Iniciativa DECI mbledh Shefat e Shtabeve në Tiranë në konferencën e shtatë të saj

Shefat e Shtabit të Italisë, Hungarisë, Sllovenisë, Kroacisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë, janë takuar në Tiranë, në një konferencë në kuadër të Defence Cooperation Iniciative (Inciativa DECI). Qëllimi i saj është rritja e bashkëpunimit dhe shtimit të kontributeve në Aleancë dhe në Bashkimin Evropian.



Në takimet që po zhvillohen, po diskutohen sfidat me të cilat ndeshet aktualisht rajoni, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me radikalizmin ideologjik dhe atë fetar, migrimin masiv ilegal, paqëndrueshmërinë ekonomike etj.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku gjatë fjalës së tij të hapjes i njohu pjesëmarrësit në konferencë me sfidat me të cilat po përballet rajoni “Tensionet e paparashikueshme, imigrimi ilegal, ekstremizmi i dhunshëm, radikalizmi dhe influencat e jashtme në rajon, kërkojnë mirëkuptim dhe bashkëpunim të përbashkët si dhe një qasje të koordinuar, për të përballuar sfidat me të cilat po përballemi”. - tha Kollçaku.



Ndërsa shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Republikës së Italisë, gjeneral Claudio Graziano, pasi falënderoi gjeneral brigade Kollçakun për mikpritjen, theksoi rëndësinë e këtij takimi në kuadrin e plotësimit të mungesave në kapacitete me të cilat NATO po përballet aktualisht.

Në përfundim të punimeve të konferencës, u nënshkrua “Deklarata e Përbashkët”, në të cilën u pasqyruan arritjet e deritanishme nga vendet e Iniciativës, si dhe angazhimet e mëtejshme në kuadër të rritjes së bashkëpunimit dhe shtimit të kontributeve ushtarake në Aleancë dhe BE.



Kjo është hera e shtatë që shefat e shtabeve mblidhen për të diskutuar në kuadër të kësaj iniciative dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku është mikpritësi i homologëve të tij.

Adresa

Përfaqësia e Përherëshme e Republikës së Shqipërisë në NATO
B-1110 Brussels- Belgium

Tel / Fax

Tel. +32 2 707 2782
Fax. +32 2 707 2783
Nr. i emergjences: +32 2 707 2782

E-MAIL

mission.nato@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00