Ministrja Xhaçka pret Ministrin Wang Yi: Optimistë për gjetjen konvergjencave e hapësirave të bashkëpunimit

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Znj. Olta Xhaçka, priti në një takim Këshilltarin e Shtetit dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Kinës, z. Wang Yi, në vizitën që delegacioni kinez i kryesuar prej tij po zhvillon në Shqipëri, në datë 29 tetor 2021, në kuadër të një turi rajonal.
Vizita përkon me 50-vjetorin e kthimit të Kinës në OKB, për të cilin Këshilltari i Shtetit dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Wang Yi, nënvizoi kontributin e veçantë të Shqipërisë dhe përcolli falenderimet e mirënjohjen e qeverisë dhe popullit kinez.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, dhe Këshilltari i Shtetit dhe Ministër i Punëve të Jashtme, Wang Yi, shkëmbyen mendime mbi situatën e marrëdhënieve dypalëshe ku u theksua vullneti reciprok për zgjerimin e shkëmbimeve ekonomike, tregtare, kulturore, por edhe diplomatike e politike.
Një vend të veçantë zuri në këtë bisedë edhe shkëmbimi i mendimeve mbi bashkëpunimin në Këshillin e Sigurimit, ku Shqipëria do të ulet për një mandat dy vjeçar gjatë viteve 2022–2023. Të dy ministrat konfirmuan vullnetin e dyanshëm për të zhvilluar konsultime e për të bërë përpjekje të sinqerta, për të gjetur hapësira bashkëpunimi e mirëkuptimi. 
“Shqipëria ndjek sot një politikë të jashtme të bazuar tek parime e vlera që frymëzohen nga eksperienca jonë historike. Ne kemi vullnetin e plotë për të bashkëpunuar ngushtë me Republikën Popullore Kineze për të gjithë ato çështje ku ndajmë qëndrime e interesa të përbashkëta, duke njohur e vlerësuar rolin dhe peshën e Kinës në arenën globale", u shpreh Ministrja Xhaçka.
Bisedimet u përqendruan tek bashkëpunimi dypalësh dhe mundësitë për zhvillimin e tij të mëtejshëm në fushat me interes të ndërsjelltë, me fokus bashkëpunimin ekonomik e kulturor, luftën kundër pandemisë dhe bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë, si dhe bashkëpunimin në kuadër të nismave rajonale [Kinë-CEEC]. Dy ministrat mbështetën heqjen e vizave për të gjithë shtetasit shqiptarë që duan të vizitojnë Kinën, për të cilën Ministri Yi vlerësoi se vendi i tij do të respektojë parimin e reciprocitetit.
Vizita e Ministrit Wang Yi është e para e një kryediplomati të Republikës Popullore të Kinës që prej vitit 2011.

Postal Address

Embasy of Albania
Salam Area, Block 7 Street 717
Villa 4, P.O.Box. 3090
Safat -13031, State of Kuwait

Tel / Fax

Tel: +965 2524 0627
Fax: +965 2524 0628
Nr. i emergjences: +96594048219

E-MAIL


embassy.kuwait@mfa.gov.al

OPENING TIMES

Sunday - Thursday
08:00 - 16:00