Viti 2018, Viti i Skëndërbeut

Në kuadër të “Vitit të Skënderbeut”, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Budapest dhe Konsulli i Nderit, z. Avni Hafuzi, organizuan në Sheshin Skanderbeg të qytetit të Egerit një ceremoni përkujtimore me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Ceremoninë e nderuan me praninë e tyre zv.Kryetarja e Bashkisë, znj. Maronné Adler Ildikó, Ambasadorja e Republikës së Kosovës, znj. Luljeta Vuniqi, astronauti i parë hungarez dhe këshilltari ministror Bertalan Farkas, si dhe një numër shqiptarësh nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia që banojnë në Hungari. Në përshëndetjet e tyre Ambasadorja Vunqi, Konsulli Hafuzi dhe zv. Kryetarja Adler vunë në dukje vlerat e figurës së Skënderbeut si mbrojtës i vlerave Evropiane, si simbol i bashkimit të shqiptarëve dhe i miqësisë mes popujve shqiptar dhe hungarez, ndërsa z. Driton Smakaj recitoi për të pranishmit poezinë e Ismail Kadaresë “Portreti i Skënderbeut”. Nga ana e tij, Ambasadori Spasse, pasi vlerësoi elementët modernë për kohën të veprës së Skënderbeut, foli për ecurinë e vendit në procesin e integrimit evropian dhe i ftoi të pranishmit që në marrëdhëniet e tyre të përditshme me miqtë hungarezë të mos rreshtin së promovuari Shqipërinë dhe vlerat më pozitive të saj e të shqiptarëve. Pas ceremonisë Ambasadori Spasse dhe Konsulli Hafuzi zhvilluan një vizitë në Bashkinë e Egerit ku biseduan më gjatë mbi mundësitë e bashkëpunimit me dy zëvendëskryetarët e Bashkisë, znj. Maronné Adler Ildikó dhe z. Rázsi Botond. 17.01.2018

Adresa

Ambasada Shqiptare
Budapest 1062;
Andrassy ut 132; 2/3, Hungary

Tel / Fax

Tel: +3613361098
Cel: +36 30 201 3676
Fax. +3613361098

E-MAIL

embassy.budapest@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E henë- E enjte: 8:30-17
E premte: 8:30-14:30
Sherbimi konsullor
E henë - E premte 10-12