13 KOR 2016 -- Ministri Bushati dhe Ministri i Jashtëm italian Gentiloni çelin Konferencën e Ambasadorëve 2016

Në mjediset e Ministrisë së Punëve të Jashtme çeli punimet Konferenca e Ambasadorëve, një aktivitet tre ditor, i cili mbledh në Tiranë titullarët e përfaqësive diplomatike dhe konsullore të Republikës së Shqipërisë në botë. 
Kjo Konferencë shërben si një platformë për shkëmbimin e informacioneve dhe ideve, si dhe ngre për diskutim disa prej çështjeve më të fundit që lidhen me politiken e jashtme të vendit tonë, rajonin dhe arenën ndërkombëtare. 
Në këtë Konferencë, janë ftuar si panelistë për të ndërvepruar me diplomatët, anëtarë të kabinetit qeveritar, përfaqësues te shoqërisë civile, analistë dhe përfaqësues të botës akademike, nga hapësira shqiptare ashtu edhe ajo ndërkombëtare, me qëllim diversifikimin e opinioneve dhe ideve mbi zhvillimet aktuale të marrëdhënieve ndërkombëtare. 
I ftuari i nderit në çeljen e punimeve të kësaj konference, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Republikës Italiane, Paolo Gentiloni, në fjalën e tij drejtuar trupit diplomatik, u ndal në zhvillimet më të fundit në kontinent, rëndësinë e marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve si dhe fokusin e veçantë që i kushton Italia zhvillimeve në rajon. Duke u ndalur në rëndësinë e reformës në drejtësi Ministri Gentiloni theksoi se miratimi i kësaj reforme shihet me interes të veçantë nga vendet evropiane dhe Italia, si dhe evidentoi rëndësinë që ajo të miratohet me marrëveshje mes palëve politike në vend. 
Në fjalën e tij në ceremoninë e hapjes së konferencës, Ministri Bushati u ndal në aktivitetin e MPJ-së gjatë viteve të fundit, si dhe zhvillimet, parimet themelore dhe objektivat e politikës së jashtme të vendit. 
Në vijim Ministri Bushati u ndal në punën e kryer në funksion të përmirësimit të infrastrukturës së shërbimit të jashtëm, teknologjisë, burimeve njerëzore. Duke u ndalur me gjerësisht në gamën e shërbimeve që MPJ ofron për qytetaret ku “investimi në teknologjinë e lartë, më konkretisht digjitalizimi i shërbimeve konsullore dhe krijimi i aplikacioneve mbështetëse siç është dhe Aplikacioni konsullor që do të lançojmë në vjeshtën e këtij viti do të përbëjnë përgjigjen me te mire ndaj abuzimeve dhe apatisë” theksoi Ministri Bushati. 
Përmirësimi i kuadrit ligjor ne shërbimin e jashtëm ishte një tjetër pike ne te cilën u ndal Ministri Bushati ne fjalën e tij duke theksuar se: “paketa e re ligjore ka nisur të adresojë pikërisht ato sfida me të cilat përballen punonjësit e shërbimit të jashtëm:
-    për t’i dhënë fund sistemit të piramidës së përmbysur të gradave diplomatike;
-    për të rikthyer në qendër të politikës së burimeve njerëzore profesionalizmin;
-    për të vendosur meritokracinë në themel të shërbimit nëpërmjet një konkursi pranimi dhe testeve të promovimit në gradat e larta;
-    për ta hapur pozicionin e Ambasadorit për njerëz të talentuar duke u ndarë përgjithmonë nga praktika e kuotave partiake”.
Gjatë kësaj konference u lancua dhe Inicativa e Tiranës si një instrument që do të ndihmojë në monitorimin e Procesit të Berlinit në funksion të integrimit evropian të vendit. “Tirana Initiative” – Iniciativa e Tiranës, që po shpallim sot në vazhdën e tre samiteve Berlin – Vjenë – Paris dhe në përgatitje të Samitit të radhës në Romë vitin e ardhshëm. Kjo iniciativë do të shërbejë si platformë:
-    për të monitoruar vijimësinë e Procesit të Berlinit, si përshpejtues të procesit të integrimit,
-    për ta pasuruar axhendën e bashkëpunimit rajonal duke përfshirë sigurinë dhe çështjet e sundimit të së drejtës,
-    për të lehtësuar bashkërendimin me shoqërinë civile, komunitetin e biznesit dhe bashkësinë akademike,
-    për të mundësuar që ndërvarësia aktuale e Europës Adriatike me BE-në të shndërrohet në një proces ku përfundohet me sukses demokratizimi dhe ku BE-ja mund të kapitalizojë investimin e saj afatgjatë në rajon” theksoi Ministri Bushati.
Në përfundim të punimeve të ditës së parë të konferencës, Ministria e Kulturës Mirela Kumbaro prezantoi një ekspozite të fotografit Roland Tasho e cila kishte në fokus dokumentimin e imazhit të shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë. Në këtë ekspozitë Tasho paraqitet me 25 foto të shqiptareve që jetojnë jashtë dhe me 6 foto të personaliteteve të huaj të veshur me kostume popullore shqiptare. 
Konferenca do të vazhdojë gjatë ditës së nesërme me sesione të veçanta kushtuar perspektives së integrimit të Ballkanit Perëndimor, sfidave të sigurisë në kontinent, roli i aktorëve të tretë në Evropën Juglindore. 

Adresa

Via San Martino 10 - 20122
Milano, Italy

Tel / Fax

Tel.+ 39 02 8051265
Urgenza 14:00-20:00
Tel.+39 3497834666
Info mbi turizmin në Shqipëri +39 3913326153
orari 9:00 - 16:00

E-MAIL

consulate.milan@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 14:00