Shërbime Konsullore Online

ÇËSHTJET E SHTETËSISË
 
Institucionet
 
Bazuar në Ligjin nr.  8389, datë 5.8.1998 “Për shtetësinë shqiptare” ndryshuar me Ligjin nr. 8442, datë 21.1.1999, çështjet e shtetësisë trajtohen nga Ministria e Brendshme, Drejtoria për Azilin dhe Shtetësinë. Për fitimin e shtetësisë shqiptare me njohje ose dhënie, si dhe për heqjen dorë nga shtetësia shqiptare, shtetasit shqiptarë dhe të huaj, duhet të aplikojnë online nëpërmjet Shërbimit Konsullore Online pranë Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Prishtinë ose pranë Drejtorive Rajonale të Policisë, në qarkun ku jetojnë në Shqipëri.
Kur aplikimet për fitim apo heqje dorë nga shtetësia shqiptare kryhen nëpërmjet Ambasadës së RSh-së në Prishtinë ato përcillen përmes Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Drejtoria e Çështjeve Konsullore, në Ministrinë e Brendshme, Drejtoria për Azilin dhe Shtetësitë dhe kjo e fundit pas trajtimit i procedon për vendimmarrje në Institucionin e Presidentit të Republikës.
Për më shumë:

  1. Fitimi i shtetesise me lindje për femijen e mitur
  2. Rifitimi i shtetësisë;
  3. Lënia e shtetësisë;
  4. Njohja e shtetësisë nga origjina; 
  5. Fitimi i shtetësisë nga origjina;
  6. 6. Udhëzimi i përbashkët i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Rendit Publik për“Për procedurat dhe dokumentacionin për fitimin, rifitimin dhe heqjen dorë nga shtetesia shqiptare”;
  7. http://www.mb.gov.al/files/programs files/shtetesia shqiptare.pdf
  8. https://mb.gov.al/wp-content/uploads/2018/01/14-09-10-10-12-20shtetesia_shqiptare.pdf

 
Afatet proceduriale për shtetësinë
Ministria e Brendshme) brenda 6 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës për shtetësinë shqiptare vendos për paraqitjen ose jo të kërkesës pranë Presidentit të Republikës.
Vendimi i Ministrisë së Brendshme për paraqitjen ose jo të kërkesës pranë Presidentit të Republikës i bëhet e njohur të interesuarve, të cilët nëse nuk janë dakord me përmbajtjen e vendimit mund të ngrenë padi në gjykatën e rrethit Tiranë.
Presidenti i Republikës, brenda 3 muajve nga paraqitja e kërkesës së Ministrisë së Brendshme, nxjerr dekretin përkatës.
Lejimi i shtetësisë së dytë
 
Fitimi dhe heqja dorë nga shtetësia shqiptare bëhet me Dekret të Presidentit të Republikës. Ligji shqiptar lejon marrjen e shtetësive të tjera, veç asaj shqiptare. Ligji shqiptar nuk lejon heqjen dorë nga shtetësia shqiptare, kur personat kërkues mbeten pa shtetësi.
 
LIGJI NR. 8389, DATË 05.08.1998 “PËR SHTETËSINË SHQIPTARE”, I NDRYSHUAR ME LIGJIN NR. 8442, DATË 21.01.1999
NENI 9
Marrja e nënshtetësisë me natyralizim
 
1. Kërkesa e shtetasit të huaj drejtuar Presidentit të Republikës;
 
2. Mendimi me shkrim i nëpunësit që pranon dokumentet për nivelin e njohurive të gjuhës  shqipe (përpilohet nga specialisti përkatës);
 
3. Certifikata e lindjes dhe ajo familjare të apostiluara në vendin e origjinës;
 
4. Leje qëndrimi në Republikën e Shqipërisë, sipas kritereve të ligjit për shtetësinë (fotokopje e noterizuar), nëse banon në Shqipëri;
a. Leje qëndrimi 5 vjeçare pa shkëputje, të njëpasnjëshme për të gjithë të huajt që aplikojnë për fitim të shtetësisë shqiptare
b. Leje qëndrimi 3 vjeçare për të huajt që vërtetojnë origjinën shqiptare deri në dy shkallë
c. Leje qëndrimi 1 vjeçare për të huajt që janë të martuar me shtetas shqiptar, prej jo më pak se 3 vjet
 
5. Akti i pronësisë së banesës ose kontrata e zënies me qera të banesës (fotokopje e noterizuar);
 
6. Kontratë pune për të punësuarit ose vërtetim nga Zyra e Tatimeve për të vetëpunësuarit ose investitorët (fotokopje e noterizuar);
 
7. Dokumente që vërtetojnë disponimin e mjeteve financiare të mjaftueshme për jetesë, të tilla si: garanci bankare, librezë kursimi, vërtetime zyrtare të ardhurash (fotokopje e noterizuar);
 
8. Dëshmi penaliteti e marrë në vendin e origjinës dhe në vendin ku kërkuesi ka pasur  qëndrim legal për gjashtë muajt e fundit e apostiluar;
 
9. Dokument që vërteton qenien azilant, nëse është i tillë (fotokopje e noterizuar);
 
10. Fotografi e aplikantit, copë 3 (në rast se ka fëmijë nën moshën 14 vjeç, fotografi për secilin prej tyre);
 
11. Certifikatë (kur është e nevojshme) për të vërtetuar origjinën shqiptare të kërkuesit, deri në dy shkallë, qoftë dhe nga njëri prind;
 
12. Mendimi me shkrim i komisariatit të policisë vendore për sjelljen dhe qëndrimin e  aplikuesit në Republikën e Shqipërisë (përpilohet nga sektori i policisë kriminale);
 
13. Certifikatë martese;
 
14. Mandatpagesë
 
Shënim: Aplikimi për fitimin e shtetësisë shqiptare me natyralizim kryhet pranë Komisariatit ose Drejtorisë Vendore të Policisë së rrethit
 
 
REGJIMI I VIZAVE PËR TË HUAJT
 
Regjimi i vizave për të huajt përcaktohet në bazë të Ligjit, 108/13, “Për të huajt”, dhe VKM nr. 569, date 03.10.2018 për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin nr. 513, date 13.06.2013 të Këshillit të Ministrave për “Për përcaktimin e kritereve të procedurave dhe dokumentacionit për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në RSh”, i ndryshuar.
Hyjnë pa vizë në Shqipëri:
a) Të huajt që kanë një vizë të vlefshme Shengen, me shumë kalime, e cila është përdorur më parë në një nga vendet e zonës Shengen, ose që kanë një leje të vlefshme qëndrimi në një nga vendet e zonës Shengen;
b) Të huajt që kanë një vizë të vlefshme të SHBA ose të Mbretërisë së Bashkuar, me shumë kalime, e cila është përdorur më parë në një nga këto vende, ose kanë leje të vlefshme qëndrimi në SHBA ose në Mbretërinë e Bashkuar.
c)Të huajt nga Arabia Saudite, Bjellorusia, Katari, Omani, Rusia, Tajlanda dhe Bahrejn mund të hyjnë pa vizë në Republikën e Shqipërisë për qëndrim afatshkurtër, me dokumentin pasaportë për periudhën 1 Prill 2019 -31 Tetor 2019.
 
ç)Të huajt nga Republika Popullore e Kinës mund të hyjnë pa vizë në Republikën e Shqipërisë për qëndrim afatshkurtër, me dokumentin pasaportë për periudhën 1 Mars 2019- 31 Tetor 2019.
 
d) “Të huaj anëtarë të familjes së shtetasve të BE-së”,  kur  udhëtojnë me bashkëshortin shtetas të BE-së, si dhe përveç pasaportës së vlefshme, kanë edhe një dokument (leje qëndrimi) ku citohet statusi i tyre si “family member”
Viza e tipit “C”, është viza, e cila i jep të drejtën mbajtësit të saj të hyjë dhe të qëndrojë në Republikën e Shqipërisë deri në 90 ditë brenda 180 ditëve, duke filluar nga data e hyrjes së pare. Viza “C” mund të lëshohet me një, dy ose shumë hyrje. Periudha e vlefshmërisë nuk mund t’I kalojë 5 vjet.
Viza e tipit “D”, është viza, e cila jepet për shtetas të huaj, të cilët kërkojnë të qëndrojnë në Republikën e Shqipërisë më shumë se 90 ditë për 180 ditë dhe kur, për t’u pajisur me leje qëndrimi për këta shtetas kërkohet vizë.
Bashkëlidhur gjeni tabelën me regjimin e specifikuar të vizave për secilin vend të huaj:
Regjimi i vizave për të huajt
Të huajt nga vende që nuk janë përfshirë në tabelë kanë nevojë për vizë para se të udhëtojnë në Shqipëri dhe aplikimet mund t’i paraqesin në përfaqësinë më të afërt nga vendi i tyre i origjinës ose rezidencës;
Për llojin e dokumentacionit dhe aplikimin online për vizë, lutem klikoni në linkun:
http://punetejashtme.gov.al/aplikim-per-vize/
 
 

Adresa

Ambasada Shqiptare
Qyteza Pejton, Rruga Mujo Ulqinaku
18 Prishtine

Tel / Fax

Tel. + 383 38 248208
Fax. + 383 38 248 209

E-MAIL

embassy.pristina@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 16:30