
Me ftesë të Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, z. Genc Ruli, zhvilloi një vizitë në Tiranë Ministri hungarez i Zhvillimit Rural Dr. Sándor Fazekas. Ministri hungarez i Zhvillimit Rural shoqërohej nga stafi i tij dhe nga biznesmenë hungarezë, të cilët vizituan panairin “AGROBIZNES E TURIZËM 2012”. Dy ministrat diskutuan për rritjen e bashkëpunimit mes ministrive të dy vendeve. Konkretisht është biseduar për bashkëpunim në programet e ndryshme bujqësore, për përmirësimin e kuadrit ligjor, për rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe bashkëpunim në sektorë të tjerë. Gjatë vizitës u bë me dije se qeveria dhe sektori privat hungarez është mëse i interesuar për të gjetur mundësi të reja për të investuar dhe për të gjetur partnerë në sektorin privat.Dy ministrat kanë firmosur disa marëveshje, të cilat kanë në thelb rritjen e shkëmbimit të informacionit mes dy vendeve, dhënien e bursave për studime në Hungari, përmirësimin e sigurisë ushqimore, rritjen e shkëmbimeve tregëtare, kërkimeve shkencore, koordinim mes dy vendeve për informacion mbi çmimet, etj.