Zhvillohet në Portugali Forumi i Biznesit mbi Mundësitë e Bërjes Biznes në Shqipëri

Në datat 18 dhe 19 korrik 2013, në Portugali u zhvillua Forumi mbi Mundësitë e Bërjes Biznes në Shqipëri. Ky forum u organizua nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Portugali në bashkëpunim me AICEP (Agjencia Portugeze e Investimeve dhe Tregtisë së Jashtme) dhe Konsullin e Nderit të Republikës së Shqipërisë në Porto, Z. Valdemar Gonçales.

Në Forum morën pjesë përfaqësues të AIDA (Agjencisë Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve) të kryesuar nga Drejtoresha Ekzekutive znj. Eneida Gurja, Unioni i Dhomave të Tregtisë, përfaqësuar nga presidenti i këtij unioni Z. Ilir Zhilla, si dhe disa biznesmenë shqiptare si Presidenti i Klik Expo Group, Z. Luan Muhametaj etj. Ndërkohë, nga pala portugeze, së bashku me AICEP i cili përfaqësua në këtë forum në Lisbonë nga Administratori Ekzekutiv Z. Pedro Pessoa e Costa, dhe në Porto nga koordinatori për Europën Z. Mario Gomez, të pranishëm në panel ishin dhe përfaqësuesit të AIP (Shoqata e Industrisë së Portugalisë) përfaqësuar nga zëvendës presidenti i saj Z. Joao Dotti, FIL (Panairi Ndërkombëtar i Lisbonës), AEP (Shoqata e Sipërmarrësve të Portugalisë) përfaqësuar nga Znj. Maria Helena Ramos, Dhoma e Tregtisë Luso-Albanesa, përfaqësuar nga Konsulli i Nderit i Republikës së Shqipërisë në Madeira Z. Joao Miguel Antonio Fernandes, si dhe më shumë se 50 biznesmenë portugezë të interesuar në kryerjen e investimeve në Shqipëri.

Në fjalën e tij, Ambasadori i RSH në Lisbonë, Z. Edmond Trako, theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme të këtij Forumi, si përsa i përket forcimit të marrëdhënieve midis dy vendeve, ashtu edhe përfitimit të përbashkët ekonomik në kuadër të një diplomacie ekonomike aktive. Vendosja e kontakteve midis institucioneve shtetërore, private apo bizneseve të ndryshme është një prioritet në mënyrë që të konkretizohen politikat e ndërmarra nga të dyja vendet për promovimin e bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh.

Gjatë takimit u bë një prezantim i zgjeruar i Shqipërisë nga Drejtoresha Ekzekutive e AIDA-s Znj. Eneida Gurja. Krahas shfaqjes së një materiali video, me një përmbledhje si të indikatorëve ekonomikë të Shqipërisë ashtu edhe mundësive që ofron Shqipëria, Znj. Gurja sqaroi më konkretisht, duke u përqendruar në interesimin e palës portugeze në legjislacionin shqiptar, nismat politike për lehtësimin e bërjes biznes në Shqipëri, faktin pse vendi ynë është atraktiv duke konkuruar në këtë mënyrë tregun rajonal të investimeve, kualifikimin e krahut të punës në Shqipëri si dhe sistemi shumë i favorshëm i taksave, duke lehtësuar biznesin e huaj dhe duke rritur efikasitetin e investimeve.

Presidenti i Unionit të Dhomave të Tregtisë, Z. Ilir Zhilla, duke qenë më konkret në prezantimin e tij, theksoi se pavarësisht përmirësimit të klimës së biznesit, roli i partnerëve lokalë është i pazëvendësueshëm. Gjithashtu, pozicioni gjeografik i Shqipërisë është shumë i favorshëm pasi mund të shfrytëzohet si trampolinë për shpërndarjen e produkteve portugeze të prodhuara në Shqipëri në të gjithë rajonin ballkanik me kosto minimale transporti. Ai siguroi të pranishmit se Unioni i Dhomave të Tregtisë merr përsipër të kryejë rolin e Avokatit të Biznesit të tyre të ardhshëm në Shqipëri.

Gjithashtu përfaqësuesit e sipërmarrjes shqiptare që ishin pjesëmarrës në këtë forum, bënë përshkrime mbi aktivitetin e tyre. Përfaqësuesi e Klik Expo Group, pjesë e Shoqatës Globale të Industrisë së Ekspozitave, siguroi për partneritetin me investimet e huaja në kuadër të promovimit dhe konkretizimit të hapave të parë drejt fillimit të një biznesi të suksesshëm në Shqipëri.

Një nga pikat kryesore të forumit ishte nënshkrimi i marrëveshjeve të bashkëpunimit. U firmosën 4 memorandume dhe protokolle bashkëpunimi:
1. Memorandumi i Mirëkuptimit midis AICEP & AIDA
2. Protokolli i Bashkëpunimit midis Unionit të Dhomave të Tregtisë & AIP (Shoqata e Industrisë Portugeze, në Lisbonë)
3. Protokolli i Bashkëpunimit midis FIL & KLIK EKSPO GROUP
4. Protokolli i Bashkëpunimit midis Unionit të Dhomave të Tregtisë & AEP (Shoqata e Biznesit Portugez, në Porto)

Në fund të takimeve u organizuan disa takime individuale me pjesëmarrësit në mënyrë që të evidentoheshin nevojat specifike të secilit prej tyre si dhe vendosjen e kontakteve direkte me biznesin shqiptar.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Rua Joaquim Antonio Aguiar, Nr.64 4-D
Lisboa 1070-153, Portugal

Tel / Fax

Tel: 00 351 21 38 63 600 / 601 / 602 Fax: 00 351 21 38 78 586

E-MAIL

embassy.lisbon@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00