Komandot shqiptare nisen me mision në Afganistan.

Një kontingjent i Batalionit Komando të Forcave të Armatosura shqiptare u nis me mision paqeruajtës në Afganistan, në kuadër të kontributit të FARSH në operacionin e NATO-s “Resolute Support Mission”. Në ceremoninë e zhvilluar në mjediset e Batalionit të Forcave Speciale në Zall – Herr, ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, zëvendësministri i Mbrojtjes, z. Petro Koçi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-ve, gjeneralmajor Jeronim Bazo, ambasadori turk në Shqipëri, z. Hidayet Bayraktar, komandantët e forcave, familjarë të ushtarakëve që nisen në mision, etj.
Në fjalën e saj, ministrja e Mbrojtjes tha se Shqipëria me politikat e saj gjithë këto vite ka treguar se di të jetë një fqinj i mirë dhe një aleat i denjë krah NATO-s. Zonja Kodheli falenderoi ushtarakët për punën e tyre përgatitore dhe përgëzoi titullarët e tyre për transparencën e treguar në përzgjedhjen e ushtarakëve. “Jo më kot Ministria e Mbrojtjes renditet e para në besimin që qytetarët shqiptarë kanë dhe në transparencën që Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura tregojnë”. – tha ministrja Kodheli, e cila këtë herë zgjodhi një mënyrë të veçantë për të përshëndetur trupat pjesëmarrës në mision, duke i uruar personalisht të gjithë në emër.
Në fund të fjalës së saj, ministrja Kodheli përshëndeti edhe familjarët e ushtarakëve që nisen në mision duke i siguruar ata se kanë në shtëpitë e tyre djemtë më të mirë që shoqëria shqiptare mund të ketë.
Ambasadori i Turqisë në Shqipëri, z. Hidayet Bayraktar, në fjalën e tij përshëndetësë tha se FA turke dhe FA shqiptare, kanë rritur performancën e tyre në fushën e mbrojtjes, duke treguar lidhjen e ngushtë mes popujve tanë, mbështetur në lidhjet vëllazërore në shekuj. Ai  e vuri theksin tek rreth 6 mijë ushtarakët e FA shqiptare, të cilët gjatë kësaj periudhe janë trajnuar me afate të shkurtra apo të gjata në Turqi, ose në Shqipëri nga FA turke. Z. Bayraktar shprehu bindjen e tij se kjo njësi e re që do të niset për Kabul, do t’i përmbushë më së miri detyrat e saj ashtu si edhe tre kontigjentet e mëparshme.
Kontigjenti i katërt paqeruajtës i FA shqiptare do të shërbejnë për një periudhë 6 - mujore në Afganistan dhe do të veprojnë në përbërje dhe varësi të Komandës Rajonale turke në Kabul.

Adresa

Përfaqësia e Përherëshme e Republikës së Shqipërisë në NATO
B-1110 Brussels- Belgium

Tel / Fax

Tel. +32 2 707 2782
Fax. +32 2 707 2783
Nr. i emergjences: +32 2 707 2782

E-MAIL

mission.nato@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00