Takimi i dytë Trepalësh Shqipëri – Kroaci – Mal i Zi mbajti punimet në qytetin e Durrësit

Me iniciativë të Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati u zhvillua në Durrës, më datë 17 nëntor, Takimi i dytë Trepalësh i Ministrave të Jashtëm të Shqipërisë, Kroacisë dhe Malit të Zi.

Kjo platformë, e cila u lançua në takimin e parë të Ministrave të Jashtëm të të tre vendeve në shkurt të këtij viti në Split, Kroaci, i shërben përpjekjeve të përbashkëta për konsolidimin e bashkëpunimit në Evropën Adriatike dhe për një aksion të përbashkët në interes të një rajoni më të sigurt dhe më të ndërlidhur, në të gjitha dimensionet.

Gjatë takimit Trepalësh, Ministrat e Shqipërisë, Kroacisë dhe Malit të Zi u fokusuan në bashkëpunimin dhe koordinimin e vendeve tona në fushën e sigurisë, si dhe iniciativave kombëtare dhe rajonale në infrastrukturë, energjetikë dhe turizëm.

Një fokus i veçantë iu kushtua ecurisë dhe ndërveprimit për avancimin e projekteve me rëndësi strategjike, si Korridori Adriatiko-Ionian dhe Gazësjellsi që do lidhë linjën Trans-Adriatike me Kroacinë nëpërmjet Shqipërisë, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës, por edhe bashkëpunimit në fushën e turizmit dhe mjedisit. 

Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO pranverën e kaluar, përpos përkatësisë evropiane të vendeve tona e shndërroi këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor edhe në NATO-n Adriatike, duke kontribuar  drejtpërdrejtë në siguri, stabilitet dhe prosperitet për të gjitha vendet tona.

Në ndërhyrjen e tij Ministri Bushati vlerësoi bashkëpunimin tashmë të konsoliduar në këtë format trepalësh dhe riafirmoi qëndrimin dhe rolin e Shqipërisë në funksion të forcimit të koordinimit të vendeve tona, në fushat e mësipërme, të interesit të përbashkët.

Takimi trepalësh mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Malit të Zi është një shembull i mirë se si vendet e njëmendta bashkojnë përpjekjet për t’i dhënë më shumë sinergji agjendës së përbashkët rajonale, si dhe për të konsoliduar qëndrimin ndaj sfidave të brendshme dhe ato që importohen nga rajonet konfliktuale.

Ministrat e Jashtëm të të tre vendeve vlerësuan në përfundim të këtij takimi nevojën për të zgjeruar platformën trepalëshe të bashkëpunimit edhe me përfaqësues të lartë dhe ekspertë në fushat me interes, në mënyrë që idetë dhe propozimet e paraqitura në këtë takim Trepalësh të materializohen dhe përkthehen në iniciativa e veprime konkrete.

Adresa

Përfaqësia e Përherëshme e Republikës së Shqipërisë në NATO
B-1110 Brussels- Belgium

Tel / Fax

Tel. +32 2 707 2782
Fax. +32 2 707 2783
Nr. i emergjences: +32 2 707 2782

E-MAIL

mission.nato@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00