Ministri Bushati merr pjesë në Ministerialin e OSBE-së në Potsdam

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati mori pjesë në Ministerialin e OSBE-së, me ftesë të Ministrit të Jashtëm Gjerman, Frank-Walter Steinmeier, në Potsdam, në Gjermani.

Ministeriali i OSBE-së në Potsdam, me temë "Përballja me sfidat e përbashkëta" zhvillohet në një kohë kur siguria në kontinentin tonë po përballet me një serë sfidash si, kriza në dhe përreth Ukrainës, problemeve në Transistria, lufta kundër terrorizmit dhe radikalizmit, si dhe krizat migratore, të cilat nxisin nevojën për më shumë dialog dhe bashkëpunim midis vendeve anëtare të OSBE-së. Ministeriali adresoi çështje të forcimit të sigurisë, parandalimit dhe menaxhimit të krizave, luftës kundër terrorizimit dhe radikalizmit, për krijimin e një mjedisi më të mirë politik e social në rajonin në të cilin vepron organizata. Një çështje me rendësi, që gjeti trajtim në Ministerialin e OSBE-së, ishte edhe ajo e adresimit dhe përballimit të sfidave të paraqitura nga flukset e mëdha migratore në kontinentin tonë.

Ministri i Jashtëm Bushati, në fjalën e tij, evidentoi angazhimin dhe kontributin që jep Shqipëria për forcimin e paqes dhe sigurisë, në rajon, Evropë e më gjerë. Duke shprehur mirënjohjen për rolin dhe kontributin e Gjermanisë në avancimin e mëtejshëm të rajonit tonë, ai u shpreh se “Kryesia gjermane e OSBE-së ka njohur rëndësinë e ndërlidhjes në tejkalimin e barrierave, ku agjenda e ndërlidhshmërisë në Ballkanin Perëndimor mund të shërbejë si shembull për rajonet e tjera të OSBE-së”. “Procesi i Berlinit dhe agjenda e ndërlidhjes rajonale kane rezultuar të jenë një faktor kyç në forcimin e bashkëpunimit politik, ndërtimin e besimit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, theksoi Ministri Bushati.

Duke evidentuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, Ministri Bushati nënvizoi se “Në Samitin e Parisit ne nënshkruam nismën e përbashkët për krijimin e një Zyre Rajonale te Bashkëpunimit Rinor (RYCO), në funksion të ndërtimit të urave të reja, përmirësimit të trendeve të bashkëpunimit në rajonin tonë, për të nxitur dialogun, mirëkuptimin dhe pajtimin mes të rinjve në një rajon ku më pak se dy dekada më parë ka pasur luftë”. 

Adresa

Përfaqësia e Përherëshme e Republikës së Shqipërisë në NATO
B-1110 Brussels- Belgium

Tel / Fax

Tel. +32 2 707 2782
Fax. +32 2 707 2783
Nr. i emergjences: +32 2 707 2782

E-MAIL

mission.nato@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00