Deklaratë për shtyp e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë SH.T.Z. Gramoz Ruçi

Ju përshëndes të gjithëve,

sot zhvilluam një takim shumë të ngrohtë, miqësor dhe shumë të frytshëm me kolegun dhe mikun tim, z. Talat Xhaferi.
Më lejoni të shpreh në radhë të parë një falenderim të veçantë për z. Xhaferi për ftesën për të vizituar vëndin tuaj dhe për mikpritjen që na rrethoi.
Dëshiroj të nënvizoj që në fillim se unë ushqej një respekt të thellë për qytetarët e Maqedonisë, historinë, vlerat, mbështetjen për zhvillimin e vendit, konsolidimin e demokracisë, përpjekjet për bashkëjetesë, mirëkuptim e paqe të brendshme si edhe kontributin në rolin moderues të Maqedonisë në rajon e më gjerë.
Bisedimet që ne zhvilluam ishin konkrete, të dobishme dhe në frymën e miqësisë e bashkëpunimit që karakterizon marrëdhëniet midis të dy vëndeve tona. Ato u përqëndruan në çështje me interes të përbashkët dypalësh, rajonal e më gjërë.
Diskutuam për shtimin dhe zgjerimin e shkëmbimeve ndërparlamentare, si një instrument i rëndësishëm për zhvillimin cilësor të marrëdhënieve midis të dy vëndeve, për shkëmbimin e përvojave parlamentare, për bashkëpunim e koordinim parlamentar në aktivitete rajonale e ndërkombëtare.
Unë e ftova kolegun dhe mikun tim Talat për një vizitë zyrtare në Shqipëri, ftesë e cila u pranua me kënaqesi.
Zoti Xhaferi dhe kolegët e tij na informuan për aktivitetet më të fundit në parlamentin maqedonas dhe për rolin e jashtëzakonshëm që ai është duke luajtur në përmbyllje të reformave shumë jetike për demokratizimin e funksionalizimin e shoqërisë multietnike në Maqedoni përmes zbatimit të plotë të Marrëveshjes Kuadër të Ohrit dhe ndryshimeve kushtetuese të parapara për përdorimin e gjuhëve e të emrit të vëndit që do votohen së shpejti.

Në emër të Kuvendit të Shqipërisë, vlerësova reformat substanciale që parlamenti, qeveria dhe partitë politike kanë ndërmarrë dhe që po sjellin ndryshime dinamike në procesin e demokratizimit të vëndit, të shtetndërtimit, të garancive për funksionalitetin e një shoqërie të vërtetë multietnike, mbi bazën e respektit e të barazisë të dy komuniteteve kryesore etnike të vëndit, maqedonasve e shqiptarëve.
Vlerësuam rolin konstruktiv dhe shumë aktiv të aktorëve politikë shqiptarë në këtë proces, si dhe besnikërinë e popullsisë shqiptare në interes të vendit.
Përshëndetëm arritjen e Marrëveshjes së Prespës dhe të gjitha përpjekjet që po bën parlamenti dhe qeveria maqedonase për të përmbyllur çështjen e ndërrimit kushtetues të emrit të Maqedonisë dhe që do të hap rrugën e anëtarësimit të shpejtë të saj në NATO dhe në hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian në qershor 2019.
I shpreha kryetarit të Kuvendit mbështetjen e plotë të Shqipërisë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.

Gjithashtu të dy palët shprehën angazhimin e tyre për koordinimin e bashkëpunimin në veprimtaritë ndërparlamentare evropiane, në funksion të hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian në qershor 2019 për Maqedoninë e Shqipërinë.

Një vënd të rëndësishëm në bisedimet tona zuri situate në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Të dy palët vlerësuam përpjekjet që po bëhen që të forcohet stabiliteti dhe siguria në rajon dhe nënvizuam se rruga e vetme është dialogu për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe të tensioneve ndëretnike që shpesh nxiten artificialisht e me prapavijë politike.
Shprehëm shqetësimin e përbashkët për rritjen e tensionit politik midis Serbisë dhe Kosovës dhe bëjmë thirrje që të vazhdoj dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian për arritjen e marrëveshjes përfundimtare e me garanci zbatimi midis të dy vëndeve.
Shqipëria dhe Maqedonia po japin një kontribut të vazhdueshëm stabilizues në Rajonin e Ballkanit Perendimor.
Së bashku me kolegun Xhaferi vlerësuam angazhimin e partnerëve tanë ndërkombëtarë në Ballkanin Perëndimor, Bashkimin Evropian, SHBA, NATO për ruajtjen e paqes e të stabilitetit rajonal por në të njëjtën kohë theksuam edhe nevojën e një investimi e pranie më të madhe të tyre për të frenuar nderhyrjen e aktorëve të tjerë ndërkombëtarë me peshë që kanë hyrë në rajon dhe që përpiqen të shfrytëzojnë hapesirat e krijuara.

Në këtë drejtim çmuam Proçesin e Berlinit, iniciativën e zonjës Merkel, që në këto katër vitet e fundit e ka bërë Bashkimin Evropian më të pranishëm në rajonin tonë me projekte konkrete.
Të dy palët arritëm në përfundimin se ekzistojnë mundësi të pashfrytëzuara për zhvillimin më intensiv të bashkëpunimit ekonomik, tregtar, kulturor, turistik, etj.
Ramë dakort që të nxisim të dy qeveritë që në takimin e tyre të ardhshëm ta çojnë më tej agjendën e Pogradecit dhe t’u kushtojnë më tepër vëmëndje zbatimit të projekteve infrastrukturore të dakortësuara si dhe të atyre të energjise dhe mobilitetit.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Rr.Slavej Planina, nr.2
1000 Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut

Tel / Fax

Tel: +389 2 3246726
Fax: +389 2 3246727
Vetëm për emergjenca:
+38975376896

E-MAIL

embassy.skopje@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00

Zyra Konsullore
10:00-14:00