Cakaj përshëndet marrëveshjen: Tre poste kyçe, dëshmi e forcimit të faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Artan Grubi, menjëherë pas përfundimit të negociatave me partnerin e tyre të koalicionit, LSDM-në.

“Kam shprehur urimet më të sinqerta për marrëveshjen historike që do të mundësojë për herë të parë një Kryeministër shqiptar në Maqedoninë e Veriut, qoftë edhe vetëm 100 ditë si fillim.”- u shpreh Cakaj në një reagim në Facebook.

Gjithashtu, Kryediplomati theksoi se përveç faktit se Kryetari i Kuvendit do të vazhdojë të jetë një shqiptar, mbetet arritje historike që diplomacia e Maqedonisë së Veriut do të udhëhiqet nga një shqiptar. Sipas Cakaj, marrëveshja e sotme hap një horizont të pashembullt për forcimin e shqiptarëve e zhvillimin e demokracisë në Maqedoninë e Veriut.

“Urime të gjithë shqiptarëve e falënderim të veçantë z. Ali Ahmeti e z. Artan Grubi për punën e vyer që kanë bërë në drejtim të forcimit të faktorit shqiptar, demokracisë e zhvillimit të brendshëm dhe proceseve euroatlantike në Maqedoninë e Veriut.”- uroi Ministri në detyrë Cakaj.

Në përfundim të postimit të tij, Kreu i Diplomacisë Cakaj siguroi se me Maqedoninë e Veriut do të vijojë bashkëpunimi i shkëlqyer dypalësh dhe puna e përbashkët në kuadër të NATO-s dhe drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Adresa

Plateia “Arch.Spyridonas” ,13, Odos “Anastasiou Zini”,
12, T.K. 45444, Ioannina, Greece

Tel / Fax

Tel. +30 26510 21330 +30 26510 22636
Fax. +30 26510 37768
Nr. i emergjences: +306971533398

E-MAIL

consulate.ioanina@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00