
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha priti në një takim, zv/Kryetarin e Bashkisë së Budapestit Miklós Csomós. Në këtë takim u diskutua për thellimin e bashkëpunimit mes Bashkisë së Tiranës dhe Bashkisë së Budapestit për menaxhimin e shërbimeve, të ujrave, punëve publike etj. Zv/Kryetari i Bashkisë së Budapestit theksoi se ekspertët më të mirë të kësaj bashkie do t’i ofrojnë asistencë Bashkisë së Tiranës në projektet e saj, mes të cilave dhe për projektin e tramit. Në këtë takim u diskutua edhe për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, nxitjen e investitorëve hungarezë për të investuar në Shqipëri, me theks të veçantë në fushën e hoteleri - turizmit, nxitjen e shkëmbimeve tregëtare, kryesisht në mallrat e konsumit ushqimor etj. Vizita e zv/Kryetarit të Bashkisë së Budapestit përkon edhe me “Javën Hungareze” në Tiranë. Një sërë aktivitetesh janë organizuar me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës, si ekspozita, seminare, opera etj. Në kuadër të bashkëpunimit mes dy kryeqyteteve, u zhvillua ceremonia e emërtimit të rrugës “Janos Hunyadi” në Tiranë, sikundër së shpejti pritet që statuja e Skënderbeut të vendoset në një nga sheshet e Budapestit.