3 Qershor 2016 -- Zhvillohet në Prishtinë Mbledhja e tretë e Përbashkët ndërmjet Qeverisë së Rep. së Shqipërisë dhe Kosovës

U zhvillua në Prishtinë Mbledhja e tretë e Përbashkët ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, e bashkëdrejtuar nga Kryeministri i  Kosovës Isa Mustafa, dhe  Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.
Të dy Kryeministrat shprehën kënaqësinë për marrëdhëniet strategjike, të shkëlqyera dhe vëllazërore midis dy vendeve, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dypalësh për të thelluar ndërveprimin politik, ekonomik, social dhe kulturor dhe për të avancuar procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, si projekt themelor përbashkues i hapësirës shqiptare në shërbim të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit.
Mbledhja e tretë e përbashkët e dy qeverive vjen pas një praktike tashmë të konsoliduar të mbledhjeve të mëparshme të mbajtura në Prizren dhe Tiranë. Në mbledhjen e sotme u evidentuan arritjet e deritanishme dhe u diskutua për gjetjen e mekanizmave të rinj për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara, lehtësimin e procedurave dhe përmirësimin e klimës së biznesit, duke synuar unifikimin e tregut midis dy vendeve, përmirësimin e shërbimeve, infrastrukturës, rritjen e import-eksportit, etj. Në këtë mbledhje u nënshkruan disa marrëveshje, memorandume në vijim të plotësimit të kuadrit ligjor dhe zhvillimit ekonomik dypalësh, rajonal dhe më gjerë.
Në fjalën e tij Kryeministri Edi Rama u shpreh se: “Që prej mbledhjes së kaluar në Tiranë është bërë një punë e lavdërueshme për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, plotësimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor, përmirësimin e infrastrukturës  lidhëse midis dy vendeve tona dhe janë marrë masa lehtësuese koordinuese dhe mbështetëse sektoriale. Komunikimi ynë është i përhershëm, gjithnjë e më i dendur dhe volumi i aktivitetit ka ardhur vetëm duke u shtuar. Kjo ka shtuar edhe aftësinë tonë për t'u dhënë zgjidhje sa më shpejt problemeve dhe situatave specifike”.
Kryeministrat vlerësuan arritjet e Kosovës, nënshkrimin e marrëveshjes së parë kontraktuale Kosovë-BE, Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, dhe hyrjen në fuqi të saj, më 1 prill 2016. Marrëveshja u vlerësua nga ana e tyre si një fazë e re në marrëdhëniet e Kosovës me BE-në dhe përbën një kontribut të rëndësishëm të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në Kosovë dhe në rajon në përgjithësi. Kjo marrëveshje përbën një moment historik për Kosovën dhe do të kontribuojë në rrugën e reformave, tregtisë dhe investimeve në vend. Pranimi në UEFA dhe FIFA si dhe rekomandimi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave tregojnë edhe njëherë qartë për rrugën evropiane të Kosovës si proces natyral drejt integrimit euroatlantik të saj.  
Duke u ndalur në bashkëpunimin në fushën e Politikës së Jashtme, Ministri Bushati u shpreh se: “Dëshiroj të theksoj se marrëdhëniet tona dypalëshe përfshirë në këtë kuadër ndërqeveritar, por edhe ndërveprimi ynë në kuadër të bashkëpunimit evropian janë forcuar, janë zhvilluar më tej. Jemi angazhuar për t’i bërë marrëdhëniet tona model për rajonin dhe jemi pikërisht në këtë rrugë. Konsullata e përbashkët në Mynih do të shtojë së shpejti hartën e përfaqësimit tonë të përbashkët konsullor”. 

Adresa

Via San Martino 10 - 20122
Milano, Italy

Tel / Fax

Tel.+ 39 02 8051265
Urgenza 14:00-20:00
Tel.+39 3497834666

E-MAIL

consulate.milan@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 14:00