“Shqipëria, shtëpia juaj”, Cakaj nënshkruan marrëveshje ndërministrore për ambasada të përbashkëta me Kosovën

Shqipëria dhe Kosova do të përfaqësohen me ambasada të përbashkëta në vende të ndryshme të botës. Njoftimi është bërë nga dy ministrat Cakaj e Pacolli, gjatë nënshkrimit të një marrëveshjeje midis dy vendeve.

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj priti në Tiranë homologun e Kosovës, Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli. Gjatë konferencës për shtyp Cakaj tha se Marrëveshja ishte në shërbim të interesave të ndërsjellta në arenën ndërkombëtare.

Ministri në Detyrë Cakaj tha se Marrëveshja bazohej në katër shtylla kryesore: politike, diplomatike, aftësitë profesionale të stafit dhe diplomacia kulturore.

Mes të tjerash, nga pikëpamja politike, sqarohet se Republika e Shqipërisë merr detyrime konkrete në prezantim, mbrojtje dhe afirmim të qëndrimeve politike të Republikës së Kosovës në të gjitha rastet ku pjesëmarrja e kësaj të fundit është e pamundur për shkaqe objektive. Për më shumë, Shqipëria do të ndërmarrë një fushatë të veçantë në funksion të forcimit të shtetësisë së Kosovës në rrafshin ndërkombëtar.

Nga pikëpamja diplomatike, marrëveshja inicion ngritjen e “Fondit të Përbashkët për Menaxhimin, Ngritjen dhe Zhvillimin e Ambasadave, Misioneve dhe Konsullatave” me qëllim krijimin e hapësirave për përdorim të përbashkët nga dy vendet.

Nga pikëpamja profesionale, marrëveshja parashikon gjithashtu shkëmbimin e personelit diplomatik të Kosovës dhe Shqipërisë në përfaqësitë e njëra-tjetrës në botë dhe Akademitë Diplomatike do të fillojnë punën për krijimin e një programi trajnimi të përbashkët.

Së fundmi, nga pikëpamja e diplomacisë kulturore, marrëveshja detyron palët të zhvillojnë një kalendar të përbashkët të aktiviteteve kulturore me qëllim ruajtjen dhe promovimin e vlerave kombëtare në botë.
Kjo marrëveshje sipas dy ministrave hap një kapitull krejtësisht të ri të bashkëpunimit në fushën e politikës së jashtme midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.

Nga ana e tij Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, vlerësoi mikpritjen në Tiranë, duke thenë se edhe Kosova është një dhomë tjetër e shtëpisë sonë të përbashkët.

Duke iu drejtuar z. Cakaj “Vëllau im Gent”, Pacolli u shpreh i ngazëllyer që tashmë kishte ardhur koha që bashkëpunimi midis dy diplomacive ishte në momentin e mundësimit të një marrëveshjeje të tillë.

“Së bashku do të jemi më të fortë,” u shpreh Pacolli.

 

 

Konferenca e Përbashkët për Shtyp

 

Gent Cakaj: Përshëndetje të gjithëve,

Ju faleminderit shumë për interesin  për këtë komunikim të rëndësisë së veçantë. Sot kam pasur nderin e madh dhe kënaqësinë e rrallë të pres në vizitë zyrtare në Tiranë, Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, zotin Behgjet Pacolli.

Unë fillimisht dua të falënderoj zotin Pacolli për punën e tij të pakursyer në shërbim të zhvillimit të Kosovës në përgjithësi, por veçanërisht në përpjekjen e tij të vyer, për fuqizim të pozicionit ndërkombëtar të saj. Vlen të theksohet, se zoti Pacolli po ashtu, dallohet edhe për angazhimin e tij për t’ju gjendur shqiptarëve me shpirtin e tij humanitar në baza ditore dhe pa kushte kudo që ndodhen.

Prandaj, është kënaqësi e veçantë e imja t’i uroj mirëseardhje zotit Pacolli në Shqipëri dhe në shtëpinë tonë institucionale, që në fakt është edhe shtëpia e tij.

Sot, Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, të motivuara nga qëllimi për harmonizim absolut të politikave të tyre të jashtme në të gjitha dimensionet e tyre, të udhëhequra nga synimi për shfrytëzim të plotë të të gjitha hapësirave të bashkëpunimit ndërinstitucional, në fushën politike, diplomatike, konsullore dhe natyrisht, duke vlerësuar në mënyrë kritike lëvizjet në arenën ndërkombëtare, që kërkojnë përgjigjen e përbashkët dhe një qasje të bashkërenduar midis Kosovës dhe Shqipërisë, kanë nënshkruar marrëveshjen për vendosjen e një varg mekanizmash institucionalë në funksion të përafrimit të mëtejmë drejt njëra tjetrës dhe afirmimit më të fortë të interesave të ndërsjella.

Marrëveshja e sotme është e ndërtuar mbi katër shtylla:

E para, shtylla politike. Duke gjykuar nevojën për zgjerim të rrjetit tonë politik dhe ngritjen e cilësisë së përfaqësimit tonë diplomatik, për t’ju përgjigjur efektivisht sfidave që vendet tona kanë përballë në arenën ndërkombëtare kemi vendosur ngritjen e grupit ndërministror për përfaqësim të përbashkët ndërkombëtar, me qëllim të bashkërendimin e qëndrimeve politike në terrenin ndërkombëtar dhe natyrisht, marrjen e detyrimeve konkrete për përfaqësim të njëra tjetrës sipas vlerësimeve të përbashkëta, veçanërisht në organizata ndërkombëtare.

Theksoj se veçanërisht Republika e Shqipërisë nga sot e tutje merr përsipër jo thjesht afirmimin deklarativ, por edhe përfaqësimin e drejtpërdrejtë, mbrojtjen konkrete e afirmimin pa kushte të qëndrimeve zyrtare të Republikës së Kosovës në të gjitha instancat ndërkombëtare ku përfaqësimi i Kosovës për shkaqe objektive është i pamundur.

Këtu, gjej rastin për të falënderuar Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin  e Punëve të Jashtme të Kosovës për mbështetjen e tij dhënë Shqipërisë në një varg çështjesh të interesit shtetëror.

Po ashtu, në mënyrë që të zhvillojmë vazhdimisht politika efikase dhe të adresojmë me rigorozitet interesin kombëtar, kemi vendosur ngritjen e Këshillit të Përbashkët për Planifikim Strategjik, i cili ngarkohet me detyrën e përcaktimit të prioriteteve strategjike dhe propozimin e rregullt të politikave të rëndësisë kombëtare.

Kosova dhe Shqipëria, tani e tutje nuk do te veprojnë vetëm si një trup i unifikuar, por po ashtu edhe me një qasje skajshmërisht aktive në botën e jashtme.

E dyta, është shtylla diplomatike. Këtu dua të theksoj për të qenë korrekt me meritat e veçanta të zotit Pacolli, se kjo është një ide e kahershme e tij në shtyllën diplomatike me qëllim racionalizimin e shpenzimeve logjistike dhe administrative, por ndoshta dhe më me rëndësi se kaq, marrë në konsideratë domosdoshmërinë absolute për rritje të numrit të përfaqësive diplomatike dhe konsullore në botë, kemi rënë dakord për fillimin e punës, për ngritjen e fondit të përbashkët për menaxhimin, ngritjen dhe zhvillimin e ambasadave dhe konsullatave të përbashkëta nëpër botë. Kosova dhe Shqipëria, nga sot e tutje, fillojnë punën për te pasur ambasada dhe konsullata të përbashkëta në botë.

Ky zhvillim shënon rritje të pranisë tonë diplomatike, avancim të kapaciteteve tona të përbashkëta dhe gjithsesi një përafrim më të madh mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe kjo është një pjesë integrale e një projekti më të gjerë që është zhvillimi i një diplomacie të integruar midis dy vendeve.

Tutje, për t’i shërbyer kauzës afatgjatë për krijimin e, pikërisht, kësaj ndërmarrjeje, respektivisht trupës së integruar diplomatike, Kosova dhe Shqipëria menjëherë nga sot e tutje do të fillojë krijimin e një platforme të përbashkët të trajnimeve midis akademive të tyre diplomatike dhe në baza vjetore do të organizojnë konferencën e përbashkët të krerëve të misioneve diplomatike dhe konsullore.

E treta është shtylla profesionale. Këtu kam parasysh rritjen e aftësive në shërbim diplomatik dhe natyrisht angazhimet tona të përbashkëta për të shkëmbyer personelin në të gjitha vendet anë e kënd botës dhe në ministritë respektive.

Unë jam krejtësisht i nderuar të deklaroj sot para jush se po e pres me padurim ardhjen e diplomatëve të parë nga Kosova në shërbimin diplomatik të Shqipërisë dhe po ashtu, jam tepër i entuziazmuar për diplomatët e Shqipërisë që do të shkojnë të shërbejnë nëpër qendrat diplomatike ku Kosova gëzon avantazh të padiskutueshëm përfaqësimi.

Kjo masë, gjithsesi, do të shoqërohet edhe me këmbimet e stafit për ministritë tona në mënyrë që të adresojmë sfidat e përbashkëta dhe natyrisht të jemi më të ndjeshëm për të gjitha çështjet e preokupimit të ndërsjellë.

Së fundmi, është shtylla e diplomacisë kulturore. Shqipëria dhe Kosova sot kanë rënë dakord për zhvillimin e një kalendari të përbashkët të aktiviteteve kulturore me qëllim ruajtjen dhe promovimin e vlerave kombëtarë dhe po ashtu jemi dakordsuar për të organizuar konferencën vjetore të përbashkët, përfshirë diasporën e shoqërinë civile, e në bashkëpunim me ta, për të diskutuar format e forcimit të politikës së jashtme në shërbim të interesave dhe vlerave kombëtare.

Kjo marrëveshje është kurorëzim i frymës vëllazërore që ekziston midis dy vendeve, por po ashtu edhe domosdoshmëri objektive e strategjike për shkak të sfidave të përbashkëta.

Kjo nuk do te thotë se Kosova dhe Shqipëria nuk do të jenë të përkushtuara më tej, për të shteruar të gjitha hapësirat e bashkëpunimit, në mënyrë që të kenë një diplomaci të integruar.

Po ashtu në emër të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, konfirmoj nga sot e tutje bashkëngjitjen aktive të Shqipërisë në ndërmarrjen lobuese të Kosovës për t’i dhënë përgjigjen e qartë jo vetëm forcave të caktuara që cenojnë statusin ndërkombëtar të Kosovës, por edhe për të dhënë kontributin tonë përmbajtjesor për forcim të rolit të saj gjithherë në përputhje me vlerësimet që vijnë nga Ministria e Jashtme e Kosovës.

Sot nuk jemi vetëm më afër se ndonjëherë më parë pranë njeri tjetrit por kjo është edhe një kaptinë e re e bashkëpunimit, hap esencial për krijimin e diplomacisë të integruar midis dy vendeve.

Duke ju falënderuar jashtëzakonisht shumë për vëmendjen tuaj dhe interesin tuaj unë e kaloj fjalën te Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës.

Behgjet Pacolli: Faleminderit shumë Ministër, vëllai im Gent. Të falënderoj për këtë mikpritje vëllazërore. Siç e thatë me parë se ideja ishte e vjetër por idesë duhet t’i vijë edhe koha. Ajo është e fuqishme nëse koha i ka ardhur. Më duket se tani i ka ardhur koha që kjo ide e hershme e bashkëpunimit me 4 shtyllat të cilat Ministri i përmendi ka ardhur.

Dhe ideja është shumë e fuqishme tani. Ajo do t’i kontribuojë dy vendeve e më së tepërmi do ti kontribuojë Kosovës. Kosova ka nevojë për ndihmën e Shqipërisë, Kosova ka nevojë për mbështetjen e njerëzve me eksperiencë, njerëzve të cilët sot kontribuojnë në marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet e tjera. Pse mos ti jepet kjo  mbështetje edhe Kosovës.

Jam tejet i lumtur, që sot, tani, nënshkruam këtë marrëveshje dhe nga tani ne punojmë, kjo s’do të thotë që s’kemi punuar ne kemi punuar në interes të dy shteteve së bashku, por tani de fakto dhe de jure do të punojmë dhe do t’i shikoni edhe ju se rezultatet do të jenë më të mëdha.

Ne jetojmë në një kohë krejtësisht tjetër në krahasim me disa vite më parë. Në një kohë ku së pari gjeopolitika ka ndryshuar, interesat e shteteve të ndryshme kanë ndryshuar dhe tani ne duhet t’i adaptohemi këtij realiteti.

Adaptimi ynë fillon edhe nga kjo marrëveshje dhe ne tani do të jemi sa më tepër nëpër vendet ku s’kemi qenë prezentë deri tani. Nuk është logjike që në një kontinent si Afrika me 1/3 e vendeve të botës të mos jetë i mbuluar nga këto dy vende që janë praktikisht në paradhomën e Afrikës. Ne jemi shumë afër me Afrikën. Dhe unë besoj se sipas nevojës që Kosova ka tani shumë për mbështetjen e këtyre shteteve, do të paraqitet edhe nevoja ekonomike për Kosovën për Shqipërinë. Edhe për Kosovën që të ketë bashkëpunim ekonomik duhet të hipim në këtë tren, duhet ta marrim këtë tren, mos ta lëmë pa e marrë.

Edhe besoj se në këtë drejtim ne duhet të angazhohemi të hapim diplomacitë, përfaqësitë diplomatike të përbashkëta. Ka një mori vendesh ku ne operojmë si dy entitete dhe unë besoj se kjo është e tepërt. Ne duhet që këto energji t’i bashkojmë dhe të veprojmë së bashku. Pse mos të veprojmë nga një shtëpi edhe nga Berlini, nga Parisi, nga Roma, nga Uashingtoni, atë që tha Ministri, dhe unë do të jem mbështetës i kësaj ideje. Do të luftoj për këtë ide që ne të kemi përfaqësi të përbashkëta.

Kjo përpos që e rrit efiçencën dhe redukton kostot, rrit edhe imazhin. Se nëse ne jemi të aftë të bashkëpunojmë mes njëri tjetrit do të jemi të aftë të bashkëpunojmë edhe me të tjerët.

Dhe unë këtu duke falënderuar Ministrin për këtë atmosferë që ka krijuar tani pro Kosovës, për këtë proces që e ka mundësuar që të përshpejtohet, falënderoj edhe stafin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, i cili ka qenë gjithmonë aty ku nevojitet, i cili gjithmonë ka qenë i përgatitur t’ia zgjasë dorën Kosovës.

Kosova ka nevojë sot për këtë dorë të fortë dhe unë ju them se jemi të gatshëm gjithmonë të veprojmë edhe sipas këshillave të Republikës së Shqipërisë. Së bashku do të jemi më të fortë, më të dijshëm dhe sigurisht më të respektuar edhe prej të tjerëve.

Unë falënderoj për mikpritjen edhe njëherë dhe ju garantoj se Kosova është dhoma tjetër e shtëpisë tonë dhe aty gjithmonë do të ketë mirëkuptim do të ketë dyer të hapura, do të ketë gjithmonë shpirtra të hapura dhe duar të hapura për vëllezërit dhe motrat tona nga Shqipëria.

Faleminderit edhe njëherë dhe na priftë e mbara në këtë ndërvartësi, e cila është shumë, shumë me rëndësi jo vetëm për diplomacinë shqiptare por edhe për çështjen e kombit.

Faleminderit shumë.

Adresa

Plateia “Arch.Spyridonas” ,13, Odos “Anastasiou Zini”,
12, T.K. 45444, Ioannina, Greece

Tel / Fax

Tel. +30 26510 21330 +30 26510 22636
Fax. +30 26510 37768
Nr. i emergjences: +306971533398

E-MAIL

consulate.ioanina@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00