Zhvillohet në Mynih Forumi i Parë Ekonomik për Ballkanin Perëndimor

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati mori pjesë në Forumin e Parë Ekonomik për Ballkanin Perëndimor, i cili u zhvillua në Akademinë e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Mynih.

Në aktivitet morën pjesë Ministrja Bavareze për Çështjet Evropiane znj. Beate Merk, Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, Sekretarja e Shtetit në Ministrinë e Jashtme të Malit të Zi, znj. Vera Joličić-Kuliš, etj.

Aktiviteti u realizua si një iniciativë e përbashkët e Ambasadës shqiptare në Berlin dhe Ministrisë Bavareze për Ekonominë, Median dhe Teknologjinë, në partneritet me Dhomën e  Industrisë dhe Tregtisë së Mynihut dhe Bavarisë së Sipërme, si  dhe Dhomën e Zejtarëve të Mynihut dhe Bavarisë së Sipërme.

Forumi u zhvillua i ndarë në dy panele, dedikuar çështjeve politike dhe çështjeve ekonomike teknike.  

Gjatë panelit të parë u diskutua në lidhje me rëndësinë e zhvillimit ekonomik dhe bashkëpunimit të vendeve të rajonit të Ballkanit me Bavarinë, reformat që këto vende kane ndërmarë, sektorët strategjikë që ato ofrojnë për të tërhequr investitorë nga Bavaria, sikurse mundësitë që i ofrohen industrisë bavareze për investime në një strukturë prodhimi që gjendet pranë.

Pjesa e dytë u konceptua dhe realizua në formën e një seminari profesional, e cila solli së bashku organizatat dhe shoqatat e biznesit, si dhe agjencitë e investimeve të vendeve të rajonit dhe Landit të Bavarisë. 

Forumi hodhi bazat për bashkëpunim ekonomik dhe projekte të përbashkëta në interes të palëve pjesëmarrëse, duke evidentuar rritjen e vëmendjes dhe interesit të sipërmarrësve gjermanë drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor si vende me potenciale për investime të huaja. 

Në fjalën e tij në forum Ministri Bushati u ndal në përmirësimin e kuadrit ligjor, reformat që ka ndërmarrë Qeveria shqiptare në funksion të një zhvillimi të qendrueshëm ekonomik, si dhe rëndësinë e zbatimit të reformës në drejtësi si një reformë me impakt të gjerë në zhvillimin ekonomik të vendit. 

Në vijim të qendrimit të tyre në Mynih, Ministri Bushati dhe Ministri Hoxhaj do të marrin pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Konsullatës së Përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës në këtë qytet. 

Adresa

Përfaqësia e Përherëshme e Republikës së Shqipërisë në NATO
B-1110 Brussels- Belgium

Tel / Fax

Tel. +32 2 707 2782
Fax. +32 2 707 2783
Nr. i emergjences: +32 2 707 2782

E-MAIL

mission.nato@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00