Shërbime Konsullore

Shërbimet Konsullore për Shtetasit Shqiptarë

Regjistrimi i lindjeve, martesave, vdekjeve

Lindjet
• Fëmijët e lindur në Portugali, regjistrohen në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Lisbonë, mbi bazën e certifikatave zyrtare të lëshuara nga autoritetet përkatëse portugeze. Këto certifikata dërgohen në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Lisbonë ose zyrtarisht nga këto autoritete ose nga vetë prindërit, pasi të jenë legalizuar sipas kërkesave të legjislacionit shqiptar. Është detyra e vetë prindërve që të interesohen për kryerjen e të gjitha procedurave që bëjnë legalisht të vlefshëm aktin e lindjes së fëmijës për ta regjistruar atë në zyrat e gjendjes civile në Shqipëri.
• Në rastet kur fëmijës së sapolindur në certifikatën e lindjes nuk i është shënuar emri nga spitali, prindërit duhet që emrin e fëmijës ta caktojnë dhe ta deklarojnë atë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Lisbonë.
• Këtë akt lindjeje të legalizuar, prindërit e dërgojnë në zyrat e gjendjes civile në Shqipëri për ta regjistruar ose, nëse nevojitet për ta sjellë fëmijën në Shqipëri, aplikojnë për marrjen e lejes së kalimit.

Martesat
• Dokumentacioni i domosdoshëm për lidhje martese jashtë shtetit:
o Në rastin kur personat që martohen janë të dy shtetas shqiptarë, dokumentacioni për lidhje martese është si më poshtë:
. Certifikatë për lidhje martese
. Certifikatë lindje e shoqëruar me fotokopjen e kartës së identitetit.
. Në të dy rastet, certifikatat duhet të jenë të legalizuara nga prefekturat dhe të kenë vlefshmërinë në kohë deri në 3 muaj nga data e lëshimit..
o Në rastin kur një prej shtetasve që martohet është shtetas i huaj, dokumentacioni është si më poshtë:
. Për shtetasin e huaj:
• Leje martese nga vendi i origjinës.
• Certifikatë lindje.
• Fotokopje e pasaportës.
• Dokumentacioni duhet të jetë i legalizuar sipas legjislacionit në fuqi.
• Dokumentacioni duhet të jetë i përkthyer në gjuhën shqipe nga autoritetet kompetente portugeze.
• Martesa bëhet ose në qendrën e komunës ku shtetasi i huaj është rezident ose në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Lisbonë, kur dy shtetasit janë shqiptarë, rezidentë të rregullt në Portugali. Në rastin e parë, akti i martesës duhet të legalizohet patjetër sipas legjislacionit në fuqi.
• Martesa jashtë shtetit, kurdoherë bëhet në kushtet kur shtetasit shqiptarë janë rezidentë me leje të rregullta qëndrimi.

Vdekjet
• Në raste vdekjesh, familjarët ose të afërmit e një shtetasi të vdekur, në Portugali, vënë në dijeni për ngjarjen, Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Lisbonë dhe deri në momentin e transportimit të trupit për në atdhe, mbajnë lidhje të vazhdueshme me këtë ambasadë.
• Për kryerjen e procedurave për kthimin e trupit në Shqipëri, duhet të kontaktohet në çdo rast, një agjenci funerale e cila kryen procedurat e nevojshme, përfshirë edhe nxjerrjen e dokumenteve të nevojshme pranë administratës vendase, si dhe kontakton me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Lisbonë për përfundimin e tyre deri në nisjen për në Shqipëri.
• Kur nuk ka të afërm ose një person tjetër kontakti ose ka vështirësi komunikimi me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Lisbonë, familjarët vënë në dijeni zyrën e marrëdhënieve me publikun në Drejtorinë Konsullore të MPJ-së në Shqipëri.
• Dokumenti “akt i vdekjes” duhet patjetër të legalizohet sipas legjislacionit në fuqi, sepse kjo e bën të mundur çregjistrimin e emrit të shtetasit të vdekur nga regjistri i gjendjes civile në Shqipëri.
• Shënim: Shteti shqiptar merr përsipër me mjetet e tij financiare, transportin e shtetasve të vdekur vetëm në këto raste:
o Për persona që janë dërguar me shërbim ose mjekim shëndetësor nga shteti.
o Për punonjësit e përfaqësive diplomatike.

Legalizimi i dokumenteve
o Procedura e Legalizimit është e detyrueshme për të gjitha dokumentet e lëshuara nga administrata shqiptare që do të përdoren pranë administratave të shteteve të tjera, apo ato të lëshuara nga administrata e një shteti tjetër që do të përdoren pranë administratës shqiptare.
o Ajo konsiston në njohjen formale nga punonjësit konsullorë, të vulës dhe nënshkrimit të autoritetit që e ka lëshuar dokumentin. Kjo e bën dokumentin njësoj të vlefshëm, nga pikëpamja ligjore edhe jashtë territorit të vendit ku është lëshuar.
o Shqipëria dhe Portugalia janë anëtare të Konventës së Hagës “Për heqjen e detyrimit të legalizimit të dokumenteve zyrtare të huaja” të 5 tetorit 1961, që do të thotë se dokumentet shqiptare që do të përdoren në Portugali, si dhe anasjelltas, nuk do të legalizohen nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Lisbonë.
o Në bazë të kësaj Konvente, dokumentet pajisen me një vulë Apostille nga Autoriteti kompetent i vendit ku janë lëshuar dhe më pas mund të përdoren direkt në institucionin përkatës (Gjendje civile, gjykatë, institucion arsimor, etj.) të Portugalisë.
o Në Shqipëri, Autoriteti kompetent për problemet e legalizimit të dokumenteve është Ministria e Punëve të Jashtme.
o Është e këshillueshme që shtetasi të interesohet për këtë që në institucionin ku tërheq një dokument, me qëllimin për ta përdorur jashtë atij vendi. Për çdo paqartësi në këtë drejtim ai mund t’u drejtohet edhe pikave të kontaktit për shërbimet konsullore, në MPJ apo në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Lisbonë.

Shërbime Noteriale
o Në bazë të legjislacionit shqiptar, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Lisbonë, plotëson kërkesat e shtetasve të saj, edhe për veprime të fushës noteriale, të tilla si:
• procesverbale,
• deklarata,
• autorizime,
• kontrata,
• garanci,
• prokura të thjeshta,
• vërtetime për nënshkrime ose kopje dhe ekstrakte dokumentesh etj.
o Ligji ka lejuar, përgatitjen nga konsujt, vetëm të prokurave të thjeshta që nënkupton redaktimin e prokurave që japin tagra përfaqësimi për veprime të thjeshta administrative, të cilat nuk synojnë lindjen, ndryshimin ose shuarjen e të drejtave dhe detyrimeve të pronësisë të të përfaqësuarit.

Vërtetime
o Shtetasit shqiptarë rezidentë në Portugali, kërkojnë pranë Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Lisbonë të pajisen me vërtetime të ndryshme. Një shërbim i tillë bëhet i mundur bazuar në dokumentet e identifikimit të cilat paraqiten nga të interesuarit, brenda vlefshmërisë së tyre kohore. Shtetasit kanë të drejtë t’i kërkojnë këto vërtetime në gjuhën e vendit pritës si dhe në një gjuhë tjetër të njohur ndërkombëtarisht (anglisht ose frëngjisht).

LEJE KALIMI
o Kërkesa e shtetasve shqiptarë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Lisbonë për lejekalimi, kur duhet të kthehen në Shqipëri dhe nuk kanë dokument udhëtimi, bëhet me prezencën e personit të interesuar para konsullit.
o Bëhet përjashtim për prezencën e shtetasit, në rastet kur ai:
• Është i ndaluar, arrestuar ose burgosur. Në këtë rast kërkesa bëhet nga autoritetet kompetente për të huajt në vendin pritës që merren me përmbarimin e veprimeve të kthimit në atdhe të personave në gjendje të parregullt;
• Për arsye të forta shëndetësore, nuk mund të paraqitet në përfaqësi. Në këtë rast kërkesën e bëjnë familjarët ose për këtë paraqesin deklaratë përfaqësimi dhe dokumente të tjera bindëse.
o Dokumentacioni bazë mbështetës për identitetin e kërkuesit:
• Pasaportë e pavlefshme;
• Kartë identiteti origjinale;
• Certifikatë lindje nga gjendja civile përkatëse, e lëshuar jo më larg se 6 muajt e fundit nga data e kërkesës, e shoqëruar me kopjen e kartës së identitetit;
• Leje drejtimi automjeti, format i ri elektronik shqiptar;
• Leje pune ose leje studentore me fotografi shoqëruar me dokumente bankare të vendit pritës;
• Denoncimi pranë autoriteteve kompetente vendase për humbjen e pasaportës;
• Formulari model LK1 (https://docs.google.com/document/d/1nUTrO2r045QX7ZNRxvkQ0IHYAJ76UGqQtI23...);
• 2 foto për pasaportë 4×5 cm, aktuale dhe në sfond të bardhë.
o Ky dokumentacion duhet të shoqërohet me denoncimin pranë autoriteteve kompetente portugeze për humbjen e pasaportës;
o Kërkesa për pajisje me lejekalimi e personave të mitur deri në 16 vjeç bëhet nga dy prindërit ose njëri prind, me pëlqimin e prindit tjetër. Pëlqimi jepet nëpërmjet një deklarate noteriale.
o Për të miturin me një prind ose me kujdestar, kësaj kërkese i bashkëlidhen dokumente që konfirmojnë kujdestarinë mbi fëmijën.
o Personi i mitur, ( i sapolindur) për t’u pajisur me lejekalimi, paraprakisht duhet të jetë regjistruar në zyrën përkatëse të gjendjes civile në Portugali dhe dokumenti shoqërues duhet të jetë i legalizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi.
o Leja e Kalimit është e vlefshme për 1 muaj nga data e lëshimit dhe vetëm për një hyrje në Republikën e Shqipërisë

Tarifat konsullore
o Në bazë të ligjit 8977, dt. 12.12.2002, “Për sistemin e taksave në RSH”, tarifat për shërbimet konsullore janë si më poshtë:
• Leje Kalimi - 30 EUR
• Prokura/ Deklarata - 20 EUR
• Përkthim - 10 EUR/faqe
• Vërtetime - 30 EUR
• Vizat – (sipas reciprocitetit)
o Pagesat kryhen në Euro
o Pagesat për të gjitha shërbimet konsullore, pa asnjë përjashtim kryhen vetëm nëpërmjet bankës në numrin e llogarisë së Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Portugali

Kontakte të dobishme:

Asistencë Juridike:
Valdemar Gonçalves valdemar.g.advg.@mail.telepac.pt

Përkthyes Shqip-Portugalisht:
1. Sra Irena Silva irenasilva@hotmail.com, Tel:+351 219 177 626, +351 966 425 152
2. Sra. Eva Ndrio Carvalho evandrio@ilidh.org
3. Sra. Marjeta Kurti Mendes marjeta@live.com.pt

Adresa

Ambasada Shqiptare
Rua Joaquim Antonio Aguiar, Nr.64 4-D
Lisboa 1070-153, Portugal

Tel / Fax

Tel: 00 351 21 38 63 600 / 601 / 602 Fax: 00 351 21 38 78 586

E-MAIL

embassy.lisbon@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00