Cakaj pret homologun sllovak, Lajčák, në fokus, bashkëpunimi për Kryesinë shqiptare të OSBE-së në 2020

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi një takim me Kryetarin e radhës të OSBE-së dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës Sllovake, Miroslav Lajčák, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Tiranë. Ministri Lajčák viziton vendin tonë në cilësinë e Kryetarit të radhës së OSBE-së.

 Takimi i zhvilluar pati në fokus bashkëpunimin në kuadër të OSBE-së, përgatitjet për Kryesinë shqiptare të OSBE-së në vitin 2020, mbështetjen e OSBE-së për reformat në vend dhe bashkëpunimin rajonal. 

 Ministri në Detyrë, Cakaj shprehu vlerësime për Kryesinë sllovake të OSBE-së, për rolin dhe përpjekjet e saj konstruktive në adresimin e sfidave me të cilat përballet sot siguria dhe stabiliteti në hapësirën e OSBE-së. Gjithashtu, ai falënderoi Ministrin Lajčák për vëmendjen dhe angazhimin e tij si Kryetar i radhës së OSBE-së ndaj rajonit tonë. 

 Në vijim, Ministri në detyrë, Cakaj, informoi homologun e tij lidhur me përgatitjet për Kryesinë shqiptare të OSBE-së në vitin 2020, duke konfirmuar vullnetin dhe angazhimin e Qeverisë shqiptare për përmbushjen me sukses të këtij kryesimi.  

 Nga ana e tij, Kryetari aktual i OSBE-së, Lajčák, përgëzoi Ministrin në detyrë Cakaj për angazhimin e tij në përgatitjet e Shqipërisë për kryesimin e organizatës në 2020 si dhe për drejtimin Grupit të Kontaktit të Mesdheut për vitin 2019. 

 Gjithashtu, Ministri Lajčák, ndërsa vlerësoi rolin konstuktiv të Shqipërisë në rajon, nënvizoi se Kryesimi i OSBE-së do të kontribuojë në rritjen e profilit të vendit në arenën ndërkombëtare, duke vendosur një shembull për demokracitë e reja.

 Gjatë këtij takimi, u vlerësua mbështetja dhe kontributi i OSBE-së në drejtim të realizimit të reformave të rëndësishme në vend dhe 5 prioriteteve kyçe, në kuadër të procesit të hapjes së negociatave me BE-në. 

 Në vijim, të dy Ministrat shkëmbyen mendime mbi bashkëpunimin dhe angazhimin e përbashkët të të dy vendeve si pjesë e Trojkës së OSBE-së. Gjithashtu, ata u ndalën edhe në forcimin e rolit dhe kapaciteteve të OSBE-së si dhe kontributin për nxitjen e bashkëpunimit mes vendeve të OSBE-së, nevojën e vendosjes së dialogut dhe përgjegjësinë e përbashkët për respektimin e parimeve dhe unitetit të Organizatës, si elemente esenciale për të adresuar në mënyrë efektive sfidat aktuale dhe të ardhmen në hapësirën e OSBE-së e më gjerë.

Adresa

Plateia “Arch.Spyridonas” ,13, Odos “Anastasiou Zini”,
12, T.K. 45444, Ioannina, Greece

Tel / Fax

Tel. +30 26510 21330 +30 26510 22636
Fax. +30 26510 37768
Nr. i emergjences: +306971533398

E-MAIL

consulate.ioanina@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00