Një përgjigje rajonale dhe europiane kundër ekstremizmit të dhunshëm

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në konferencën rajonale “Për luftën kundër terrorizmit”:

Mirëserdhët në Tiranë, kryeqyteti i një vendi kandidat në Bashkimin Europian dhe për këtë arsye pak më i mërzitshëm se kryeqytetet e vendeve anëtare. Është e vërtetë! Në një farë kuptimi, rruga e integrimit dhe anëtarësimit të çon në rrugën e të mërzitshmes dhe normalitetit. Nga 35 kapitujt që çdo vend kandidat i duhet të negociojë me Bashkimin Europian, në rrugën e tij të gjatë në procesin e integrimit, puna nuk fillon me kapitullin e parë, por si rregull fillon nga kapitujt 23 dhe 24. Në thelb, këta kapituj lidhen me drejtësinë, me sistemin gjyqësor, me të drejtat themelore, me ligjin dhe sigurinë.

Edhe pse Shqipëria nuk i ka filluar ende formalisht negociatat, ajo ka nisur prej kohësh një proces jetik për të ardhmen e saj europiane, përmes një reforme në drejtësi shumë radikale, që tashmë është në prag të miratimit. Reforma e drejtësisë, që për ne është reformë mbi reformat, konsiderohet si një “mantra”, e cila do t’i japë vendit tonë hovin e nevojshëm, për t’u shkëputur plotësisht nga e ashtuquajtura fazë e tranzicionit.

Pavarësisht vetëkritikes proverbiale që ushtrojmë ne shqiptarët ndaj vetes apo dhe ndaj vendit tonë, që ka gjetur reflektimin e merituar, ndonjëherë edhe të tepruar në vlerësimet europiane të progresit të Shqipërisë, duhet thënë se me reformën në drejtësi, ne jemi shumë pranë zgjidhjes së nyjës gordiane.

Me përmbylljen e këtij procesi, Shqipëria jo vetëm që do të hapë negociatat e anëtarësimit, por do të bëjë “de facto” një hap përpara, edhe krahasuar me vendet që i kanë hapur më përpara negociatat, pa reformuar ende realisht në themel sistemin e tyre të drejtësisë.

Megjithatë, standardet e larta në drejtësi, shëndetësi, arsim e të tjera do të ishin vetëm iluzione pa një sistem sigurie funksional, efikas dhe të qëndrueshëm. Vala e fundit e globalizmit, ashtu siç ka shkulur pa mëshirë nga themelet shumë sisteme, doktrina apo dogma, ka sfiduar dhe ka vënë në pikëpyetje edhe sistemet tradicionale të sigurisë të OKB-së.

Edhe ne këtë sektor është i gjithë pranuar konkluzioni se nuk mund të ketë siguri të njëanshme apo thjeshtë kombëtare, sado që paradoksalisht, shumëkush flet kryesisht për siguri kombëtare.

Sfidat, kërcënimet, rreziqet dhe sulmet e rënda me të cilat bota dhe Europa po përballen nuk na japin luksin që të diskutojmë rreth nevojës së një sigurie të përbashkët. Ky koncept në fakt duhet të ishte tashmë i njohur gjerësisht. Por edhe në lidhje me këtë çështje, ne mbajmë akoma peshën e trashëgimisë vestfaliane që bazohet në terma si “terror”, “sovranitet”, etj.. Edhe sot, strukturat tona tradicionale, edhe pse kanë përmirësuar deri diku retorikën, vijojnë të veprojnë sikur në botë të mos ketë komunikim masiv e të shpejtë, sikur të mos ketë individë dhe organizata që kanë qasje dhe mundësi për të operuar globalisht, etj..

Kjo është arsyeja pse ne duhet të përkufizojnë edhe një herë, ose të paktën të përkthejmë në gjuhën e shekullit të ri, parametrat bazë të sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare, të ndërtuara në mbështetje të Traktatit të Vestfalisë.

Një nga konkluzionet themelore që Shqipëria ka nxjerrë nga zhvillimet më të fundit në fushën e sigurisë, është se rreziqet që na kanosen sot kanë në bazë ekstremizmin, i cili gjen hapësira krejt të reja për t’u zhvilluar në kontekstin e një shoqërie që zhvillohet me rritmë shumë të shpejta dhe që pikërisht për shkak të këtij zhvillimi të shpejtë rrezikon të lërë mbrapa gjithnjë e më tepër individë apo grupe, të cilët, të prekur nga margjinalizmi, por dhe të ndihmuar nga teknologjia, arrijnë që zhgënjim e tyre ta shndërrojnë në një rrezik serioz për shoqërinë.

Ekstremizmi i sotëm është një lloj mutacioni viral, i lindur në kushtet e një margjinalizimi social dhe të aksesit të pakufizuar në teknologji dhe në informacion. E ashtu si të gjithë viruset, edhe ekstremizmi mund të vritet nga medikamentet.

Lufta kundër terrorizmit, që është lufta kundër simptomës, ka një shans të kufizuar të ketë sukses, përveçse edhe një kosto jashtëzakonisht të lartë. Përvoja e dekadave të fundit në luftën globale kundër terrorizmit e ka provuar këtë. E vetmja mënyrë për të qenë të mbrojtur nga terrorizmi në një shtrirje kohore afatgjatë, janë profilaksia, vaksinimi, ose përgatitja e trupit për t’u përballur me luftën e pashmangshme me këtë virus. Me fjalë të tjera, kjo do të thotë luftë kundër ekstremizmit dhe të parandalojmë që individë ose grupe që priren drejt ideve ekstremiste të shndërrohen në terroristë.

Qëllimi i strategjisë sonë kundër ekstremizmit të dhunshëm, – e cila bazohet më shumë në edukimin e nxënësve, studentëve dhe të rinjve me parimet e një shoqërie të lirë dhe të hapur, ku ka vend jo vetëm për mua, por edhe për të tjerët dhe ku tjetri është dikush që mund të jetë i ndryshëm nga unë në shumë aspekte, – është të përgatisim individët, që janë të ndryshëm në identitetin e vet, në kulturën, etninë, fenë, botëkuptimin, orientimin, gjuhën, etj.. dhe shoqërinë tonë që të përballen me ekstremizmin.

 

Këtë përgatitje për të kuptuar dhe pranuar tjetrin, ne duhet ta fillojmë që në vitet e para të shkollës përmes futjes së moduleve që synojnë pikërisht këtë gjë dhe që do të përfshijnë jo vetëm dimensionin fetar.

Po ashtu, strategjia jonë kundër ekstremizmit të dhunshëm parashikon një gamë të gjerë programesh që synojnë mobilizimin e të gjithë aktorëve politikë e shoqërore, për të ruajtur e mbrojtur vlerat e shoqërisë sonë, të cilat mbeten përherë shteti i të drejtës, barazia sociale dhe liritë themelore të njeriut. Edhe pse në parim jemi një shoqëri si gjithë të tjerat, ne kemi një traditë që na e jep të drejtën e një individualiteti të spikatur historik e nacional.

Fakti se përgjatë shekujve, ne kemi qenë në gjendje të zhvillojmë një shoqëri e shtet të ndërtuar nga qytetarë të besimeve të mëdha fetare, në harmoni apo në vëllazëri të plotë, siç tha Papa Françesku gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 2014, fakti që brenda kufijve të vendit tonë, në fund të Luftës së Dytë Botërore, numri i hebrenjve ishte rritur shumëfish në krahasim me kohën kur filloi lufta, edhe pse ishte një nga vendet e para të pushtuar nga fashizmi, fakti që asnjë raport individual apo institucional nga bota nuk ka evidentuar kurrë ndonjë tendencë ksenofobie ndër shqiptarët edhe në shumë rrethana të tjera, na nxisin të besojmë se Shqipëria mundet e duhet që përvojën e saj thuajse unike për rajonin e më gjerë ta ndajë me vendet  e tjera në një mënyrë të organizuar.

Nëse secili prej kombeve europiane identifikohet për kontributet veçanta të secilit, ne shqiptarët, që i dhamë trashëgimisë europiane 33 martirë të lirisë e të fesë dhe që në shtator të këtij viti do të identifikohemi edhe me Nënë Terezën, shenjtoren më të re të krishterë, kemi jo vetëm të drejtë, por edhe detyrimin që të promovojmë vlera të tilla që lidhen ngushtë me lirinë dhe bashkëjetesën, kaq të pranishme tek të gjithë ne.

Në këtë pikë, ne jemi shumë të vetëdijshëm për rrezikun që brezat e rinj mund ta marrin për të mirëqenë atë çka kemi trashëguar dhe kjo duhet të parandalohet tani. Ndërtimi i një qendre rajonale, që do të kishte për qëllim promovimin e mirëkuptimit, harmonisë dhe bashkëjetesës, duke promovuar njohuritë e historisë dhe traditave midis popujve dhe vendeve të rajonit tonë në aspektin shoqëror, kulturor e fetar, është një propozim i rëndësishëm që ne besojmë se duhet të çohet përpara përmes strategjisë kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Ndërtimi i një qendre të tillë rajonale në Shqipëri do të krijonte për të gjitha vendet e rajonit mundësinë që të ndanin përvojat e tyre më të mira, dijet dhe kapacitetet për të rrëzuar barrierat ideologjike, kulturore, sociale, fetare etj. dhe për t’i promovuar me fuqinë e shembujve, duke ndërtuar ura të reja të mirëkuptimit, tolerancës dhe bashkëjetesës.

Qendra do të jetë një investim i rëndësishëm në projektet tona, për të ndërtuar një të ardhme të lirë kundër ekstremizmit e dhunës. Unë besoj se mbështetja e gjerë europiane dhe rajonale, për ndërtimin në Shqipëri të një qendre rajonale për promovimin e bashkëjetesës në kushtet e diversitetit dhe kundër ekstremizmit të çfarëdolloj forme, do të ishte një investim inovativ, jetëgjatë dhe me dobi të shumëfishtë dhe të përbashkët.

Një fushë tjetër me shumë rëndësi është edhe fuqizimi, transformimit dhe modernizimi i institucioneve të sigurisë dhe të zbatimit të ligjit. Pa u thelluar në detaje, më lejoni të rendis në trajtën e prioriteteve disa nga fushat më të rëndësishme që mendoj se duhet të gjejnë mbështetjen europiane, edhe si pjesë e iniciativës kundër terrorizmit midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor;

Së pari, është ndërtimi i një qendre rajonale me fokus parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe promovimin e bashkëjetesës, të cilën e përmenda pak më parë.

Së dyti, është forcimi i kapaciteteve për shkëmbimin e informacionit ndërmjet vendeve të rajonit për çështje që kanë të bëjmë me luftën kundër terrorizmit, luftën kundër krimit të organizuar dhe emergjencave civile, me fjalë të tjera, zhvillimin e një rrjeti rajonal sigurie.

Në lidhje me planin kombëtar mund të listoj këto prioritete: Modernizimi thelbësor i kapaciteteve të policisë shkencore përmes ndërtimit dhe pajisjes së një laboratori të Policisë Shkencore, i cili jo vetëm do të plotësonte një nevojë të domosdoshme të institucioneve shqiptare në luftën kundër kriminalitetit në përgjithësi, por do të mundësonte edhe shkëmbimin e informacionit mes institucioneve shqiptare dhe atyre rajonale e europiane në këtë fushë. Në jo pak raste, nxjerrja para drejtësisë e qytetarëve të akuzuar për krime të rënda ka qenë e vështirë, për shkak se mungonin kapacitetet shkencore të investigimit.

Studimi i fizibilitetit për instalimin e sistemeve të menaxhimit të kufijve, përfshirë kontrollet biometrike të hyrje-daljeve në pikat kufitare, verifikimi i individëve rast pas rasti në bazat e ndryshme të të dhënave kombëtare e ndërkombëtare, do të hapte një erë të re. Ky studim do të shënonte hapin e parë në drejtim të ndërtimit të një sistemi të integruar dhe në ndërveprim me sistemet europiane të menaxhimit të kufijve.

Shqipëria është një vend që gjatë një viti vizitohet nga një numër vizitorësh që tejkalon numrin e popullsisë së saj. Në vitin 2015, Shqipëria u vizitua nga më shumë se 4 milionë shtetas të huaj. Menaxhimi i këtyre flukseve në kushtet e kapaciteteve të kufizuara njerëzore e teknike, është një sfidë që duhet të përballohet, pa cenuar standardet e sigurisë e të mikpritjes, çka kërkon kështu përmirësimin e infrastrukturës dhe sistemeve përkatëse.

Përmirësimi i kapaciteteve të kontrollit të menaxhimit të vijës kufitare, si edhe sfidat e reja lidhur me krizën e refugjatëve në zonat e nxehta kanë bërë edhe më urgjente nevojën për të rritur kapacitetet e kontrollit dhe menaxhimit të kufirit të vendit, në tokë dhe në det. Duke konsideruar të përbashkët sfidën e përballimit të krizës së refugjatëve dhe në përpjekjen që ajo të mos shndërrohet në një krizë sigurie, është e domosdoshme që ne të përmirësojmë kapacitetet e kontrollit dhe menaxhimit të kufijve në tokë dhe në det. Sipas të gjitha analizave, rezulton se kriza e refugjatëve në vatrat e krizës në Afrikë, në Lindjen e Mesme, në Azi nuk mund të konsiderohet e zgjidhur në periudhën që ne kemi planifikuar.

Përmirësimi i kapaciteteve për mbrojtjen kibernetike është një sfidë tjetër e madhe, në një kohë kur ne besojmë që flukset e emigracionit, trafiqet e ndryshme apo veprimtaritë kriminale nuk mund të përballohen duke ndërtuar mure.

Ekziston një fushë tjetër kur muret dhe “firewall”-et janë një instrument shumë i rëndësishëm mbrojtjeje. Duke qenë se Shqipëria është bërë pjesë e rëndësishme e botës dixhitale, me një shtrirje prej 62% të shërbimeve të internetit dhe 147% të komunikimit celular në vend – ne jemi një nga vendet më të varfra në Europë, por jemi konsumatorët më të mëdhenj të komunikimit celular dhe të gjenerimit të sms-ve për person dhe këtu besoj se jemi kampionë, - edhe mbrojtja e qytetarëve, infrastrukturës dhe e gjithë hapësirës kibernetike është shndërruar në një prioritet me rëndësi të jashtëzakonshme.

Hartimi dhe realizimi i një programi për një “mur qendror” për mbrojtjen e hapësirës kibernetike kombëtare është një prioritet i rëndësishëm, ku mund të bashkërendohen përpjekjet e institucioneve përgjegjëse shqiptare me ato të Bashkimit Europian dhe me institucione në rajon.

Përmirësimi i kapaciteteve të mbrojtjes civile është sfidë tjetër shumë e madhe, siç na kanë treguar edhe krizat e këtyre natyrave jo vetëm në Shqipëri, por edhe ne rajon. Shqipëria konsiderohet si një vend me risk të lartë të fatkeqësive natyrore, siç janë përmbytjet, erozioni, por edhe për fatkeqësi që vijnë si pasojë e ndërhyrjeve nga ana e njeriut. Sidoqoftë, vendi ka kapacitete shumë të kufizuara për mbrojtjen civile në përgjithësi, të cilat janë zhvilluar kryesisht brenda forcave të armatosura.

Në përputhje edhe me standardet më të mira europiane ka ardhur koha që ne të ndërtojmë kapacitete të mbrojtjes civile specifike dhe të specializuara, që të jenë të përgatitura dhe të pajisura të përballojnë emergjenca të ndryshme civile që mund të ndodhin në vend. Edhe në këtë fushë është shumë e rëndësishme për jetën dhe mirëqenien e popullsisë të projektohet një program i gjerë, që do të parashikojë hartimin e një kuadri të nevojshëm ligjor dhe rregullator për mbrojtjen civile, si dhe krijimin e  kapaciteteve njerëzore e teknike.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, do të thosha se bashkimi europian i kriminelëve nuk është burokratik, është shumë i shpejtë dhe zhvillohet pa veto dhe pa këshill. Kjo është sfida e madhe, me të cilën përballemi të gjithë së bashku. Ashtu sikurse, ne në rajon përballimi me sfidat tona, që është të ruajmë ritmit e paqes e të bashkëpunimit që kemi më në fund, pas një periudhe shumë të gjatë vitesh, dekadash e shekuj konfliktesh, luftërash dhe mungese komunikimi. Ne në Ballkan ishim unikë në vetvete, sepse vendosëm të bëjmë paqe e të bëhemi të mirë, në një kohë kur Europa nuk është më e gatshme të konsiderojë lart, atë që kemi vendosur ne. Kur Europa ishte gati, ne kishim vendosur të luanim rolin e të këqijve, kurse tani që ne vendosëm të jemi të mirë, Europa po humb drejtimin.

Trajtimi i prioriteteve të bashkëpunimit me vendet e rajonit dhe të Bashkimit Europian në fushën e sigurisë do të kërkonte një kohë më të gjatë, të cilën besoj se drejtuesit e ekspertët përkatës do ta gjejnë, në mënyrë që çështjet e sigurisë të gjejnë vendin e duhur në kuadrin e gjithë procesit të marrëdhënieve dhe integrimit të vendit tonë në Bashkimin Europian. Unë shpresoj që të gjitha xhelozive në mbajtjen dhe mosdhënies së të dhënave do t’i jepet fund dhe ato të bëhen të disponueshme për të gjithë ata që kanë vendosur të jenë pjesë e kësaj familjeje unike dhe që të kontribuojnë për këtë familje unike. Kështu le të punojmë të gjithë së bashku, për të vrarë xhelozinë në favor të të dhënave. Faleminderit të gjithëve.

Adresa

Përfaqësia e Përherëshme e Republikës së Shqipërisë në NATO
B-1110 Brussels- Belgium

Tel / Fax

Tel. +32 2 707 2782
Fax. +32 2 707 2783
Nr. i emergjences: +32 2 707 2782

E-MAIL

mission.nato@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00