Ministri Bushati zhvillon takim me Zëvendëskryeministrin e Maqedonisë Halili

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati priti sot në një takim Zëvendëskryeministrin e Maqedonisë, përgjegjës për implementimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, Festim Halili.

Ministri Bushati dhe Zëvendëskryeministri Halili diskutuan mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe për thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve tona. Ata konfirmuan vullnetin reciprok për nxitjen e mëtejshme të bashkëpunimit në rajon, konsolidimit të demokracisë dhe ruajtjes së stabilitetit.

Ecuria e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit ishte në fokus të veçantë të bisedës. Ministri Bushati shprehu nevojën për te vijuar me ritme më të shpejta në drejtim të implementimit të plotë të saj. Ai nënvizoi se implementimi i Marrëveshjes se Ohrit në germë dhe në frymë, është një domosdoshmëri për ruajtjen e stabilitetit dhe kohezionit social në Maqedoni, promovimin e vlerave demokratike, forcimin e sigurisë në rajon dhe ecurinë e vendit në procesin e integrimit të strukturave euro-atlantike.

Ministri Bushati theksoi angazhimin dhe mbështetjen e Shqipërisë për integrimin e Maqedonisë në strukturat euro-atlantike. Duke u ndalur në zhvillimet më të fundit në Maqedoni, Ministri Bushati vlerësoi angazhimin e partive politike në vend për arritjen e marrëveshjes në caktimin e datës për zgjedhjet e parakohshme. Gjithashtu, u veçua dhe vlerësua roli konstruktiv i faktorit shqiptar në tejkalimin e krizës dhe bashkëpunimin me faktorin ndërkombëtar.

Zëvendëskryeministri Halili përshëndeti mbështetjen e Shqipërisë për procesin e integrimit të Maqedonisë në strukturat euro-atlantike dhe bashkëpunimin rajonal. Ai vlerësoi marrëdhëniet dypalëshe dhe shprehu kënaqësinë për interesin e ndërsjellë në thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh e shumëpalësh.

Adresa

Përfaqësia e Përherëshme e Republikës së Shqipërisë në NATO
B-1110 Brussels- Belgium

Tel / Fax

Tel. +32 2 707 2782
Fax. +32 2 707 2783
Nr. i emergjences: +32 2 707 2782

E-MAIL

mission.nato@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00