Kodheli në Ministerialin e NATO : Shqipëria e vendosur për të kontribuar në Egje dhe Irak

Projektimi i stabilitetit është një nga temat kryesore të Takimit të ministrave të Mbrojtjes të vendeve të NATO që po zhvillohet në Bruksel. Në këtë prizëm, ministrat e Mbrojtjes u ndalën në aktivitetet detare në detin Mesdhe, iniciativa e NATO për krijimin e kapaciteteve të mbrojtjes dhe trajnimit në Irak, etj.

Ministrja Kodheli duke u ndalur në operacionet detare në Mesdhe, bëri me dije se vendi ynë ka përfunduar procedurat ligjore kombëtare dhe është në përfundim të organizimit të mbështetjes logjistike për dërgimin së shpejti të një anije patrulluese nga Forca jonë Detare në misionin e NATO në detin Egje.

Gjithashtu, ajo u tregua pozitive mbi rolin që duhet të ketë Aleanca në Mesdheun Qendror, në kuadër të operacionit “Sea Guardian”, duke mbështetur dhe koordinuar me operacionin detar të BE në këtë zonë, “Sophia”. Kjo edhe në përgjigje të kërkesës të zyrtarëve të Bashkimit Evropian, për mbështetje. “Në gjykimin tonë, kontributi i Aleancës në këtë rajon i shërben projektimit të stabilitetit, por njëkohësisht mbështet dhe rritjen e bashkëpunimit NATO - BE”, - theksoi ministrja Kodheli. 

Për sa më lart, ministrat ranë dakord për vijimësinë e aktivitetit detar në detin Egje, si dhe për të mbështetur operacionin detar të BE “Sophia”.

Në lidhje me Irakun, ministrja e Mbrojtjes falënderoi sekretarin e Përgjithshëm të NATO, z. Stoltenberg dhe stafin e tij, të cilët kanë adresuar me palën irakiane disa nga shqetësimet tona të ngritura gjatë Ministerialit të qershorit lidhur me disa pengesa “ligjore/procedurale” për të kontribuar në Irak. “Shqipëria mbetet e vendosur dhe është duke koordinuar me vendet aleate për të kontribuar me personel, në kuadër të koalicionit global kundër ISIS, Inherent Resolve. Gjithashtu, vendi ynë do të shqyrtojë dhe mundësitë për të kontribuar në Irak, nën ombrellën e NATO.” - u shpreh znj. Kodheli

Ministrat e Mbrojtjes miratuan udhëzimet dhe drejtimet kryesore për krijimin e kapaciteteve të mbrojtjes dhe trajnimit në Irak.

Në fund të fjalës së saj, znj. Kodheli u shpreh se në ditët në vijim pritet të dërgohet kontingjenti shtesë në Herat, Afghanistan, duke e dyfishuar prezencën tonë aktuale në misionin “Resolute Support”. Gjithashtu, ajo bëri me dije se vendi ynë ka marrë vendimin që të dyfishojë dhe prezencën në KFOR, në Kosovë, duke filluar nga viti 2017.

Adresa

Përfaqësia e Përherëshme e Republikës së Shqipërisë në NATO
B-1110 Brussels- Belgium

Tel / Fax

Tel. +32 2 707 2782
Fax. +32 2 707 2783
Nr. i emergjences: +32 2 707 2782

E-MAIL

mission.nato@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00