Prishtinë/Takim i përbashkët pune për ecurinë e zbatimit të marrëveshjeve Shqipëri - Kosovë

Me date 1 shkurt, u zhvillua ne Prishtine, takimi i perbashket mes autoriteteve shqiptare dhe kosovare, me qëllim mbikëqyrjen e zbatimit të disa prej marrëveshjeve të nënshkruara në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, të zhvilluar më 26 nëntor në Pejë. Delegacioni shqiptar kryesohej nga Ministri i Brendshem, z. Sander Lleshaj, ndersa pala kosovare nga zevendeskryeministri, z. Fatmir Limaj.
Ministri Lleshaj ka vlerësuar maksimalisht punën e mirë të bërë deri më tani nga strukturat kufitare të të dy vendeve në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë, Vernicë, ku po aplikohet parimi “Një ndalesë, një kontroll” që prej 1 janarit 2019. Ai theksoi se implementimi i kësaj marrëveshjeje do të shërbejë si një bazë e mirë për të vijuar më tej në lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve dhe mjeteve në kufirin mes dy vendeve.
Zëvendëskryeministri Limaj, njëherësh edhe Koordinator kombëtar për mbikëqyrjen dhe zbatimin e marrëveshjeve mes Kosovës dhe Shqipërisë u shpreh i kënaqur që vendimet, të cilat janë marrë në mbledhjen e dy qeverive, kanë nisur të jetësohen në praktikë. Palët u dakordësuan që takimi i radhës të zhvillohet pas 2 javësh në Tiranë, i cili do të pasohet nga të tjerë deri në jetësimin e plotë të marrëveshjeve.
Ministri Lleshaj shoqërohej në këtë vizitë nga zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda, zv.ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Etjen Xhafaj, zv.ministri për Financat dhe Ekonominë, Elton Haxhi, si dhe drejtues të tjerë nga institucionet shqiptare.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Qyteza Pejton, Rruga Mujo Ulqinaku
18 Prishtine

Tel / Fax

Tel. + 381 38 248208
Fax. + 381 38 248 209

E-MAIL

embassy.pristina@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00