Fjala e Ministrit Bushati në Asamblenë Parlamentare të NATO-s

Situata e Sigurisë në Ballkanin Perëndimor

 

E shtunë, 28 Maj 2016

 

Të dashur anëtarë të Asamblesë Parlamentare të NATO-s,

Të dashur kolegë,

 

Është kënaqësi e veçantë të flas teksa vendi im mirëpret këtë aktivitet të rëndësishëm, sepse, ndër të tjera, na jepet mundësia të tregojmë disa vlera themelore shqiptare si mikpritja, bujaria dhe besa. Në kohët që po jetojmë, është me rëndësi të mos harrojmë vlerat të cilat na kanë bashkuar në këtë besëlidhje: demokracia, liria individuale, të drejtat e njeriut dhe sundimi i së drejtës.   

Për Shqipërinë, anëtarësimi në NATO ishte rezultat i demokratizimit të vendit – jo thjesht investim në interesa, por në vlera – dhe mbi të gjitha, shprehje e përkatësisë euro-atlantike të shqiptarëve.

7 vjet anëtarësim në NATO e kanë shndërruar Shqipërinë në një aktor të rëndësishëm rajonal që ka ndjeshmërinë e duhur ndaj sfidave me të cilat përballet sot arkitektura e sigurisë evropiane. Nga ana tjetër kemi treguar se jemi anëtarë të besueshëm duke dhënë kontributin tonë në konflikte përtej kufijve të kontinentit tonë.

Angazhimi ynë nëpërmjet misioneve të NATO-s, BE-së  dhe OKB-së në Kosovë, Afganistan, Bosnje-Hercegovinë dhe në Republikën e Malit është dëshmi e seriozitetit dhe përgjegjshmërisë.

Është kjo frymë, që na nxit të vijojmë kontributin tonë në Afganistan, duke e dyfishuar këtë vit nivelin e pjesëmarrjes në Misionin “Rezolutë Suport” (RSM).

Po kështu, në përputhje me angazhimet tona në Uells, kemi rritur buxhetin për shpenzimet e mbrojtjes me 12% krahasuar me 2015.

 

Të nderuar kolegë,

Sfidat aktuale ndaj sigurisë Euro-Atlantike, si dhe nevoja për t'iu përgjigjur kërcënimeve nga Lindja dhe Jugu pritet të karakterizojnë agjendën e Samitit të Varshavës në korrik.

Në skajin lindor të NATO-s, agresioni rus ndaj Ukrainës ka vënë në diskutim stabilitetin e Evropës dhe ka influencuar qasjen tonë ndaj sigurisë dhe marrëdhëniet e Aleancës me Rusinë. Veprimet e kësaj të fundit në arenën ndërkombëtare vazhdojnë të mbeten shqetësuese.

Për këtë arsye, Aleanca duhet të jetë vendosmërisht e fortë në politikat e saj të mbrojtjes, shkurajimit dhe dialogut. Në Samitin e Uellsit, vendosëm të forcojmë gatishmërinë për t’ju përgjigjur sfidave të reja të sigurisë. Zbatimi i vendimeve të Samitit të Uellsit do të rrisë edhe më tej gatishmërinë dhe kapacitetet e NATO-s për t'iu përgjigjur kërcënimeve dhe sfidave të sigurisë.

Por, krahas zbatimit të  plotë të Planit të Masave për Gatishmërinë (RAP), ne dëshirojmë që në Samitin e Varshavës, NATO të forcojë më tej aftësitë për t’u përballur me kërcënimet në skajin e saj Jugor, të rrisë përpjekjet detare në Mesdhe, të adresojë aftësitë kundërshtuese ruse në rritje dhe të gjejë  mënyra të reja për të forcuar aftësitë mbrojtëse të vendeve partnere.

Sulmet terroriste në Ankara, Bruksel dhe Paris mbeten një kujtesë tragjike e sfidave të rënda që vijnë nga Daesh dhe nga ekstremizmi i dhunshëm. Këto sfida na rikujtojnë gjithashtu ndërvarësinë ndaj njëri-tjetrit, ndërlidhjen mes sigurisë kombëtare më atë ndërkombëtare sepse nuk ka dyshim se siguria jonë varet edhe nga stabiliteti i të tjerëve. 

Për t’iu përgjigjur më mirë sfidave të tilla, si fenomeni i Luftëtarëve të Huaj dhe radikalizimit, është vendosur të hapet në Shqipëri Qendra e Ekselencës, e cila do të fokusohet në ndërtimin e një ekspertize të rëndësishme për adresimin e këtij fenomeni. Ekspertiza që do të përftohet do të vihet në funksion të institucioneve të tjera për hartimin e programeve sociale, edukative dhe ekonomike.

Rreziqet që vijnë nga Jugu nuk mund të luftohen vetëm duke vepruar militarisht. DAESH është një simptomë e destabilitetit, prandaj ne si Aleancë duhet të kontribuojmë fort që të sigurojmë stabilitetin dhe sigurinë e këtij rajoni. Nisma e “projektimit të stabilitetit” (Projecting stability), që kërkon më shumë kapital politik dhe resurse financiare e njerëzore, mund të jetë një kontribut me vlerë në këtë drejtim.

Kërcënimet aktuale theksojnë edhe më shumë nevojën absolute për një spektër më të gjerë bashkëpunimi midis NATO-s dhe BE-së. Kjo e fundit është partner i natyrshëm strategjik i NATO-s dhe ne fuqimisht mbështesin bashkëpunimin e institucionalizuar midis dy organizatave me rezultate konkrete. Sinergjia midis NATO-s dhe BE-së është me rëndësi të vecantë për rajonit tonë.

Unë jam i bindur se deklarata e përbashkët që pritet në Samitin e ardhshëm të Varshavës do të jetë një element thelbësor për një nivel të ri më të lartë të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit midis dy organizatave.

Ky nivel i ri bashkëpunimi ka gjetur shprehje tashmë edhe në vendimin e NATO-s për vendosjen e anijeve në Detin Egje për të mbështetur vendet aleate, Greqinë dhe Turqinë, si dhe agjencinë e BE-së, Frontex, në përpjekjet e tyre për të përballuar krizën e refugjatëve dhe emigrantëve.

Ky vendim ka pasoja edhe për rajonin tonë, Ballkanin Perëndimor, që përbën një pikë fokale konvergjence të bashkëpunimit bashkëpunimit NATO-BE.

NATO dhe BE-ja janë aktorë thelbësorë në fushën e sigurisë dhe demokracisë në Ballkanin Perëndimor. Nëpërmjet proceseve dhe agjendave të tyre respektive të zgjerimit, të dy organizatat kanë treguar praktikisht se mund të bashkëpunojnë me sukses në nxitjen e qenësishme të ecurisë së përbashkët të rajonit drejt integrimit të tij të plotë euro-atlantik.

Në Ballkanin Perëndimor NATO mbetet aktor i pazëvendësueshëm në fushën e sigurisë  dhe për këtë arsye, Shqipëria e ka mbështetur dhe vazhdon të mbështes në mënyrë të vendosur dhe aktive politikën e dyerve të hapura të NATO-s.

Në Samitin e Uellsit, vendet aleate ripohuan rëndësinë strategjike të rajonit tonë për NATO-n, dhe ne besojmë se kjo rëndësi strategjike duhet të ritheksohet edhe në Varshavë.

Në Ministerialin e NATO-s vetëm pak ditë më parë, u nënshkrua Protokolli i Anëtarësimit të Malit të Zi. Anëtarësimi i fqinjit tonë është me rëndësi gjeostrategjike jo vetëm për Aleancën, por për të gjithë rajonin. Ai rrit stabilitetin në Europën Adriatike, kufizon ndikimin e aktorëve të tretë dhe redukton "zonat gri" të sigurisë në këtë rajon.

Është e rëndësishme që Maqedonia fqinje t’i bashkohet NATO-s, pasi autoritetet maqedonase të kenë marrë hapat e duhur në  zgjidhjen e krizës së brendshme politike dhe forcimin e sundimin të ligjit dhe të demokracisë në vend. Veçanërisht i rëndësishëm në këtë kontekst  është vazhdimi i përpjekjeve për një shoqëri multi-etnike plotësisht funksionale të bazuar në zbatimin e plotë dhe efektiv dhe cilësor të Marrëveshjes së Ohrit.

Ne dëshirojmë ta shohim Bosnje-Hercegovinën të avancojë më tej me çështjen e ndërlikuar të pronave të paluajtshme të Mbrojtjes, veçanërisht në Republika Serpska, në mënyrë që vendet aleate të mund të aktivizojnë pa vonesë ciklin e saj të parë të MAP-it.

Në të njëjtën kohë, ne mbështesim partneritetin e NATO-s me Serbinë dhe fokusin e këtij partneriteti mbi reformat institucionale dhe ato të mbrojtjes.

Përsa i përket Kosovës, ne besojmë se një rrugë e qartë dhe e mirëpërcaktuar për Kosovën drejt proceseve integruese, si në BE ashtu dhe NATO, si dhe ngushtimi i hendekut integrues mes Kosovës dhe vendeve të rajonit, janë parakushte për të patur një siguri të qëndrueshme dhe stabilitet në rajonin tonë.

 

Ju falemnderit!

Adresa

Përfaqësia e Përherëshme e Republikës së Shqipërisë në NATO
B-1110 Brussels- Belgium

Tel / Fax

Tel. +32 2 707 2782
Fax. +32 2 707 2783
Nr. i emergjences: +32 2 707 2782

E-MAIL

mission.nato@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00