Xhaçka në Komandën e Bashkuar të NATO, rikonfirmon politikën e dyerve të hapura dhe bashkëpunimit në rajon

Shqipëria vlerësohet edhe një herë për rolin e saj kyç në sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka zhvilloi një vizitë pune në Komandën e Forcës së Bashkuar të Aleancës së Atlantikut të Veriut me qendër në Napoli (Allied Joint Force Command Naples), ku u prit nga komandanti i kësaj force, admiral James Foggo, i cili është njëkohësisht edhe komandant i Forcave Detare të SHBA për Europën dhe Afrikën. Një prej zonave të përgjegjësisë së Joint Force Command në Napoli është edhe Ballkani Perëndimor.

Gjatë takimit, ministrja e Mbrojtjes nënvizoi drejtimin strategjik të NATO në jug të Aleancës, si kontribut vendimtar për paqen dhe stabilitetin në këtë zonë të Aleancës.
Ajo siguroi admiralin amerikan se vendi ynë do të vazhdojë të promovojë politikën e dyerve të hapura dhe të bashkëpunimit mes vendeve të rajonit.
“Shqipëria është e vendosur të jetë qendër e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor si dhe zëri kryesor për vlerat dhe aspiratat euroatlantike të vendeve të rajonit, duke përfshirë Kosovën. Në funksion të një rajoni më të sigurt e të mbrojtur nga kërcënimet që vijnë nga Rusia, për Ballkanin Perëndimor e ardhmja e vetme është orientimi drejt perëndimit”, - tha ministrja Xhaçka në takimin me admiralin Foggo.

Për komandantin e Forcës së Bashkuar, Shqipëria përmes pjesëmarrjes në misionet paqeruajtëse të NATO si dhe rolin e saj aktiv në rajon, ka treguar se është një anëtare e denjë e Aleancës dhe kontribuese për paqen dhe sigurinë.
“Kontributi dhe roli i Shqipërisë për bashkëpunimin mes vendeve të rajonit është mbresëlënës”, - tha admiral Foggo gjatë bashkëbisedimit me ministren shqiptare të Mbrojtjes.

“Dëshmi e kësaj”, - përfundoi admiral, - “Është edhe konferenca rajonale e Ballkanit Perëndimor dhe Detit të Zi që Komanda e Forcës së Bashkuar Aleate do të organizojë në Tiranë gjatë muajit maj.”

Adresa

Përfaqësia e Përherëshme e Republikës së Shqipërisë në NATO
B-1110 Brussels- Belgium

Tel / Fax

Tel. +32 2 707 2782
Fax. +32 2 707 2783
Nr. i emergjences: +32 2 707 2782

E-MAIL

mission.nato@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00