Ministri Bushati zhvillon takim me Presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan

Në vijim të vizitës në Turqi, Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati u prit nga Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan.
  
Gjatë takimit, bashkëbiseduesit shprehën vlerësim për punën e kryer drejt thellimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët, si dhe vlerësuan angazhimin mbi punën e nisur për konsolidimin e partneritetit strategjik. Palët vlerësuan rëndësinë e veçantë të marrëdhënieve dypalëshe si dy vende mike,  partnere strategjike në rajon dhe aleate në NATO. 
 
Ministri Bushati dhe Presidenti Erdoğan evidentuan rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fushat e infrastrukturës, energjisë, bujqësisë dhe turizmit, të cilat kanë një impakt të drejtpërdrejtë në ekonominë e vendit dhe forcimin e bashkëpunimit në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë. Presidenti Erdoğan shprehu mbështetjen e pakushtëzuar të Turqisë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe nëpërmjet projekteve konkrete, në kuadër të angazhimeve të Turqisë në rajon.
 
Ministri Bushati dhe Presidenti Erdoğan diskutuan gjithashtu mbi zhvillimet më të fundit në vendet respektive dhe situatën në rajon. Ministri Bushati shprehu solidaritetin dhe mbështetjen e plotë me popullin dhe qeverinë turke lidhur me angazhimin vendosjen e rendit kushtetues në vend. 

Ministri Bushati shprehu interesin e qeverisë shqiptare për vijimin e trendit pozitiv të shtimit të investimeve turke në vendin tonë dhe siguroi se Shqipëria ofron një klimë të sigurt për nxitjen e investimeve turke, nëpërmjet një kuadri ligjor të kompletuar që garanton mbarëvajtjen e tyre. Në takim u bisedua gjithashtu mbi rolin, kontributin dhe nevojat e komunitetit shqiptar në Turqi, atij të hershëm por edhe të ri, si dëshmi e lidhjes tradicionale mes dy vendeve tona.

Adresa

Përfaqësia e Përherëshme e Republikës së Shqipërisë në NATO
B-1110 Brussels- Belgium

Tel / Fax

Tel. +32 2 707 2782
Fax. +32 2 707 2783
Nr. i emergjences: +32 2 707 2782

E-MAIL

mission.nato@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00