Cakaj: Po punojmë për Kryesi shqiptare të suksesshme të OSBE-së

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj gjatë një konference për shtyp me kreun e sekretariatit të OSBE-së Thomas Greminger tha se po punohet për një Kryesi shqiptare të suksesshme të Organizatës në vitin 2020.

“Për Shqipërinë, marrja e kryesisë së OSBE-së për vitin 2020, është procesi më i rëndësishëm në historinë e angazhimeve multilaterale që nga anëtarësimi në NATO,” u shpreh Cakaj.

Cakaj tha se gjatë takimit me Sekretarin e Përgjithshëm ishte biseduar mbi elementë për një bashkëpunim të ngushtë i cili do të vazhdojë edhe gjatë Kryesisë shqiptare 2020.

“Po punojmë fuqimisht në tre aspekte: atë politik, financiar dhe të burimeve njerëzore. Së pari, aspekti politik ka të bëjë me finalizimin e prioriteteve. Së dyti, qeveria po vë në dispozicion të gjitha burimet financiare të nevojshme për një mbarëvajtje sa më të mirë të kryesimit. Së treti, tashmë kemi emëruar diplomatët më të mirë e më të përkushtuar si në Misionin tonë në Vjenë, ashtu dhe në Task Forcën e ngritur në Tiranë për këtë qëllim,” tha Cakaj.

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj u shpreh se marrja e kryesisë së OSBE-së është një përgjegjësi e madhe por e merituar nga Shqiperia.

Cakaj vlerësoi gjithashtu edhe punën e Pranisë së OSBE-së në Tiranë.

Nga ana e tij Thomas Greminger vlerësoi lart përgatitjet e Shqipërisë për Kryesimin e OSBE-së.

“Dëshiroj të vlerësoj përgatitjet e Shqipërisë dhe vendosjen e tonit të duhur nga ana e Ministrit Cakaj gjatë paraqitjes të kuadrit paraprak të prioriteteve në Vienë,” tha Greminger.

 

Konferenca e përbashkët për shtyp Cakaj-Greminger

 

Ministri në Detyrë Gent Cakaj:

Përshëndetje të gjithëve dhe ju falënderoj për praninë tuaj. Sot kisha nderin e veçantë të prisja në takim Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, zotin Greminger, me të cilin do të vazhdojmë të punojmë ngushtë edhe gjatë Kryesisë shqiptare 2020.

Kjo vizitë vjen në vazhdën e përgatitjeve intensive të Shqipërisë për të marrë drejtimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

Para dy javësh, në Vjenë, Shqipëria ka prezantuar prioritetet e saj për Kryesinë e radhës të OSBE-së. Së bashku me Sekretarin po punojmë për të konturuar edhe më  mirë këto prioritete në mënyrë që ato të reflektojnë vullnetin e përgjithshëm dhe bindjet e veçanta të të gjitha vendeve pjesëmarrëse.

Për Shqipërinë marrja e Kryesisë së OSBE-së për vitin 2020 është suksesi më i madh politik dhe diplomatik në angazhimet e saj multilaterale që nga anëtarësimi në NATO. Për këtë arsye dhe jo vetëm, Shqipëria do të drejtojë OSBE-në e frymëzuar nga ndjenja e përgjegjësisë dhe e motivuar nga vendosmëria për të kontribuar në sigurinë, stabilitetin dhe demokratizimin e përgjithshëm të kontinentit.

Shqipëria do të vazhdojë punën e mirë të kryesisë aktuale dhe përpjekjet maksimale edhe të kryesive pararendëse për parandalimin, menaxhimin dhe zgjidhjen e konflikteve në hapësirën e OSBE-së, ku vëmendje të veçantë do të marrë natyrisht kriza në dhe përreth Ukrainës.

Vëmendje të veçantë po ashtu do të marrë edhe trajtimi i konfliktit në Nagorno-Karabah dhe adresimi i pasojave të konfliktit në Gjeorgji. Ne do të angazhohemi për të promovuar mirëqeverisjen dhe parimet e anti-korrupsionit në gjithë hapësirën që mbulon organizata.

Gjithashtu do të adresojmë përpjekjet e përbashkëta për të gjitha vendet pjesëmarrëse të kësaj organizate në shërbim të parandalimit të trafikimit të qenieve njerëzore, po ashtu edhe të luftimit të kulturës së pandëshkueshmërisë në përgjithësi.

Shqipëria do të ketë prioritet të veçantë vitin e ardhshëm të punojë fort në promovimin e universalitetit të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore.

Një rol të veçantë gjatë Kryesisë shqiptare natyrisht do të ketë edhe rinia e cila është përcaktuar si prioritet ndërdimensional i Kryesisë shqiptare, jo vetëm për faktin se Shqipëria këtu mund të udhëheqë në bazë të shembullit të saj, por edhe në bazë të nevojës që rinia të mos të trajtohet më thjesht si një gjeneratë që vjen, por si një gjeneratë që ka nevojë për vëmendjen aktuale dhe për fuqizimin e rolit të saj në shoqëri dhe institucioneve në përgjithësi.

Po ashtu këtu vlen të përmendet se vëmendje të veçantë gjatë Kryesisë shqiptare do të ketë edhe forcimi i rolit të gruas në nivel ndërkombëtar në proceset e paqes.

Shqipëria i është bashkuar kësaj organizate në vitin 1991 dhe që nga atëherë ka qenë përfituese e madhe në shumë drejtime institucionale, veçanërisht në periudhën e tranzicionit, për të zhvilluar një shtet më të fuqishëm me vlera demokratike dhe natyrshëm në shërbim të respektimit të të drejtave themelore.

Pothuajse vetëm tre dekada më pas, Shqipëria sot është pranë momentit historik që ka filluar përgatitjet për marrjen e drejtimit të kësaj organizate për të dhënë kontribut përmbajtësor në të.

Duke investuar në multilateralizmin efektiv dhe duke ju bashkuar shteteve që mendojnë dhe veprojnë në mënyrë të ngjashme, unë shpreh bindjen se të gjithë së bashku bëhemi më të fortë për të mbrojtur interesat tona, për të forcuar sigurinë dhe promovuar vlerat e përbashkëta të të drejtave universale.

Me Sekretarin e Përgjithshëm sot kemi biseduar edhe për shumë çështje të tjera teknike, logjistike, organizative për interes të përbashkët. Aktualisht, dhe kjo është edhe për informim për hir të opinionit publik, po punojmë në tre dimensione kryesore: politik, financiar dhe organizativ apo të burimeve njerëzore.

Së pari, në aspektin politik, ne kemi prezantuar prioritetet e përgjithshme paraprake të Kryesisë Shqiptare për vitin 2020.

Së dyti, në aspektin financiar dhe ndoshta edhe logjistik, Shqipëria tashmë ka ndarë buxhetin e veçantë për të përballuar të gjitha sfidat që vijnë në vitin e ardhëm nga kryesimi i kësaj organizate.

Së treti, në aspektin organizativ dhe institucional, po ashtu gjej rastin t’ju njoftojë se tashmë Shqipëria ka konsoliduar skuadrën e saj që do ta udhëheqë Kryesinë e OSBE-së, ka ngritur Task Forcën e Tiranë, e cila është tërësisht funksionale dhe ka kompletuar Misionin në Vjenë, i cili po ashtu do të jetë tërësisht funksional së shpejti.

Nga shtatori e tutje, i gjithë motori institucional i Shqipërisë do të performojë me kapacitet të plotë. Këtu gjej rastin gjithashtu të shpreh një vlerësim të posaçëm për punën e Task Forcës në Tiranë dhe të Misionit të Shqipërisë në OSBE, për qasjen jashtëzakonisht pro aktive dhe punën skajshmërish të frytshme.

Me Sekretarin e OSBE-së po ashtu kemi zhvilluar një paketë të gjerë të angazhimeve të përbashkëta, duke ngritur modele që do t’i shërbejnë edhe së ardhmes. Është hartuar për herë të parë një udhërrëfyes i përbashkët, si dhe kemi përcaktuar agjendën e trajnimeve të nevojshme për stafet që do të angazhohen gjatë Kryesimit të OSBE-së nga Shqipëria.

Në fund përfitoj nga rasti të vlerësoj maksimalisht edhe rolin e pranisë të OSBE-së në Tiranë e cila po ndihmon dhe prioritizon programet dhe projektet e veta në konsultim të plotë me Qeverinë Shqiptare.

Bashkëpunimi me Sekretarin e Përgjithshëm të kësaj organizate ka pasur një rol thelbësor për arritjet e Shqipërisë deri këtu dhe po ashtu do të vazhdojë tutje në përpjekjet e Shqipërisë për një drejtim sa më cilësor të kësaj organizate vitin e ardhshëm.

Edhe njëherë dëshiroj të theksoj se; Shqipëria ka marrë një sfidë të jashtëzakonshme me Kryesimin e OSBE-së, por gjithsesi edhe një vlerësim të merituar ndërkombëtar për rolin e saj aktiv që ka pasur në promovimin e vlerave demokratike, sigurisë dhe stabilitetit në arenën ndërkombëtare.

Sekretar fjala për juve.

Faleminderit shumë.

 

Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së Thomas Greminger:

Faleminderit shumë zoti Ministër,

Zonja dhe zotërinj mirëmëngjesi, faleminderit për interesin e paraqitur.

Kam ardhur këtu në një vizitë pune, në kuadrin e përgatitjeve të Shqipërisë për kryesinë e radhës së OSBE-së për vitin 2020.

Dua që të falënderoj për gjitha përpjekjet e bëra nga Shqipëria për përgatitjet deri tani dhe pres me padurim që të forcojmë më tej marrëdhëniet tona gjatë vitit në vijim.

Më lejoni të falënderoj zotin Cakaj, që gjeti kohë për të diskutuar së bashku përgatitjet në detaje dhe dua ta falënderoj atë, që i ka dhënë tonin e duhur paraqitjes së përparësive kryesore të Shqipërisë për presidencën e radhës së OSBE-së, në Vjenë, javën e kaluar.

Më vonë, gjatë ditës së sotme do të takohem edhe me Kryeministrin Rama dhe me Presidentin Meta.

Zonja dhe zotërinj, kryesia e OSBE-së nuk është një përpjekje e vogël. Kjo nuk është vetëm një sipërmarrje nga diplomatët, nga Ministria e Punëve të Jashtme, por duhet që të mbështetet po ashtu nga e gjithë Qeveria dhe mendoj që duhet të mbështetet nga i gjithë vendi.

Kryesia e OSBE-së kërkon investim kohe, përpjekjesh dhe burimesh. Personalisht nuk kam dyshime që Shqipëria do e kalojë me sukses këtë detyrë. Dyshim nuk kanë as 56 vendet anëtare të OSBE-së.

Do jetë gjithashtu edhe një ushtrim frymëzues dhe shpërblyes në aspektin politik dhe mendoj që do të çojë në përmirësimin e profilit politik të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Kjo paraqet një mundësi të madhe për të mësuar më tepër për mundësitë që paraqet një organizatë e tillë e sigurisë në të gjithë botën, sa i takon edhe trajtimit të sfidave të përbashkëta për stabilitetin dhe paqen në rajon dhe gjithashtu shërben edhe për ndërgjegjësimin dhe informimin e qytetarëve shqiptarë për vlerat dhe për kontributin e OSBE-së.

Nga ana tjetër, është një shans për komunitetin e OSBE-së, për të mësuar më tepër për vendin tuaj, kombin tuaj dinamik dhe për t’u mbështetur në ekspertizën diplomatike dhe të sigurisë të Shqipërisë, për të mësuar nga perspektiva rajonale e këtij vendi.

Besoj personalisht, që kjo paraqet një mundësi të shkëlqyer për Shqipërinë që të marrë rol lidershipi politik dhe të konsolidojë përpjekjet e veta në rrugëtimin evropian.

Kryesimi i mirë i OSBE-së, besoj se do të jetë një prej argumenteve më të forta, për progresin, për pranimin, për rrugëtimin e Shqipërisë në BE, dhe do të jetë një prej argumenteve më të forta sa i takon institucioneve të tjera.

Pra Shqipëria duhet të tregojë rolin e vet dhe duhet të dëshmojë që mënyra më e mirë për të zgjidhur konfliktet është dialogu.

Kryesimi i një organizate shumëkombëshe kërkon një Shqipëri të bashkuar. Shqipëria nuk duhet të shkojë vetëm në këtë rol vitin që vjen, por do të mbështetet në Sekretariatin e OSBE-së, do të ketë gjithë mbështetjen e institucioneve të OSBE-së, si dhe mbështetjen e kryesive të mëparshme të OSBE-së.

Kemi diskutuar për aspektin e përgatitjes sa i takon kryesisë së OSBE-së ashtu siç kemi bërë me vendet e tjera që kanë marrë kryesinë më parë.

Zonja dhe zotërinj, i dashur  Ministër, ne kemi një angazhim të përbashkët, Ky angazhim është që kryesia e OSBE-së për 2020 të jetë një sukses për të gjithë ne.

Le ta bëjmë këtë përvojë një përvojë të suksesshme për të gjithë ne, pra për ju, për Shqipërinë dhe për ne, për OSBE-në.

Faleminderit për vëmendjen.

Adresa

Plateia “Arch.Spyridonas” ,13, Odos “Anastasiou Zini”,
12, T.K. 45444, Ioannina, Greece

Tel / Fax

Tel. +30 26510 21330 +30 26510 22636
Fax. +30 26510 37768
Nr. i emergjences: +306971533398

E-MAIL

consulate.ioanina@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00