
Me ftesë të Ministrit të Evropës, Integrimit dhe Punëve të Jashtme të Austrisë, Sebastian Kurz, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, mori pjesë në takimin e 24-t të Këshillit Ministror të OSBE-së, i cili zhvilloi punimet në datat 7-8 dhjetor 2017 në Vjenë, nën kryesinë austriake të OSBE-së.
Në Konferencë morën pjesë 45 ministra nga shtetet pjesëmarrëse të Organizatës.
Në këtë takim, i cili përmbyll kryesinë austriake të OSBE-së, Ministrat u përqendruan në analizën e përpjekjeve të bëra për të zgjidhur konfliktet dhe për të adresuar sfidat në hapësirën e OSBE-së, veçanërisht për zgjidhjen e krizës në Ukrainë dhe përreth saj.
Gjithashtu, në fokus të takimit ishte edhe forcimi ei kapaciteteve të OSBE-së për të nxitur bashkëpunimin, rigjallërimi i dialogut strategjik mbi çështjet e politikave rajonale të sigurisë si dhe forcimi i OSBE-së për të adresuar në mënyrë efektive sfidat e reja globale.
Gjatë fjalës së tij Ministri Bushati u ndal në krizën në Ukrainë, duke i bërë thirrje “të gjitha palëve të zbatojnë me shpejtësi dhe plotësisht marrëveshjet e Minskut dhe të respektojnë angazhimet e tyre”. Duke iu referuar Kosovës, Ministri Bushati theksoi se “OSBE nuk duhet të diskutojë për Kosovën, pa Kosovën, si pjesë e diskutimit”.