Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi nderohet me “Urdhrin e Lirisë” nga Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi u nderua me “Urdhrin e Lirisë” nga Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, me motivacionin: “Për kontributin e dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.
Në momentin solemn të nderimit, Presidenti i Kosovës, z. Thaçi u shpreh se ka nderin dhe kënaqësinë që si President i Republikës së Kosovës, në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës të vlerësojë rolin, kontributin dhe angazhimin e jashtëzakonshëm të z. Gramoz Ruçi, gjatë gjithë legjislaturave të tij si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. “Për kontributin tuaj personal politik dhe bashkues për të gjithë spektrin politik në Shqipëri, në mbështetje të përpjekjeve të jashtëzakonshme në kohën e luftës, përpjekjeve të tranzicionit politik në Kosovë, të Shpalljes së Pavarësisë, si dhe tani, kur si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë keni një nga prioritetet kryesore Kosovën, kudo që jeni, po ndaj Urdhrin e Lirisë dhe Pavarësisë, për ju i nderuar z. Kryetar”, – theksoi  Presidenti Thaçi.
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi u shpreh jashtëzakonisht i vlerësuar për nderin e lartë përmes aktit të dhënies së “Urdhrit të Lirisë”, pikërisht në vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë, si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë. “Kjo është dekorata e parë që unë marr dhe është e veçantë, sepse është nga Presidenti i Kosovës. Ju jam shumë mirënjohës, por edhe do të thoja se, kontributi për lirinë e Kosovës nuk i përket një individi”, – vuri në dukje Kryetari i Kuvendit. Z. Ruci u shpreh se vlerësimi është për kontributin e të gjithë spektrit politik shqiptar, të gjithë deputetëve shqiptarë, të të gjitha partive politike shqiptare. “Për të gjithë shqiptarët,  ëndrra e madhe e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës ka qenë që ajo të bëhet realitet. Kështu që, këtë vlerësim që më dedikohet mua sot, e ndaj dhe ua dedikoj të gjithë bashkatdhetarëve të mi, të gjithë kolegëve të mi në Shqipëri, pavarësisht nga spektri politik ku ata janë” –  theksoi Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Qyteza Pejton, Rruga Mujo Ulqinaku
18 Prishtine

Tel / Fax

Tel. + 383 38 248208
Fax. + 383 38 248 209

E-MAIL

embassy.pristina@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 16:30