Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Portugali-Shqipëri

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Portugali-Shqipëri (Câmara de Comércio e Indústria Luso-Albansesa) themeluar më 06.04.2010 në Lisbonë, është institucioni i parë portugez që krijohet me synim kryesor lidhjen dhe afrimin e tregjeve të të dy vendeve, duke promovuar zhvillimin e misioneve tregtare dhe industriale bilaterale për të rritur aftësitë konkurruese të produkteve të të dy vendeve në tregun europian.

Ceremonia e shpalljes publike të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Portugali-Shqipëri u zhvillua më 12 maj 2010 në ambientet e Palacio Conde d’Obidos. Në këtë aktivitet morën pjese Zv. Kryeministri dhe Ministër i Punëve të Jashtme, Z.Ilir Meta, përfaqësues nga Ministria e Punëve të Jashtme të Portugalisë, drejtues të institucioneve të ndryshme portugeze të fushës së ekonomisë, tregtisë, industrisë e turizmit, drejtuesit të AICEP-it (Agjencia për Investimet dhe Tregtinë e Jashtme të Portugalisë), përfaqësues të Institutit Luso-Ilir me qendër në Lisbonë, biznesmenë dhe media vendase.
Në aktin e themelimit morën pjesë rreth 15 përfaqësues të firmave dhe kompanive portugeze që operojnë në fusha të ndryshme si ndërtimi, energjetika, farmaceutika, turizmi, sigurimet dhe sistemi bankar.

Sipas statutit, tre strukturat bazë, tek të cilat mbështetet funksionimi i Dhomës janë Këshilli Administrativ, Asambleja e Përgjithshme dhe Këshilli Fiskal. Këto struktura kryesohen nga Z.Antonio Joao Fernandes, President i Këshillit Administrativ te CCIAL, Z.Antonio Belem, President i Këshillit Fiskal, dhe Z.Joao Migel Antonio Fernandes, President i Asamblesë së Përgjithshme, kurse zv. president i asamblesë u zgjodh Z.Valdemar Gonzalves, aktualisht Konsull Nderi i Shqipërisë në Porto.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse Zv. Kryeministri dhe Ministër i Punëve të Jashtme, Z.Ilir Meta, pasi paraqiti një ekspoze mbi situatën politiko-ekonomike në Shqipëri, në mënyrë të veçantë, u ndal tek mundësitë e rritjes në të ardhmen e këtij bashkëpunimi të filluar midis Portugalisë dhe Shqipërisë. Ndër të tjera ai u angazhua në sigurimin e mbështetjes nga Ministria e Punëve të Jashtme për vendosjen e lidhjeve me Dhomën e Tregëtisë dhe Industrisë së Tiranës, si dhe për organizimin e forumeve të biznesit në Lisbonë dhe Tiranë me pjesëmarrjen e firmave dhe kompanive shqiptare dhe portugeze, të interesuara për vendosjen e kontakteve dhe zhvillimin e bashkëpunimit bilateral në fusha me interes të përbashkët.
Ndërkohë, ambasadori i Shqipërisë në Portugali, Z. Edmond Trako theksoi se të krijosh këtë institucion, do të thotë të luash një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe kulturor të Shqipërisë dhe Portugalisë, do të thotë të bashkërendosh përpjekjet duke kontribuar në bërjen realitet të këtij misionit të këtij institucioni, që do të jetë me interes të madh për të dy vendeve. Ngritja e Dhomës është një shembull i përgjigjes që biznesmenët u japin sfidave të një ambienti të mbushur me vështirësi dhe kjo i bën të ndjehen mirë si biznesmenë, sepse kjo do të thotë që ata nuk kanë ulur krahët të pushojnë, por kanë shtuar përpjekjet përballë sfidave.

Në vijim të aktivitetit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, një delegacion i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Portugali-Shqipëri i kryesuar nga Presidenti i Këshillit Administrativ të saj, Z.Antonio Joao Fernandes zhvilloi një vizitë pune në Tiranë (23-28 korrik 2010) për tu njohur më nga afër me realitetin shqiptar dhe fushat kryesore ku mund të bëhen shkëmbime tregtare, krahas mundësive konkrete për investime, në veçanti në turizëm, energjetike, arsim, farmaceutikë dhe ndërtim. Një nga kompanitë e kësaj dhome krijoi para disa muajsh lidhjen e parë të biznesit tip joint-venture me një kompani shqiptare në fushën e arkitekturës dhe të ndërtimeve. Më datë 27.07.2010 u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit midis Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës dhe Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Portugali-Shqipëri.

Kontaktet:
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Portugali-Shqipëri
Camara de Comercio e Industria Luso-Albanesa
Adresa: Rua Mario Dionisio Nr.7 , Atelier 2
2635-473 Rio de Mouro, Portugal
Email: geral@ccila.pt

Adresa

Ambasada Shqiptare
Rua Joaquim Antonio Aguiar, Nr.64 4-D
Lisboa 1070-153, Portugal

Tel / Fax

Tel: 00 351 21 38 63 600 / 601 / 602 Fax: 00 351 21 38 78 586

E-MAIL

embassy.lisbon@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00