Vizitë zyrtare e z. Cakaj në Budapest

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë të Hungarisë, Péter Szijjártó, zhvilloi një vizitë zyrtare në Budapest. Diskutimet u fokusuan tek procesi i integrimit evropian, si dhe në bashkëpunimi dypalësh dhe shumëpalësh. Ministri në Detyrë, Gent Cakaj, duke shprehur vlerësimin për mbështetjen e qëndrueshme të Hungarisë për Shqipërinë në procesin e integrimit evropian, e njohu Ministrin Péter Szijjártó me progresin e bërë në drejtim të plotësimit të 5 prioriteteve kryesore. Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm i Hungarisë u shpreh se Bashkimi Evropian duhet t’i hapë negociatat me Shqipërinë në muajin qershor dhe se për Hungarinë shtyrja e vendimit do të ishte e papranueshme. Duke theksuar rëndësinë e procesit të zgjerimit dhe kredibilitetit të tij Péter Szijjártó tha se siguria dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor janë të rëndësishme dhe ndikojnë drejtpërdrejtë edhe në sigurinë e Evropës Qendrore. Të dy Ministrat ndanë vlerësimin për marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve si në aspektin politik, ashtu edhe atë ekonomik. U theksua se kjo vizitë ka hapur mundësi të reja bashkëpunimi mes dy vendeve në turizëm, infrastrukturë, për sa i përket trajtimit të ujërave e mbetjeve, si dhe në sistemin bankar, ku banka OTP do shërbejë si mekanizëm për thithjen e investimeve hungareze në Shqipëri. Hungaria po mbështet gjithashtu me ekspertizë Shqipërinë në procesin e integrimit evropian. Ministri në detyrë Cakaj dhe Ministri hungarez Szijjártó firmosën dy marrëveshje, Marrëveshjen për asistencë të përbashkët në fushën e përmirësimit të menaxhimit të mbetjeve, shërbimit publik të ujësjellësit, politikave për çështjet klimatike, menaxhimit të energjisë së rinovueshme dhe efiçencës së energjisë dhe Marrëveshjen për punësimin e ndërsjellë të familjarëve të diplomatëve me shërbim në vendet tona. Në takim u shkëmbyen mendime edhe për kryesinë shqiptare të OSBE-së për vitin 2020, si dhe u rikonfirmua mbështetja e Hungarisë për kandidaturën e Shqipërisë për një vend të përkohshëm në Këshillin e Sigurimit të OKB për periudhën 2022-2023. 10 maj 2019

Adresa

Ambasada Shqiptare
Budapest 1062;
Andrassy ut 132; 2/3, Hungary

Tel / Fax

Tel: +3613361098
Cel: +36 30 201 3676
Fax. +3613361098
Numri i emergjencave +36 30 201 3676

E-MAIL

embassy.budapest@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E henë- E enjte: 8:30-17
E premte: 8:30-14:30
Sherbimi konsullor
E henë - E premte 10-12