Ambasadori Trako zhvillon një takim me Presidentin e Komisionit për Çështjet Europiane në Asamblenë Parlamentare të Portugalisë

Ambasadori Edmond Trako më datë 31 tetor 2013 zhvilloi një takim në Asamblenë Parlamentare të Portugalisë me Presidentin e Komisionit për Çështjet Europiane, z. Paolo Motta Pinto.

Ky takim, u kërkua në funksion të çështjes së marrjes nga Shqipëria të Statusit të vendit Kandidat në BE. Ambasadori informoi z. Pinto lidhur me linjat e përgjithshme të qëndrimit tonë mbas daljes së Progres Raportit të KE-së. Pala shqiptare e konsideron këtë raport një pasqyrim të qartë objektiv të statusit të përmbushjes së reformave, lidhur me plotësimin e 12 prioriteteve kyçe të Opinionit, një vlerësim realist dhe njohje të përpjekjeve dhe arritjeve të të gjithë shoqërisë shqiptare në rrugën drejt integrimit europian. Pala shqiptare është e ndërgjegjshme për faktin që, nevojitet progres i mëtejshëm për të përmbushur me përparësi absolute 5 prioritetet e evidentuara nga raporti i progresit, për të mundësuar hapjen e negociatave dhe për këtë shumica qeverisëse po tregon gatishmëri të plotë për të patur një dialog sa më konstruktiv dhe të pandërprerë me opozitën.

Presidenti i Komisionit për Çështjet Europiane, nga ana e tij tha se, e vlerëson ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe Portugali-Shqipëri, të cilat - tha ai - ne i shohim në rritje, në veçanti nga momenti i hapjes së Ambasadës Shqiptare në Lisbonë. Lidhur me Raportin e Progresit, vijoi ai, pala portugeze ka qenë dhe është pro një procesi normal të zgjerimit të BE-së edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor, në rastin konkret për Shqipërinë.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Rua Joaquim Antonio Aguiar, Nr.64 4-D
Lisboa 1070-153, Portugal

Tel / Fax

Tel: 00 351 21 38 63 600 / 601 / 602 Fax: 00 351 21 38 78 586

E-MAIL

embassy.lisbon@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00