Ministri Bushati zhvillon një vizitë pune në Berlin

Ministri i Punëve të Jashtme DitmirBushati zhvilloi një vizitë zyrtare në Republikën Federale Gjermane ku pati një takim me Ministrin gjerman të Punëve të Jashtme, Frank – Walter Steinmeier. 

Gjatë bisedës, Ministrat rikonfirmuan edhe një herë marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Gjermanisë si dhe angazhimin e përbashkët për ta forcuar dhe intensifikuar më tepër këtë bashkëpunim për të gjitha çështjet me interes dypalësh dhe rajonal.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Ministri Bushati u shpreh se: "Do të doja t’ju falënderoja ju dhe Qeverinë gjermane për mbështetjen e pakushtëzuar dhe të pakursyer në procesin e demokratizimit të Shqipërisë dhe në procesin e stabilizimit dhe normalizimit të rajonit tonë. Është fakt që pavarësisht vështirësive me të cilat përballet kontinenti ynë dhe BE në këto kohë krizash, ne e kemi ndjerë nga afër mbështetjen nëpërmjet iniciativave gjermane, kryesisht me Procesin e Berlinit, si për sa i përket normalizimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë, por dhe një ecuri pozitive sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe një ritëm më pozitiv në bashkëpunimin rajonal i demonstruar në Konferencën për Ballkanin Perëndimor në Berlin, në Vjenë dhe së shpejti në Paris. Nuk ka pikë diskutimi për askënd nga ne në rajon se falë lidershipit gjerman, i çiftëzuar dhe i harmonizuar me një lloj dëshire për të ecur përpara, sot per sot rajoni ynë, pavarësisht se përballet me sfidat e shtet-ndërtimit demokratik, ka kaluar disa prej sfidave që kanë të bëjnë me stabilitetin rajonal. I shpreh mirënjohjen serish në emër të popullit shqiptar për mbështetjen, për ekspertizën, për kontributin e taksapaguesve gjermanë në proceset e shtet-ndërtimit demokratik, për ekspertizën që kanë dhënë në reformën në drejtësi që shpresojmë të jetë në fazën e saj finale përpara se të bëhet realitet dhe për asistencën e vyer të agjencive gjermane që kanë dhënë gjatë kësaj kohe në Shqipëri”.

Nga ana e tij, Ministri Steinmeier vlerësoi progresin e bërë nga qeveria shqiptare në adresimin e 5 prioriteteve kyçe në procesin e integrimit evropian, ku evidentoi nevojën për përmbylljen e shpejtë të reformës në Drejtësi, për vetë impaktin e saj në secilin prej prioriteteve dhe në jetën e çdo qytetari shqiptar. Duke u ndalur në zhvillimet më të fundit në rajon, Ministri Steinmeier u shpreh se: "Shqipëria është një partner i rëndësishëm edhe në kontekstin e stabilitetit për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Kush hedh një vështrim këto ditë për nga vendet e rajonit të Ballkanit, nuk do të shohë vetëm se në Serbi janë organizuar zgjedhjet, por edhe në vendin fqinj Maqedoni, pothuajse çdo ditë po shtohen nëpër rruge irritime, protesta dhe konflikte. Prandaj tema Maqedoni na preku shumë sot në mëngjes, dhe për këtë diskutuam së bashku se çfarë mund të bëjmë që të evitojmë konfliktet e mëtejshme të dhunshme në Maqedoni. Që të dy shprehim keqardhjen se përpjekjet intensive nga BE dhe veçanërisht të Komisionerit Hahn, i cili është i angazhuar prej muajsh dite e natë dhe është përpjekur në bisedime me palët në konflikt për të gjetur një zgjidhje dhe garantuar legjitimitetin e zgjedhjeve të ardhshme". 

Në lidhje me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, Ministri Steinmeier u shpreh se: "I dashur Ditmir, më gëzon fakti që kemi një shkëmbim kaq të ngushtë, që ti e kërkon këtë shkëmbim për çështje që janë të aktualitetit në Shqipëri, këto janë përpjekjet për reforma që qeveria jote po ndërmerr prej disa vitesh tashmë, me një angazhim të madh, një sërë reformash ekonomike që janë në rrugë e sipër dhe që e kanë çuar vendin në një stabilitet më të madh ekonomik. Sot në mëngjes, në plan të parë qëndroi ajo pjesë e reformave që është për t’u kryer. Unë e di që Edi Rama dhe ju jeni të angazhuar që pjesa e rëndësishme e reformës në drejtësi të përfundojë. Kur ndërmerren ndryshime në institucione, ka edhe kundërshtime nga vetë ato. Shpreh respekt për gatishmërinë që ekziston në Shqipëri për të tërhequr një ekspertizë sa me të gjerë ndërkombëtare, me qellim që të kryhet një reformë sa më e gjerë e gjyqësorit. Këtë nuk e kemi parë gjithkund, e as nuk e kemi parë kudo në Ballkanin Perëndimor, prandaj besoj se ajo çfarë ju keni arritur përbën një model. Tashmë kjo ka marrë formën e një propozimi të një reforme të balancuar të gjyqësorit dhe tani është momenti që kjo reformë të bëhet realitet. Ne e mbështesim këtë me mundësitë që kemi dhe dua të shpreh qartësisht se reforma në drejtësi është një gur themel për rrugën drejt BE-së. Kjo do të gjejë shprehje edhe në raportet e Komisionit Evropian që prisni. Prandaj, dëshiroj të shpreh vlerësim për atë që është arritur deri tani, si dhe shpresën e mbështetjen që ky propozim për reformë të bëhet realitet në Shqipëri". 
 
Duke iu referuar zhvillimeve më të fundit, sfidave që po përjeton sot Evropa nga terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm, Ministri rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë në luftën kundër tyre, duke dhënë kontributin e saj në këtë luftë të përbashkët përkrah vendeve aleate të NATO-s. Ministri Steinmeier konfirmoi se së shpejti do të vizitojë Tiranën. 

Gjatë vizitës së tij në Berlin, Ministri Bushati zhvilloi një takim me Sekretaren e Shtetit në Ministrinë Federale të Brendshme, Dr. Emily Haber, me Këshilltarët e Kancelares Merkel,  Christoph Heusgen dhe Uwe Corsepius.

Kriza migratore, bashkëpunimi politik dhe policor i Shqipërisë me Italinë dhe Greqinë në këtë kuadër, lufta kundër trafiqeve, situata e rendit në vend ishin fokusi i diskutimit gjatë drekës së punës që Ministri Bushati pati me 

Sekretaren e Shtetit në Ministrinë Federale të Brendshme, Dr. Emily Haber. Ministri Bushati e njohu Sekretaren Haber me angazhimet e Shqipërisë dhe planin e kontingjencave të hartuar nga Qeveria shqiptare në kuadër të përballimit të krizës migratore në bashkëpunim me partnerët evropianë. 

Në takimin e zhvilluar në Kancelarinë Gjermane me Këshilltarin e Kancelares Merkel për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë,  Christoph Heusgen, bashkëbiseduesit u fokusuan në çështjet rajonale, situatë dhe marrëdhëniet mes vendeve të Rajonit si dhe bashkëpunimi në përballjen e sfidave aktuale si migracioni dhe siguria. 

Ndërkaq, procesi i zgjerimit, një pasqyrim i rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE-së, reformat e ndërmarra, zbatimi dhe mbizotërimi i ligjit, vullneti dhe angazhimi politik ishin tema e takimit mes Ministrit Bushati dhe Këshilltarit të Kancelares gjermane, Uwe Corsepius. 

Ministri Bushati ishte i ftuar në aktivitetin e organizuar nga përfaqësues te shoqërisë civile, studiues te marrëdhënieve ndërkombëtare dhe Human Rights Watch. Politika e Jashtme e Shqipërisë, reformat transformuese të vendit në kuadër të integrimit evropian, çështjet aktuale të të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe në Ballkan, si dhe agjenda e Shqipërisë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut, ishin ne fokus të këtij aktiviteti. Ministri iu përgjigj interesit te pranishmeve mbi një sërë çështjesh me interes per Politikën e Jashtme  të Shqipërisë dhe rolin e saj ne rajon.

Në mbyllje të vizitës, Ministri Bushati ishte i ftuar në Komisionin e Çështjeve Evropiane në Bundestag, në një seancë dëgjimore, e  cila drejtohej nga Deputeti Gunther Krichbaum. Gjatë fjalës së tij, Ministri Bushati bëri një prezantim të ecurisë së reformave shtet-konsoliduese në vend,  arritjeve dhe sfidave në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ambicieve dhe perspektivës evropiane të Shqipërisë, angazhimeve dhe përgjegjësive të marra në kuadër të integrimit në BE, rolit të vendit tonë në rajon dhe bashkëpunimit të suksesshëm në kuadër të përballimit të sfidave me të cilat po perballet kontinenti. 

Ministri Bushati iu përgjigj interesimit të deputeteve mbi zhvillimet më të fundit në rajon.

Adresa

Përfaqësia e Përherëshme e Republikës së Shqipërisë në NATO
B-1110 Brussels- Belgium

Tel / Fax

Tel. +32 2 707 2782
Fax. +32 2 707 2783
Nr. i emergjences: +32 2 707 2782

E-MAIL

mission.nato@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00