Bushati takon Rikevics: Letonia mbështet hapjen e negociatave për Shqipërinë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, në kuadër të një turi rajonal në vendet Baltike, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Letoni.

Gjatë takimit me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Letonisë, Edgar Rinkevics, ministri Bushati diskutoi për bashkëpunimin mes dy vendeve dhe rëndësinë e gjallërimit të bashkëpunimit ekonomik.

Ministrat i kushtuan vëmendje të veçantë procesit të integrimit evropian, impaktit transformues që ka politika e zgjerimit në vendet e rajonit të Ballkanit, përfshirë sigurinë e tij. Ministri Bushati e njohu kolegun e tij me procesin e reformave në Shqipëri, me fokus reformën në drejtësi dhe masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në plotësimin e 5 prioriteteve kryesore në procesin e integrimit, me fokus hapjen e negociatave për anëtarësim.

Ministri Rinkevics konfirmoi qëndrimin mbështetës të Letonisë për një vendim pozitiv për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE të Shqipërisë gjatë këtij viti.

Ministrat diskutuan edhe mbi situatën në rajon. Ministri Rinkevics vlerësoi rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor si faktor i qëndrueshëm stabiliteti dhe bashkëpunimi rajonal.

Gjatë takimit, ministrat shkëmbyen mendime për çështjet e sigurisë globale me të cilat po përballet Evropa dhe bota. Ministrat Bushati dhe Rinkevics vlerësuan bashkëpunimin dhe rolin e vendeve të tyre, edhe si vende anëtare të NATO-s, në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, ISIS dhe rolin e aktorëve të tretë në krizat rajonale.

Gjithashtu, Ministri Bushati zhvilloi një takim me kryetaren e Saeima-s letoneze, Inara Murniece, me kryetaren e Komitetit për Punët e Jashtme, Lolita Cigane, të cilat i njohu me progresin dhe aspiratat e Shqipërisë drejt BE-së. Gjatë qëndrimit në Letoni, Ministri Bushati zhvilloi një vizitë në bazën ushtarake të NATO e FP, në Adazi, ku po shërben kontingjenti i dytë i FARSH, me një togë EOD me 18 ushtarakë.

Adresa

Përfaqësia e Përherëshme e Republikës së Shqipërisë në NATO
B-1110 Brussels- Belgium

Tel / Fax

Tel. +32 2 707 2782
Fax. +32 2 707 2783
Nr. i emergjences: +32 2 707 2782

E-MAIL

mission.nato@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00