NATO i përgjigjet Pandemisë Covid-19

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s zhvilluan një takim, më 2 prill 2020. Si rezultat i situatës së krijuar nga pandemia globale e COVID-19, takimi u zhvillua me videokonferencë të kriptuar.

Ministrat e Jashtëm të vendeve aleate u ndalën kryesisht në situatën e krijuar nga pandemia globale dhe theksuan se NATO qëndron e bashkuar dhe solidare në këtë periudhë të vështirë. Ata vlerësuan faktin që, pavarësisht reduktimit të aktiviteteve ushtarake dhe stërvitjeve të Aleancës, aftësia operacionale e NATO-s mbetet e pacënuar. Ministrat trajtuan edhe fushatën e dezinformimit mbi COVID-19, si dhe nevojën e rritjes së aftësive reaguese të NATO-s dhe vendeve aleate ndaj situatave të tilla.

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, trajtuan gjithashtu hapat e parë të shtrirjes së Misionit Trajnues së NATO-s në Irak. Ministrat shkëmbyen pikëpamje edhe mbi zhvillimet e kohëve të fundit në Afganistan, si edhe mënyrat e një koordinimi më të mirë mbi kontrollin e armëve, çarmatimit dhe mos-përhapjes së armëve bërthamore. Ata miratuan një paketë mbështejtje për Ukrainën dhe Gjeorgjinë, si dhe fillimin e Procesit të Reflektimit të brendshëm të NATO-s, që u vendos në Samitin e Londrës, në dhjetor të vitit të kaluar.

Në këtë takim vendi ynë theksoi, mes të tjerash, rëndësinë e unitetit dhe solidaritetit aleat në situatën aktuale dhe të ruajtjes së aftësive operacionale të NATO-s. Duke ilustruar masat e marra në nivel kombëtar kundër përhapjes së infeksionit, Shqipëria nënvizoi rëndësinë e veprimeve të përbashkëta ndaj pandemisë globale dhe fushatës dezinformuese mbi mbi COVID-19.

Në këtë takim, u mirëprit zyrtarisht edhe Republika e Maqedonisë së Veriut si anëtari i 30 i NATO-s. Ministrat e Jashtëm të vendeve të NATO-s aprovuan dhe deklaratën përkatëse të këtij takimi.

Gjithashtu, njëzëri Ministrat aleatë përshëndetën vendimin e BE-së për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Adresa

Përfaqësia e Përherëshme e Republikës së Shqipërisë në NATO
B-1110 Brussels- Belgium

Tel / Fax

Tel. +32 2 707 2782
Fax. +32 2 707 2783
Nr. i emergjences: +32 2 707 2782

E-MAIL

mission.nato@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00