Federika Mogherini, eurokomisionerin për zgjerimin Johannes Hahn, Presidentin e Komisionit Juncker, që në bashkëpunim me të gjitha shërbimet e Komisionit, ekspertizën teknike, delegacionin evropian në Shqipëri, nëpunësit civil shqiptar punuan dhe ia arritëm ditës që të kemi pas 9 viteve aplikim për anëtarësim në BE të parin rekomandim të pakushtëzuar, të drejtpërdrejtë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim.
Dëshiroj të falenderoj pa përjashtim të gjitha vendet anëtare duke nisur nga Presidenca e BE që e mbajtën çështjen e zgjerimit në axhendën e bisedimeve të BE, vendet anëtare të BE që njëzëri mbështetën kursin e reformave në Shqipëri, skicuan rrugën e pakthyeshme drejt negociatave pavarësisht debateve të brendshme në të cilat është përfshirë Evropa, pavarësisht vështirësive të cilat mirëkuptohen nga ana jonë, me të cilat ndeshen një pjesë e mirë e vendeve anëtare të BE, qoftë nga kriza migratore, zgjedhet në horizont, klima populiste që tenton të jetë mbizotëruese po që në fund triumfoi arsyeja dhe nevoja për të inkurajuar qartësisht procesin e reformave në Shqipëri, në rajon.
E fundit që kam për të thënë në lidhje me mesazhin që sot për sot morëm nga BE. Për fat të keq këto ditë një pjesë e mirë e politikës shqiptare, e medias, e lloj-lloj spekulantësh politik e mediatik kishin vendosur 28 qershorin si ditën e bastit të larjes së hesapeve me qeverinë dhe me Edi Ramën, a thua se procesi i integrimit evropian ka lidhje thjesht dhe vetëm me fatin e një qeverie dhe fatin e një kryeministri. Në fakt ky është një proces që ka lidhje me fatin e të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Dhe më vjen mirë që basti i këtyre spekulantëve politikë e mediatik nuk u përmbush dot sot. Bashkimi Evropian foli qartë në mbështetje të të gjitha reformave që janë ndërmarrë nga ana e Shqipërisë. Sot nuk është një ditë e gëzuar vetëm për qeverinë, institucionet, nëpunësit, armata e punonjësve që kanë qenë të përfshirë që nga momenti i parë deri në vendimin e sotëm në këtë proces, por ditë e gëzuar për gjithë popullin shqiptar dhe shpresoj që askush, pavarësisht bastit të gabuar që kishte vënë, nuk duhet të ndihet i përjashtuar nga kjo ditë dhe nga ky sukses i përbashkët. 
Faleminderit!

Adresa

Ambasada Shqiptare
Rr.Slavej Planina, nr.2
1000 Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut

Tel / Fax

Tel: +389 2 3246726
Fax: +389 2 3246727
Vetëm për emergjenca:
+38975376896

E-MAIL

embassy.skopje@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00

Zyra Konsullore
10:00-14:00