
Në kuadrin e vizitës zyrtare në Itali, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u prit me 11 shtator nga Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella, në Sheshin e Nderit të Pallatit Quirinale. Pas interpretimit të himneve kombëtare, të dy Presidentët zhvilluan bisedimet zyrtare ku i pranishëm ishte edhe Ministri i Jashtëm i Italisë, Angelino Alfano.
Presidenti Meta shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e gjithanshme që Italia i ka dhënë Shqipërisë e shqiptarëve në 25 vitet e fundit dhe duke iu referuar kësaj vizite të parë jashtë vendit, që pas marrjes së detyrës së Presidentit të Republikës, vlerësoi në mënyrë të veçantë mikpritjen e demonstruar nga Italia dhe italianët për shqiptarët, si më shumë se pesë shekuj më parë, ashtu edhe në fillim të viteve ’90.
Të dy Presidentët vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve e dy popujve dhe ndanë mendimin se këto marrëdhënie duhet të marrin më shumë substancë dhe të zgjerohen edhe më tej, veçanërisht në fushat e bashkëpunimit ekonomik e tregtar. Në këtë drejtim u theksua interesi për një prezencë më të madhe të kompanive italiane, veçanërisht në sektorët strategjikë.