Me SHBA dhe aleatët në përballjen me sfidat globale të sigurisë

 

Fjala e Kryeministrit Edi Rama  në Atlantic Coucil:

Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe dua të falënderoj Këshillin Atlantik dhe stafin e tij, që më dhanë mundësinë që të ndaj me ju disa mendime në lidhje me disa nga sfidat më komplekse dhe urgjente të kohës sonë.

Pak javë më parë shënuam 25-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Jam shumë i lumtur dhe i prekur që shoh këtu në publik, disa njerëz që kanë luajtur një rol kryesor për t’i transformuar këto marrëdhënie diplomatike në një lidhje shumë të fortë midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Jam i lumtur që u takova me ish ambasadoren Marisa Lino. Akoma nuk jam takuar me ish ambasadorin Arvizu, të cilin e përshëndes dhe e falënderoj për praninë e tij. Ashtu sikurse dua të falënderoj ambasadorin aktual Donald Lu, i cili është këtu. Është mister sesi ai arrin të jetë dhe këtu dhe aty në të njëjtën kohë, sepse përpara se të vija këtu e pashë në lajme në Shqipëri, vetëm një orë më parë.

25 vjet marrëdhëniesh të spikatura, gjatë së cilëve asistenca e Shteteve të Bashkuara ka qenë shumë e rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë, por mund të them edhe për të gjithë rajonin. Nëse vendet e Europës Adriatike janë sot në paqe dhe punojnë bashkë për të përballuar sfidat e mëdha të kohës, me krizën e refugjatëve gjithashtu, duke mbështetur njëri-tjetrin në rrugën drejt integrimit europian, duke transformuar peizazhin ekonomik dhe politik, kjo i detyrohet jo në masë të vogël, për të thënë më të paktën, angazhimit të Shteteve të Bashkuara dhe është një histori e madhe suksesi e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara.

Kur, përpara se të sulmonte diktaturën në Beograd, Bill Clinton së bashku me Tony Blarin-in thanë se ne do e bëjmë këtë, sepse duam që shqiptarët dhe serbët të jetojnë së bashku në paqe dhe të ndërtojnë një të ardhme të begatë, kjo u duk si një deklaratë shumë utopike. Por ja ku jemi! Gjithçka filloi me atë deklaratë dhe tani duket sikur kanë kaluar shekuj dhe jo pak më shumë se dy dekada.

Vitin e kaluar firmosëm një Deklaratë Partneriteti Strategjik me Shtetet e Bashkuara, me fokus në sigurinë rajonale, energjinë, sundimin e ligjit dhe mirëqeverisjen, veçanërisht tek ekonomia. Dhe arsyeja e vizitës sime në DC këtë javë nuk është vetëm për të vijuar me angazhimet e përbashkëta që morëm vitin e kaluar, por edhe për të diskutuar progresin që Shqipëria ka bërë gjatë muajve të fundit, në lidhje me rrugën tonë drejt Bashkimit Europian dhe për të shkëmbyer pikëpamjet rreth interesit që Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria ndajnë si vende aleate të NATO-s në një mjedis sfidues përsa i përket sigurisë europiane.

Do doja të përqendrohesha tek kjo e fundit, sesi kjo influencon partneritetin transatlantik në përgjithësi, por edhe ofron mundësi për bashkëpunim më të thellë dhe më të fortë. Sikurse të gjithë e dini, klima gjithnjë e më fragmentuar midis shteteve anëtare të BE-së, në lidhje me aftësinë e Europës për të kaluar me sukses sfidat aktuale, ka krijuar shqetësim në Ballkan se çështje të tjera strategjike, siç është zgjerimi i Bashkimit Europian, kanë kaluar në plan dytësor. Në këtë kontekst ekziston rreziku se efektet e krizës ekonomike dhe asaj të sigurisë dhe të refugjatëve në Europë mund të krijojnë instabilitet në Ballkan dhe të sjellin më shumë pasiguri në jug dhe në lindje të Europës.

Për momentin, migracioni është problemi numër një në Europë si në lidhje me sigurinë, ashtu dhe me vlerat. Përgjigja ka qenë e ngadaltë dhe konfuze. Mund të them se nëse dikush do të përpiqej të imagjinonte që Angela Merkel nuk do ekzistonte, atëherë panorama do të ishte akoma më shumë e zymtë dhe përgjigja europiane ndaj kësaj sfide të madhe do të ishte shumë më pak e denjë. Edhe ndërsa flasim, fenomeni mbetet tejet shqetësues për rajonin, pa përmendur shqetësimet që të gjithë ne kemi në lidhje me sigurinë.

Një tjetër shqetësim kyç në Europë është ekstremizmi i dhunshëm. Ai përfaqëson një nga rreziqet më të mëdha, me të cilat paqja dhe siguria mbarëbotërore janë përballur ndonjëherë. Lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm ka nxitur veprim më gjithëpërfshirës për të mundur terrorizmin, jo vetëm nëpërmjet forcës, por edhe duke e çrrënjosur atë. Shqipëria është krenare që është pjesë e kësaj përpjekjeje, duke u angazhuar konkretisht në nivel global, në rajon dhe në vend, si një anëtare e angazhuar e koalicionit anti-ISIS.

Përtej mbështetjes sonë të hershme dhe domethënëse për këtë koalicion, ne kemi marrë masa të tjera, për të luftuar financimin e terrorizmit dhe për të ndalur fluksin e luftëtarëve të huaj terroristë. Dhe na vjen mirë të themi se vitin e kaluar, në 2015-ën, ne nuk kemi pasur asnjë luftëtar të huaj që i është bashkuar ISIS-it në terren. Nëntorin e kaluar, pas konsultimeve me aleatë dhe partnerë, miratuam Strategjinë Kombëtare për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm. Ajo bashkon qeverinë, shoqërinë civile dhe komunitetet fetare, për të përdorur arsimin dhe masa të buta për të parandaluar radikalizmin.

Problemi i ekstremizmit nuk kufizohet vetëm në një ideologji ose besim, ashtu sikurse radikalizmi, ekstremizmi i dhunshëm dhe terrorizmi që bazohen në fe nuk janë një fenomen i ri. Por sot, ne po përballemi me ide të mbështjella me projekte politike, me interpretime të shtrembëruara të Islamit.

Oferta e vetme e të ashtuquajturve besimtarë të DAESH-it është vuajtja dhe vdekja. Mesazhi që terroristët kanë përcjellë, duke kryer akte terroriste anembanë botës, është se ata mund të godasin kudo dhe në çdo kohë. Filozofia e tyre ka për qëllim që të kërcënojë mënyrën tonë të jetesës, të vërë në rrezik arritjet tona dhe të sfidojë kufijtë konvencionalë të shteteve. Mënyra sesi ne do të punojmë për të luftuar idetë e tyre, filozofinë dhe projektin e tyre politik, do të formësojë në shumë mënyra jetët tona dhe të ardhmen tonë të përbashkët.

Ndaj më lejoni t’ju them se është gjithnjë e më e qartë se kjo është një betejë afatgjatë, që sigurisht duhet bërë aty ku ISIS ndodhet dhe vepron, por duhet gjithashtu bërë në zemrat dhe mendjet e njerëzve, mbi të gjitha në zemrat dhe mendjet e të rinjve, e gjeneratave tona të reja, për t’u dhënë atyre mjetet që të mos bien në kurth, kur do iu duhet të ballafaqohen me burime ekstreme të propagandës, qofshin ato nga Lindja, ose nga Perëndimi, sepse ajo me çka ne po përballemi sot është edhe radikalizëm politik i shoqërive tona, që kanë për qëllim të luajnë me nocionet e të qenit mysliman, e të qenit emigrant, e të qenit ndryshe.

Ndaj fatkeqësisht, ashtu si pjesa tjetër e Europës dhe e botës, edhe Ballkani është prekur, ashtu siç është prekur nga fenomeni i ish luftëtarëve. Vendet e koalicionit anti-ISIS kanë adoptuar qasje të ndryshme, duke u përballur me ish luftëtarët që kthehen në vendet e tyre. Përballja me DAESH kërkon forcë, por edhe inteligjencë. Ndaj, ashtu sikurse thashë, ne duhet ta luftojmë atë nga pikëpamja ushtarake, duhet të shkatërrojë makinën e tyre financiare, por, mbi të gjitha, për të fituar këtë luftë kundër terrorizmit, ne duhet të luftojmë rrënjët e ekstremizmit, varfërinë, padrejtësinë sociale, përjashtimin dhe diskriminimin anembanë.

Shqipëria është dhe do të vazhdojë të qëndrojë në anën e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve tanë europianë në këtë betejë. Brenda kufijve tanë, ne kemi luftuar rrezikun ekstremist në mënyra të ndryshme. Të gjendur përballë realitetit të papritur të individëve që i bashkoheshin luftës, ne kemi ashpërsuar së pari legjislacionin, përforcuar punën e agjencive të zbatimit të ligjit dhe e fundit, por jo për nga rëndësia, kemi përfituar mbështetjen e jashtëzakonshme të liderëve fetarë e të gjitha besimeve kryesore në vendin tonë.

Në maj të vitit të kaluar, ne organizuam samitin rajonal për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm. Nëntorin e kaluar miratuam Strategjinë Kombëtare, të cilën jemi duke e zbatuar.

Në Samitin e udhëheqësve kundër ekstremizmit të dhunshëm, të organizuar nga Presidenti Obama, shtatorin e kaluar në Nju Jork, u theksua shumë qartë se, ndërsa masat e sigurisë japin rezultate të shpejta, masat e buta kërkojnë durim, punë të vazhdueshme dhe vëmendje. Një nga këto fusha me rëndësi prioritare është arsimi.   

Ata, të cilët e njohin realitetin tonë, e dinë se ne kemi këtë pasuri të jashtëzakonshme kombëtare, traditën tonë të respektit, mirëkuptimit dhe tolerancës mes besimeve të ndryshme, që ka qenë edhe baza e historisë sonë të lavdishme e shpëtimit të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe që e ka bërë Shqipërinë vendin e vetëm në Europë ku kishte më shumë hebrenjë pas luftës, sesa para luftës. Dhe shumica e tyre janë shpëtuar nga familje myslimane.

Ne jemi krenarë se jemi një shembull ndriçues i tolerancës dhe bashkëjetesës fetare. Kështu ka qenë prej shekujsh dhe në të gjitha kohërat dhe rrethanat dhe ka ushqyer një shoqëri ku njerëzit respektojnë njëri-tjetrin si të barabartë, pavarësisht nga besimi dhe sfondi kulturor. Por nuk duhet ta marrim si të mirëqenë. Nuk duhet ta shohim si diçka që do të jetë kështu, pavarësisht asaj që ne bëjmë ose jo. Është koha të veprojmë dhe të ndihmojmë brezat tanë të rinj që të kuptojnë thellësisht sesa i çmuar është shembulli i Shqipërisë, sa i çmuar është ky komunitet tolerance dhe bashkëjetese fetare dhe çfarë do të thotë kjo, përballë kërcënimeve që kësaj pasurie kaq të rëndësishme kombëtare i vijnë nga anembanë.   

Ne mendojmë se informacioni i duhur, që i përshtatet moshës dhe një diskutim i hapur në klasë do të na ndihmojë që t’u japim fëmijëve dhe brezave tanë të rinj, njohuritë e duhura për t'i rezistuar më mirë urrejtjes së bazuar në fe, për të refuzuar diskriminimin dhe me këtë mënyrë të përforcojmë kohezionin tonë të njohur social.   

Ne jemi duke ngritur një qendër të posaçme, për të krijuar kohezion komunitar dhe për të reduktuar terrin që ushqen radikalizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm, nëpërmjet programeve të përshtatura multidisiplinare.

Kjo është një përpjekje konkrete për të mbrojtur shoqërinë tonë, për të ruajtur kohezionin tonë shoqëror, por edhe për të bërë dallimin e qartë midis radikalizmit dhe ekstremizmit, që nuk ka të bëjë fare me fenë. Kombi është përpjekje, por tërësia e tij, siç Garibaldi e përcakton në bindjet e tij humaniste, është paqja. Jo fitorja, paqja. Paqja e përhershme dhe e pakthyeshme.

Krizat e shumanshme, me të cilat Europa po përballet, kanë theksuar ndërveprimin e përforcuar, do të thoja dhe ndërvarësinë midis Europës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Europa duhet t’i transformojë këto kriza, në një bashkëpunim të zgjeruar me Ballkanin Perëndimor. Në mjedisin e sigurisë, nuk ka dyshim për rëndësinë që ka, edhe për një vend të vogël si Shqipëria, që të jetë në lartësinë e angazhimeve të marra.

Në Samitin e NATO-s në Uells, Shqipëria ka ndërmarrë hapa për të ndaluar rënien në shpenzimet e mbrojtjes dhe për të kthyer trendin. Buxheti ynë i mbrojtjes për vitin 2015 tregon një rritje prej 12%, krahasuar me vitin e kaluar. Buxheti i mbrojtjes i caktuar për investimet është ngritur nga 11% në 20%, për të siguruar aftësinë tonë për të realizuar plane afatgjata dhe kontrata shumëvjeçare. Por, ne jemi po ashtu të vetëdijshëm se disa gjëra nuk mund të merren si të mirëqena.

Progresi i një vendi të Ballkanit Perëndimor është shumë fort i lidhur me stabilitetin dhe sigurinë në rajon. Ndaj, Shqipëria mbetet një mbështetëse e fortë e zgjerimit të NATO-s në Ballkanin Perëndimor, ku NATO duhet të institucionalizojë marrëdhëniet e saj me Kosovën, në një të ardhme të afërt. Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë politikën e dyerve të hapura të NATO-s dhe ashtu sikurse e ka thënë dhe Sekretari Kerry, të udhëheqë vendet e Ballkanit që aspirojnë të anëtarësohen në NATO.

Partneriteti me Shtetet e Bashkuara ka qenë një faktor thelbësor drejt konsolidimit demokratik dhe zhvillimit ekonomike të Shqipërisë, Kosovës dhe të gjithë rajonit. Falë mbështetjes së Shteteve të Bashkuara, Shqipëria ka luajtur një rol dinamik dhe konstruktiv në Ballkanin Perëndimor dhe po falë Shteteve të Bashkuara, ne jemi sot të ankoruar në proceset rajonale, të cilat, shpresojmë, do të bëjnë të mundur që armiqtë të kthehen në miq.

Në fakt, ne ende nuk jemi një rajon nga pikëpamja ekonomike, politike, ose ajo e sigurisë, prandaj ne kemi sot nevojë për Shtetet e Bashkuara më shumë se kurrë. Ashtu sikurse sot kemi nevojë për Bashkimin Europian më shumë se kurrë, sepse më lejoni t’ju them një të vërtetë të thjeshtë, rajoni gjendet në momentin më të mirë politik në historinë e tij, sot jemi në situatën më të mirë, kur vendet e rajonit po bashkëpunojnë dhe dialogojnë normalisht me njëri-tjetrin.

Para dy vjetësh vizitova Beogradin, 68 vjet pas vizitës së fundit të një Kryeministri shqiptar në Beograd. Rrezikuam luftën e tretë ballkanike për shkak të një ndeshje të gabuar futbolli, por i mbijetuam. Edhe Kryeministri serb vizitoi për herë të parë në histori Shqipërinë. Sot, ne mund takohemi pa praninë e gazetarëve dhe mund t’i japim dorën njëri-tjetrin pa qenë nevoja për foto dhe tituj në faqet e para të gazetave në vendet tona. Edhe pse kjo është normalitet, për ne është një arritje e madhe dhe mbi këtë, ne duhet të ndërtojmë të ardhmen.

Ndaj është shumë e rëndësishme të kuptojmë se e gjithë kjo ka ardhur, sepse gjithkush ka qenë i fokusuar në perspektivën e integrimit europian. Kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor, nuk është thjesht çështje zgjerimi, është çështje plotësimi. Nëse 5 vjet më parë, ne kishim nevojë për Europën më shumë seç Europa kishte nevojë për ne, sot është e drejtë të thuash se Europa ka nevojë për Ballkanin, po aq sa Ballkani ka nevojë për Europën. Për të njëjtin qëllim, forcat anti-europiane po përpiqen të thonë pse ky plotësim nuk duhet të ndodhë, për një Bashkim Europian më të sigurt.

Në vitin 1952, intelektuali amerikan Reinhold Niebuhr tha se komuniteti Transatlantik nuk është një kulturë e unifikuar, por një rrugë e përbashkët për ta bërë diversitetin të tolerueshëm në kushte lirie.

Faktikisht, NATO është e përbërë nga kombe që kanë zbuluar rrugën drejt komunitetit, pavarësisht dallimeve. Vetë historia i ka besuar komunitetin Transatlantik detyra të përbashkëta. 25 vjet më parë, këto detyra personifikuan nevojën për të bashkuar mburojat kundër tiranive dhe për të siguruar mirëqenien e popujve tanë në këtë anë të Atlantikut dhe matanë tij. Sot e kësaj dite, komuniteti Transatlantik bashkëndan akoma të njëjtat nevoja, edhe pse fytyra e tiranisë mund të ketë ndryshuar dhe mirëqenia ka marrë një kuptim më të gjerë sesa ai ekonomik.

Anëtarësimi në NATO e ka kthyer Shqipërinë në një shtyllë stabiliteti në Europën Adriatike, një vend që investon për siguri dhe begati në rajon, duke marrë, ashtu sikurse e tha dhe Sekretari Kerry, rolin e udhëheqësit për vendet e Ballkanit që aspirojnë të integrohen në Aleancën Euro-Atlantike.

Ne i jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, partneri ynë strategjik dhe aleatëve të tjerë, pa mbështetjen e të cilëve vendi ynë nuk do të kishte mbërritur deri këtu. E di që e kam thënë edhe më parë dhe jo vetëm një herë, por asnjëherë nuk është mjaftueshëm të përsëris këtë të vërtetë shumë themelore dhe besoj se Shqipëria e ka treguar se ka qasjen e duhur dhe ndjeshmërinë përballë sfidave me të cilat po përballen sot arkitektët e sigurisë në Europë, si edhe me efektet që situata në Europën Juglindore mund të ketë për rajonin tonë.        

Në kontekstin aktual gjeostrategjik dhe ndërsa përgatitemi për Samitin e ardhshëm në Varshavë, Shqipëria është e angazhuar të jetë pjesë e përpjekjeve të Aleancës për një shpërndarje të drejtë të barrës dhe detyrimeve të përbashkëta afatgjata. Ky proces është thelbësor për besueshmërinë e Aleancës dhe qëndrueshmërisë së instrumenteve tona të mbrojtes së përbashkët. 

Ndaj, përpara se t’ju falënderoj, do doja ta mbyll aty ku miku im përfundoi me përshkrimin tim piktoresk. Kështu që pas kësaj fjale, ju e kuptoni pse nuk jam më aq piktoresk.

Faleminderit!     

 

***

Pyetje – Përgjigje:

-Europa është duke u përballur me sfida të shumëfishta. Përballeni me sfidën nga lindja, me sfidën nga jugu, një numër sfidash politike dhe ekonomike, referendumin britanik për të dalë nga Bashkimi Europian. Nga këndvështrimi shqiptar, ku mendoni se duhet të vendoset fokusi, për t’u përballur me atë që ju e quani kriza e shumëfishtë e Europës.

Kryeministri Rama: Të jesh i vogël nuk është gjithmonë një gjë e keqe, sepse për shembull, nuk ke nevojë të udhëheqësh. Mjafton të identifikosh rrugën dhe liderin për të ndjekur. Ne i kemi identifikuar dhe po ndjekim me vendosmëri rrugën e lidershipit amerikan e gjithashtu të lidershipit europian, që meqë ra fjala nuk është gjithmonë e qartë nëse ekziston. Përshembull, nëse marrim rastin e krizës së refugjatëve, kemi një lidership të shkëlqyer të Kancelares Merkel, me gatishmërinë e saj për t’u përballur me krizën duke nënvizuar vlerat më të mira europiane, por nuk mund të themi të njëjtën gjë për Bashkimin Europian si një i tërë.

Ne po shohim gjëra që janë të pabesueshme, në kuptimin e se si disa vende të Bashkimit Europian përballen me këto çështje, me mënyrën se si disa vende europiane janë duke thënë që “po ne i mirëpresim refugjatët, por ata duhet të jenë katolikë”.

Disa vende të tjera të BE-së, thjesht refuzojnë çdo mundësi për të qenë pjesë e një projekti të përbashkët. Kështu që, nëse do të më duhej t’i përgjigjesha shkurtimisht pyetjes suaj se gjëja më dekurajuese në të gjithë këtë situatë komplekse është mungesa e një strategjie të përbashkët të Bashkimit Europian.

 

-Mungesa e një strategjie europiane. Flasim për një NATO strategjike, çfarë roli shihni për Shqipërinë si një forcë në stabilitetin rajonal dhe cilët do të jenë përparësitë tuaja për samitin e NATO-s në Varshavë?

Kryeministri Rama: Përsëri, sfida jonë në këtë drejtim nuk është aq e madhe, përsa kohë që kemi identifikuar rrugën dhe i jemi përkushtuar kësaj rruge. Ne jemi anëtarë krenarë të NATO-s. Jemi gjithmonë të gatshëm për t’ju bashkuar çdo vendimi dhe nisme me forcat tona modeste, por në të njëjtën kohë, ne gjithmonë e kemi bërë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë me të gjithë zemrën dhe mendjen tonë, pasi besojmë që NATO është një forcë e madhe për të mirën e të gjithëve. Ne jemi shumë të kënaqur për ftesën që iu bë Malit të Zi. Është diçka e rëndësishme, pasi do të bëjë rajonin më të fortë dhe më të sigurt, pasi nuk duhet të harrojmë se për herë të parë, gjatë viteve të fundit, në rajon ne duhet të përballemi edhe me aktorë të tretë që nuk ishin në rajon pesë vjet më parë. Aktorë si ISIS dhe islami radikal nga njëra anë dhe Rusia nga ana tjetër. Janë aktorë të tretë shumë të interesuar, të cilët e shohin rajonin si shumë strategjik.

 

-Ju do të takoni Presidentin e SHBA-së dhe Zv/presidentin, nesër. Cila është pritshmëria juaj për këtë partneritet? Është tjetër gjë të shpallësh një partneritet strategjik dhe tjetër gjë t’i japësh kuptim këtij partneriteti. Çfarë synoni të arrini nga ky partneritet, cilat janë çështjet më të rëndësishme që do të diskutoni nesër?

Kryeministri Rama: Pikë së pari, është shumë i rëndësishëm fakti që ne kemi tani një marrëveshje të përbashkët e të dakordësuar të bashkëpunimit strategjik, për të cilën punojmë bashkë. Në të njëjtën kohë, ndonëse jam i gjatë, siç ju e përcaktuat më parë, jam gjithmonë i vetëdijshëm për madhësinë e vendit që përfaqësoj, ndaj nuk pretendoj të ndryshoj apo imponoj diçka. E vetmja gjë, që besoj e pretendojmë me të drejtë, është një angazhim i përhershëm i SHBA-së ndaj Shqipërisë dhe rajonit, sepse siç thashë është një histori e madhe suksesi që nuk duhet të prishet. Është një arritje e madhe mbi të cilën duhet të vazhdojmë të ndërtojmë. Fakti që SHBA-të janë një element kyç në këtë transformim historik të Ballkanit, është një gjë vërtet e madhe për ne. Nga ana tjetër, unë mendoj që mund të bëjmë më shumë. Patëm një ditë më parë një takim të shkëlqyer me Administratoren e Përgjithshme të USAID-it. Mund të bëjmë më shumë ekzaktësisht në luftën ndaj ekstremizmit, e jo vetëm atij të dhunshëm, por edhe ekstremizmit në vetvete, mund të angazhohemi në modele të suksesshme të modernizmit të luftës ndaj korrupsionit, për të bërë vendin tonë dhe vendet tona vende më të mira. Ka shumë për të marrë nga kjo marrëdhënie, mbi të gjitha në kuptimin e dijes. E fundit për nga radha, por jo nga rëndësia, jemi shumë të interesuar për të zhvilluar një marrëdhënie me FBI-në, për të forcuar forcat tona të sigurisë në terma sigurie, në kapacitete hetimore dhe për të qënë më të përgatitur për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe çdo veprimtari të jashtëligjshme, që ka dëmtuar shumë aspiratat e Shqipërisë gjatë këtyre dy dekadave e më shumë.

 

-Ju po rendisni një numër çështjesh, FBI, bashkëpunimi më i ngushtë në fushën e sigurisë, USAID, lufta jo vetëm e ekstremizmit të dhunshëm, por ekstremizmit në përgjithësi. A ka çështje të tjera që do të cilësonit si përparësi në marrëdhënie dypalëshe?

Kryeministri Rama: Ne kemi edhe një aspekt të rëndësishëm, që ka të bëjë me sigurinë energjitike. Për këtë, jemi duke treguar me krenari historinë tonë të suksesit në fushën e energjisë, që ka lejuar vendin që të tejkalojë krizën e vazhdueshme në sektorin energjitik dhe të nisë të luajë një rol të rëndësishëm në rajon. Me interkonjeksionin me Kosovën dhe më pas me Maqedoninë, do të jemi në gjendje që të kemi një rol më të rëndësishëm, por në të njëjtën kohë, e dimë që kjo është gjithashtu pjesë e këtij bashkëpunimi me Qeverinë e Shteteve të Bashkuara, pasi është shumë e rëndësishme që të punojmë së bashku në krijimin e më shumë mundësive për zhvillimin ekonomik, investimet e huaja direkte, investimet amerikane, etj.

 

- Do të doja të bëja një paralelizëm me atë pjesë të botës që mund ta konsiderojmë sot si “Ballkanin e botës”. Ju folët për progresin që po bën Ballkani dhe transformimin e tij, por në krizën e Lindjes së Mesme, cilat janë leksionet që duhen mësuar nga rajoni juaj? Cili është leksioni që duhet të nxjerrë diplomacia amerikane? Ju e keni vlerësuar shumë rolin e SHBA-ve në rajonin tuaj. Kjo do të ishte me shumë vlerë për shumë nga ne që jemi të përqendruar në mendimet tona për Lindjen e Mesme.

Kryeministri Rama: Do të doja të thoja që pyetja nuk ishte dashamirëse për mua, pasi ngre një çështje vërtet shumë të madhe. Nga ana tjetër, më duhet të pranoj qartë se jam krenar që jam kryeministri i një rajoni ku është vërtetuar një sukses i jashtëzakonshëm i politikës së jashtme amerikane. Nuk më takon mua të them se si mund të mësoni nga kjo histori suksesi e diplomacisë amerikane në Ballkan. 

Sa më takon mua, mendoj se njerëzit në Uashington nuk duhet të harrojnë kurrë se sa fantastike është historia jonë dhe se me çfarë ndienjë strategjike nisi dhe përfundoi, nga njëra administratë tek tjera, e kështu me radhë.

Unë mendoj se Ballkani Perëndimor është platforma më e mirë për t’i treguar botës se është e mundur që të kemi demokraci, të drejta të njeriut, të kemi shtete ligjore, në një vend ku ka myslimanë, ku ka të krishterë, ku ka njerëz të vështirë që të urrejnë sepse të duan, e anasjelltas. Në të njëjtën kohë, është një histori suksesi që nuk duhet marrë si e mirëqenë, që nuk duhet prishur, sepse gjithçka nisi kur në fillim ra regjimi komunist dhe më pas, kur një President i madh amerikan mori nismën për të filluar këtë histori suksesi. Por, nisi në një kohë kur fëmijët tanë ishin shumë të vegjël për të mbajtur mend. Kështu që rreziku se ata do ta marrin për të mirëqenë, rreziku që ajo që kemi tani të quhet si diçka që duhet të ishte kështu medoemos është i madh. Rreziku është aty, sepse siç thashë ne nuk jemi më të mirë se paraardhësit tanë, jemi të njëjtët njerëz, të njëjtët shqiptarë, të njëjtët serbë, të njëjtët ballkanikë, por kemi fatin që jetojmë në një situatë tërësisht të ndryshme dhe që të gjithë bashkë duam të integrohemi në Europë.

Sot është më e lehtë për lidershipin e secilit vend për thënë t’i popullit të tij se mbase fqinjët që kemi nuk janë më të mirët që do të donim, por duhet të flasim dhe të punojmë me ta sepse kemi të njëjtin qëllim dhe ne nuk do të jemi një vend i integruar europian nëse nuk do të bëjmë paqe. Tani kemi paqe, por na duhet një paqe që ja vlen ta jetosh, siç një tjetër president amerikan ka thënë. Për ta bërë këtë paqe që të vlejë është shumë e rëndësishme, së pari për të parandaluar që “trampizmi” të mos përfshijë edhe Ballkanin, në kuptimin që nuk mund të largojmë myslimanët, nuk mund të largojmë emigrantët, nuk mund të zbojmë fqinjët e kështu me radhë dhe në të njëjtën kohë, në themelet e kësaj paqe duhet të punojmë së bashku për të bërë të mundur që Ballkani Perëndimor të jetë sa më shpejt pjesë e projektit europian.

 

(Ambasadori i USA në Shqipëri Donald Lu)- Amerikanët dashurojnë basketbollin zoti Kryeministër. A ka diçka për të cilin basketbolli ju ndihmon që të jeni një Kryeministër më i mirë? Për të gjithë ata që nuk e dinë, Kryeministri Rama jo vetëm që ka ndërtuar një fushë basketbolli në ambientet e Kryeministrisë, por ai ka vendosur një kosh basketbolli edhe në zyrën e tij, ndaj edhe mund të gjesh në të ndonjë send të thyer.

Kryeministri Rama: Kjo nuk është një çështje për të cilën do të flas nesër me Presidentin Obama; për fusha basketbolli në institucione apo për mënyrën se si basketbolli të ndihmon të jesh më i mirë se të tjerë.

 

- Ju prekët çështjen e ndikimit rus dhe shpesh herë, kur ndërkombëtarisht flitet për këtë ndikim, Ballkani nuk përmendet. Do të doja të dija mendimin tuaj për mënyrën se si Rusia po përpiqet të influencojë rajonin dhe se çfarë pasojash kjo mund të ketë? Një tjetër pyetje; Shqipëria është shumë e rëndësishme në rajon, por vendet në rajon, përfshi Shqipërinë kanë përjetuar një numër problemesh, që nga koha e tranzicionit, përsa i përket klimës politike. Sa e rëndësishme është, në këndvështrimin tuaj, përballja me këto dy probleme?

Kryeministri Rama: Pikë së pari, mund të them vetëm se ka një qasje më aktive të Rusisë në rajon. Ka një tentativë të qartë për të ushtruar një lloj ndikimi.  Nuk them se është e njëjta tentativë në të gjithë vendet, por në disa shtete po bëhet gjithmonë e më e dukshme. Nga ana tjetër, ne duhet të përballemi si vende të rajonit me një sfidë që ka të bëjë me të shkuarën tonë, një sfidë që unë thjesht do ta lidhja me shpejtësinë e integrimit të ish-vendeve komuniste. Është interesante, në këndvështrimin tim, për të parë se si shpejtësia e integrimit të vendeve komuniste është përcaktuar nga e shkuara e tyre. Vende si Polonia, Republika Çeke, Sllovakia, sa për të përmendur disa që iu bashkuan Europës më shpejt, janë vende që e patën më të lehtë për të gjetur pikë lidhje me të shkuarën e tyre, përsa i përket institucioneve, akademive, rrjeteve fetare, etj. Për vende si Rumania dhe Bullgaria, që ishin të fundit që u integruan dhe që trajtohen sot ndonjëherë si “delet e zeza” të procesit të integrimit, integrimi ishte më i vështirë sepse gjetja e pikëlidhjeve me të shkuarën ishte më e vështirë, pasi shteti dhe institucionet që i bëjnë njerëzit të jetojnë në një mënyrë të organizuar ishin shumë më të dobët. Kështu që, nëse për Poloninë, integrimi në Bashkimin Europian ishte një lloj kthimi në të shkuarën e saj, për vendet e Ballkanin Perëndimor është një rrugëtim drejt një destinacioni ku nuk kemi qenë kurrë më parë, sa i takon institucioneve dhe organizimit. Kjo përcakton gjithashtu sfidat me të cilat përballemi. Nëse sot duhet të përballemi me sfida si korrupsioni apo mungesa e vullnetit për t’ju bindur ligjit, kjo ka të bëjë me mungesën e modernizmit. Ndaj, ne duhet të modernizohemi. Sa më modern të jetë një vend, aq më pak hapësirë ka për korrupsionin dhe aq më shumë vullnet ka për zbatimin e ligjit.

Përsa i përket klimës politike, ne jemi këtu në Uashington dhe ky nuk është një vend ku ne, ose të paktën unë, nuk ndihem i turpëruar përsa i përket jetës sonë politike. Për të folur troç, unë mendoj që nëse ka diçka që nuk duhet marrë shembull nga Uashingtoni, ajo do të ishte mënyra se si partitë merren vesh për të mirën e vendit. Kjo është diçka të cilën nuk mund ta mësojmë në Uashington, pasi asnjë republikan apo demokrat nuk mund të thotë se sa shumë e duan njëri-tjetrin dhe se sa të gatshëm janë të bashkohen rreth kauzave të rëndësishme. Unë nuk jam krenar për jetën tonë politike, në pikëpamjen se sa konfrontuese është.

 

Do të doja të drejtoja pak vëmendjen tek lufta e brendshme ndaj ekstremizmit dhe tek mundësia që Shqipëria ka për të prezantuar një model të bashkëjetesës fetare. A mund të tregoni pak më shumë, se çfarë po bën Shqipëria në lidhje me këtë çështje? Ju përmendët edukimin, si një mjet të rëndësishëm për të luftuar ekstremizmin e brendshëm. Kjo më duket shumë interesante dhe e shoh si një model për vendet e tjera.

Kryeministri Rama: Të falenderoj për pyetjen, e cila lejon të shpjegohet më mirë diçka që mund të keqkuptohet lehtë, kryesisht në shtëpi, sepse jashtë vendit është e mirëkuptuar dhe e gjithëmbështetur. Meqë ra fjala, ne patëm një bisedë shumë të frytshme me Administratoren e Përgjithshme të USAID-it, Gayle Smith mbi mënyrat se si mund të punojmë së bashku për këtë. Është shumë e thjeshtë, më lejoni t’ju them se sa e lehtë është. Pati një sulm terrorist, ku shumë njerëz të pafajshëm u masakruan në qendër të Parisit. Pas kësaj, një numër njerëzish thanë se terroristët ishin myslimanë dhe se për këtë arsye duhet të mbyllen kufinjtë, nuk duhet të lejojmë myslimanët që të bëhen nënshtetas, e kështu me radhë. Papritmas, sondazhet tregojnë se këta njerëz kanë fituar më shumë mbështetje. Si mundet të ndodhë kjo? Si ka mundësi që në një vend aq të qytetëruar, aq të shndërritshëm si Parisi, këta njerëz të fitojnë më shumë mbështetje? Për ta thënë të gjithën, sepse është e pamundur të mos e thuash, si mundet që Donald Trump të jetë dikush, që mund të fitojë emërimin për president të partisë që nxorri President Ronald Reagan? Në këtë moment e kupton që ka një hendek të madh dijesh dhe se ka një hapësirë të madhe ku injoranca, mungesa e dijeve rreth koncepteve të thjeshta mbi besimet dhe mbi besimin e të tjerëve ka krijuar një tokë pjellore për këtë lloj politikë dhe për këtë lloj radikalizimi. Kjo krijon një efekt zinxhir, sepse radikalizimi nga brenda i jep të drejtë atyre që janë në anën e armiqve, pasi pas kësaj ka më shumë muslimanë që ndihen të ofenduar, të frustruar, të margjinalizuar, që ndonëse nuk kanë menduar kurrë të bëjnë diçka ndaj vendit ku jetojnë, në atë moment fillojnë ta mendojnë. Kështu që, është si një efekt zinxhir i krijuar nga injoranca, nga mungesa e dijeve. Kjo është e pamundur të luftohet thjesht me joshjen e parimeve demokratike, si respekti për njëri-tjetrin, etj. Këto tingëllojnë në veshin e radikalëve si “bla bla bla”. Është shumë më e dobishme që njerëzve t’u jepen mjetet për të kuptuar, për të mos qenë injorantë kur dëgjojnë mbi myslimanizmin, mbi krishtërimin, mbi profetë, mbi librat e shenjtë. Ata duhet të kenë një instrument për të thënë: “Prit një minutë, fakti që terroristët vinin nga vende myslimane, nuk do të më bëjë mua që të urrej të gjithë myslimanët në botë”.

Adresa

Përfaqësia e Përherëshme e Republikës së Shqipërisë në NATO
B-1110 Brussels- Belgium

Tel / Fax

Tel. +32 2 707 2782
Fax. +32 2 707 2783
Nr. i emergjences: +32 2 707 2782

E-MAIL

mission.nato@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00