MEPJ mbi zhvillimet në Parlamentin grek dhe deklaratat e zyrtarëve të vendit fqinj për zgjerimin e kufirit detar

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka ndjekur me vëmendje zhvillimet në Parlamentin grek dhe deklaratat e zyrtarëve më të lartë të vendit fqinj, gjatë seancës së ratifikimit të marrëveshjeve detare mes Italisë dhe Greqisë, si dhe mes Greqisë dhe Egjiptit.

Qeveria shqiptare vlerëson arritjen e marrëveshjeve për delimitimin e hapësirave detare mes vendeve të rajonit të Mesdheut, duke u mbështetur në normat ndërkombëtare për të drejtën e detit dhe frymën e miqësisë dhe interesit reciprok.

Me këtë rast, lidhur me deklaratat për zgjerimin së shpejti të gjerësisë së Detit Territorial të Greqisë nga 6 në 12 milje detare, theksojmë se kjo është një çështje që rregullohet nga e drejta ndërkombëtare dhe konkretisht nga Konventa e së Drejtës së Detit (UNCLOS) e Montego Bay e vitit 1982.

Greqia, ashtu si çdo shtet tjetër palë e konventës, aty ku e lejon gjeografia dhe për sa kohë që nuk cënohen të drejtat sovrane të një shteti tjetër, gëzon të drejtën që të zgjerojë gjerësinë e Detit Territorial sipas parashikimeve të UNCLOS. Vetë Shqipëria në bazë të kësaj konvente ku është palë, ka ushtruar të drejtën për të përcaktuar gjerësinë e detit të saj territorial në 12 milje detare, zgjerim i cili është depozituar pranë Kombeve të Bashkuara që prej 9 marsit 1990 dhe që nuk është kontestuar për asnjë moment nga fqinjët tanë. Kjo e drejtë që buron nga konventa nuk është çështje negociate mes shteteve palë të konventës dhe në të gjitha rastet shtetet që janë në procese negociuese mbi delimitimin e hapësirave detare janë të detyruara që të ndjekin parimet, frymën dhe kriteret e konventës që u njeh shteteve palë të drejtën e zgjerimit të ujërave territoriale deri në 12 milje detare.

Sidoqoftë, qeveria shqiptare do të jetë e vëmendshme për çdo proces legjislativ në vendin fqinj, i cili mund të ketë ndikim në ushtrimin e sovranitetit territorial dhe të drejtave sovrane në hapësirën detare që i takon.

Adresa

Plateia “Arch.Spyridonas” ,13, Odos “Anastasiou Zini”,
12, T.K. 45444, Ioannina, Greece

Tel / Fax

Tel. +30 26510 21330 +30 26510 22636
Fax. +30 26510 37768
Nr. i emergjences: +306971533398

E-MAIL

consulate.ioanina@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00