Takim pune i Ministrit Bushati me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg në Washington D.C.

Ministri Bushati zhvilloi një takim pune me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në ambientet e Ambasadës sonë në Washington DC. 

Biseda pati në fokus kontributet e Shqipërisë në kuadër të Aleancës, në përgjigje të sfidave në krahun lindor dhe jugor të saj,  situata e sigurisë në rajon, si dhe bashkërendimin e qëndrimeve të vendeve të Aleancës në prag të ministerialit të ardhshëm të NATO-s në muajin prill.

Ministri Bushati ritheksoi hapat e ndërmarra nga Shqipëria në përmbushjen e angazhimeve të Samitit të Varshavës, përfshirë rritjen e buxhetit dhe shpenzimeve të mbrojtjes. 

Sekretari Stoltenberg, nga ana e tij, vlerësoi rolin e Shqipërisë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, kontributin e shtuar të vendit tonë në operacionet dhe misionet e NATO-s, si dhe në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Pjesë e rëndësishme e diskutimeve ishin zhvillimet e fundit në rajon, përfshirë marrëdhëniet Kosovë-Serbi, situata aktuale në Maqedoni dhe përfundimi i procesit të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO. 

Bashkëbiseduesit u ndalën mbi nevojën për të bashkërenduar përpjekjet për të konsoliduar stabilitetin demokratik dhe për të përmirësuar mjedisin e sigurisë në rajon, në përgjigje të faktorëve destabilizues në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë kontekst, Ministri Bushati theksoi nevojën për thellimin e bashkëpunimit mes Aleancës dhe vendeve të rajonit, dhe veçanërisht vijmin e institucionalizimit të marrëdhënieve të NATO-s me Kosovën, si një menyrë për të adresuar kërkesat e saj legjitime për më shumë siguri.

Në kuadër edhe të Komunikatës së Varshavës, angazhimi më substancial i NATO-s bëhet edhe më i domosdoshëm pas ngjarjeve të fundit destabilizuese të paqes dhe trajektores euro-atlantike të vendeve të rajonit. 

Palët ranë dakord se progresi i reformave shtet-konsiliduese, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, dhe perspektiva euro-atlantike mbeten akset kryesorë të përforcimit të paqes dhe stabilitetit demokratik në rajonin tonë, në respekt të vlerave euro-atlantike.​

Ministri Bushati dhe Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg ndodhen në Washington në kuadër të Ministerialit të Koalicionit Global anti-ISIS.

Adresa

Përfaqësia e Përherëshme e Republikës së Shqipërisë në NATO
B-1110 Brussels- Belgium

Tel / Fax

Tel. +32 2 707 2782
Fax. +32 2 707 2783
Nr. i emergjences: +32 2 707 2782

E-MAIL

mission.nato@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00