9 KOR 2016 -- Zhvillohen punimet e Samitit të NATO-s në Varshavë

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati mori pjesë në punimet e Samitit të Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të vendeve anëtare të NATO-s, që po zhvillon punimet në Varshavë, ne 8-9 korrik 2016.
Delegacioni ynë në këtë Samit, në cilësinë e vendit aleat, u kryesua nga Kryeministri Rama, me pjesëmarrjen e Ministrit të Punëve të Jashtme Bushati dhe të Mbrojtjes Kodheli.
Në rrafshin politik, ky Samit është i një rëndësie të veçantë për Aleancën, pasi zhvillohet në një moment kritik të përballjes me sfida serioze për sigurinë euro-atlantike, nga Lindja dhe Jugu. 
Në këndvështrimin strategjik, Samiti i Varshavës u fokusua në trajtimin me përparësi të forcimit të mbrojtjes kolektive dhe shkurajimit, si dhe projektimin e stabilitetit në hapësirën euro-atlantike dhe rreth saj.
Në takimin e parë të tyre, Kryetarët e Shteteve dhe qeverive të vendeve aleate trajtuan temën e shkurajimit dhe mbrojtjes së NATO-s kundër kërcënimeve dhe sfidave të sigurisë me të cilat përballet aleanca. Në këtë takim, fokusi i diskutimeve u vu mbi vënien në jetë të vendimeve të Samitit të mëparshëm të Aleancën në Uells, i cili ndërmori planet për përforcimin e mbrojtjes kolektive të NATO-s që prej Luftës së Ftohtë. Duke njohur nevojën për më shumë shkurajim dhe parandalim në Lindje, vendet anëtare të NATO-s ranë dakord për të zgjeruar më tej praninë ushtarake të aleancës në pjesën lindore të saj, nëpërmjet vendosjes së katër batalioneve shumëkombëshe në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni. Ky vendim përbën një kontribut të qenësishëm per mbrojtjen dhe sigurinë kolektive të vendeve të Aleances si dhe njëherësh një sinjal të qartë vendosmërie në kuadër të angazhimit për mbrojtje kolektive.
Në fjalën e tij në Samit, Kryeministri Rama u shpreh se: ‘Shqipëria mbetet e angazhuar në përmbushjen e të gjitha angazhimeve e detyrimeve të saj buxhetore si anëtare e NATO-s, sikundër ajo qëndron fort krah aleancës në përmbushjen e misionit te saj’.
Në darkën e tyre të punës, Kryetarët e Shteteve dhe qeverive të vendeve të NATO-s, trajtuan tematikën e projektimit të stabilitetit kryesisht në Lindje si dhe u ndalën në mënyrë specifike mbi bashkpunimin e NATO-Rusi.
Në vijimësi, vendet aleate trajtuan edhe bashkëpunimin e Aleancës me vendet partnere në Evropë, në rajonet e Balltikut dhe Detit të Zi, si dhe në rajonin e Ballkanit Perendimor, si dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në funksion të përballimit të sfidave të sigurisë.   
Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve aleate zhvilluan një takim me Gjeorgjinë, në suazën e Këshillit NATO-Gjeorgji. Në këtë takim, Ministrat e Punëve të Jashtme aleatë vunë në fokus të diskutimeve të tyre adresimin e çështjeve të sigurisë rajonale, si dhe trajtuan kuadrin e përgjithshëm të marrëdhënieve NATO-Gjeorgji, përfshirë zbatimin e qenësishëm në paketës së NATO-s për Gjeorgjinë duke theksuar se kjo paketë syon të forcojë më tej aftesitë mbrojtëse të këtij vendi të rëndësishëm partner të NATO-s. Ministri Bushati theksoi se: ‘Shqipëria mbështet integritetin, sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Gjeorgjisë, reformat e ndërmarra nga Qeveria gjerogjiane në funksion të integrimit euro-atlantik të vendit’.

Adresa

Via San Martino 10 - 20122
Milano, Italy

Tel / Fax

Tel.+ 39 02 8051265
Urgenza 14:00-20:00
Tel.+39 3497834666

E-MAIL

consulate.milan@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 14:00