Zhvillohet stërvitja “Vlora Sarex 16”

Forca Detare në bashkëpunim me institucionet që kanë interesa në det zhvilluan sot në Gjirin e Vlorës stërvitjen e përbashkët “Vlora SAREX 16”. Efektivët e Flotiljes Detare Pashaliman, pjesëmarrës në këtë stërvitje, simuluan parandalimin e trafikut të qenieve njerëzore dhe ndalimin e trafikantëve dhe mjeteve të tyre në zonën e përgjegjësisë, si dhe simuluan një operacion kërkim – shpëtimi për mjete që mund pësojnë avari gjatë lundrimit.

Duke folur në lidhje me stërvitjen “Vlora SAREX 16”, zëvendësministri i Mbrojtjes z. Petro Koçi, e konsideroi mjaft të rëndësishme kualifikimin dhe gatishmërinë e detarëve tanë. “Forca jonë Detare duhet të kualifikohet më tej.

 

Duhet të jetë gjithmonë e gatshme që në çdo situatë rreziku të përgjigjet me efikasitet. Ne e dimë tashmë që situata në rajon mund të sjellë edhe në hapësirën tonë detare, pse jo dhe në territorin tokësor, kalime refugjatësh apo mund të ketë siç ka pasur dhe më parë, zhvillime të tjera që kanë lidhje me veprimtarinë ilegale në hapësirën detare. Kjo kërkon patjetër stërvitje të vazhdueshme dhe natyrisht koordinim me institucionet e tjera që kanë interesa në det sepse Forca jonë Detare nuk është e vetmja forcë apo institucion që ka përgjegjësi për hapësirën detare.” – tha ai.

Interesit të mediave për sigurinë e hapësirës detare në përgjithësi dhe Gjirit të Vlorës në veçanti, z. Koçi tha se ato janë të menaxhuara dhe të kontrolluara. “Kjo është një hapësirë që për Forcën tonë Detare krijon gjithmonë prezencë të vazhdueshme. Ne kemi personel të stërvitur, të kualifikuar, kështu që padyshim që çdo lloj situate do t’i përgjigjemi me nivelin që e kërkon ligji.”

Stërvitjen ndërinstitucionale “Vlora SAREX 16” e ndoqi nga afër shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Jeronim Bazo dhe kryetari i Bashkisë së Vlorës z. Dritan Leli, i cili e konsideroi shumë të rëndësishme këtë stërvitje për sigurinë e pushuesve gjatë sezonit turistik.

Adresa

Përfaqësia e Përherëshme e Republikës së Shqipërisë në NATO
B-1110 Brussels- Belgium

Tel / Fax

Tel. +32 2 707 2782
Fax. +32 2 707 2783
Nr. i emergjences: +32 2 707 2782

E-MAIL

mission.nato@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00