Ambasadori Edmond Trako takon Drejtorin e Përgjithshëm për Çështjet Europiane në MPJ të Portugalisë

Në dt.06.11.2013, ambasadori Edmond Trako zhvilloi një takim pune në MPJ të Portugalisë, me Drejtorin e Përgjithshëm për Çështjet Europiane, z. Francisco Duarte Lopes.

Nga ana e Ambasadorit Trako u bë një pasqyrë përmbledhëse lidhur me zhvillimet e fundit në Shqipëri. Në veçanti ai u ndal në ato çështje që kanë të bëjnë me përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë për marrjen e Statusit të vendit Kandidat në BE. Ambasadori Trako shprehu vlerësimet e palës shqiptare për konsideratat dhe rekomandimet e Progres-Raportit duke i quajtur ato një pasqyrim objektiv të përpjekjeve tona për përmbushjen e reformave lidhur me plotësimin e 12 prioriteteve kyçe të Opinionit. Për të përmbushur me përparësi absolute 5 prioritetet e evidentuara nga raporti i progresit dhe për të mundësuar hapjen e negociatave, pala shqiptare është e ndërgjegjshme për faktin që, nevojitet progres i mëtejshëm dhe për këtë shumica qeverisëse po tregon gadishmëri të plotë për të patur një dialog sa më konstruktiv dhe të pandërprerë me opozitën.

Drejtori i Përgjithshëm për Çështjet Europiane, Z. Francisco Duarte Lopes, tha që, “sikundër e dini edhe nga diplomatë të tjerë të kësaj ministrie, apo edhe nga takimet qe keni patur me kolegët tanë në Asamblenë Parlamentare, Portugalia ka qënë gjithmonë pro zgjerimit të BE-së. Madje këtë qëndrim Portugalia e ka mbajtur edhe kur kemi qënë koshientë që prej pranimeve të reja në rradhët e BE-së, do të na krijoheshin probleme ekonomike”.

Lidhur me situatën aktuale, vijoi ai, ne jemi duke ndjekur nga afër përmbushjen e atyre detyrimeve që janë të lidhura në veçanti me shtetin e së drejtës dhe stabilitetin në rajon, ku roli i Shqipërisë është vlerësuar mjaft pozitivisht. Po ashtu, votimi i tre ligjeve të rekomanduara nga BE, me konsensus dhe zgjedhjet e fundit parlamentare që u vlerësuan konkurruese, me pjesemarrje aktive të votuesve gjatë gjthë fushatës dhe me respektim të lirive themelore, ishin elementë të rëndësishëm që ndikuan në rekomandimin pozitiv të Komisionit për Këshillin, lidhur me dhënien e Statusit të Kandidatit për Shqipërinë në mbledhjen e dhjetorit.

Ndërkohë, Komisioni po ndjek dita ditës, me shumë përparësi hapat konkrete që po ndërmer Qeveria shqiptare, lidhur me 5 prioritetet e fundit, në veçanti në drejtim të luftës kundër korrupsiont dhe krimit të organizuar, pa harruar dhe reformat e tjera në fushën admnistrative, gjyqësorin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

“Ne mund tju garantojmë nga ana jonë, vijoi drejtori Lopes, që Shqipëria është vlerësuar pozitivisht prej nesh, dhe nqs nuk arrihet të merret statusi i kandidatit në dhjetor, dijeni që “e keqja” nuk ka për tju ardhur kurrë prej Portugalisë, mbasi ne na kini në anën tuaj”.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Rua Joaquim Antonio Aguiar, Nr.64 4-D
Lisboa 1070-153, Portugal

Tel / Fax

Tel: 00 351 21 38 63 600 / 601 / 602 Fax: 00 351 21 38 78 586

E-MAIL

embassy.lisbon@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00