Dita e Pavarësisë- Përshëndetja e Ambasadorit Spasse

Të dashur miq, Festa Kombëtare e Shqipërisë na gjen sot të distancuar fizikisht për shkak të pandemisë. Por 28 Nëntori, me simbolikën e tij, i bashkon shqiptarët dhe miqtë e tyre sado larg të ndodhen. Sot, shqiptarët kujtojnë dhe nderojnë veprën e atyre burrave dhe grave të shquar që pavarësinë e Shqipërisë e bënë qëllimin e vetëm të jetës së tyre. Sot përkulemi me respekt përpara firmëtarëve të aktit të shpalljes së pavarësisë. Por sot kujtojmë me po aq mirënjohje edhe ata që punuan, luftuan dhe sakrifikuan për ta arritur pavarësinë e më pas, për ta mbrojtur atë. Dhe mes tyre, mirënjohje meritojnë edhe shumë miq hungarezë. Të nderuar zonja dhe zotërinj, Pas një tranzicioni të gjatë e të vështirë, Shqipëria i është afruar fazës së fundit që e ndan nga arritja e objektivit të vetë strategjik – anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Me përmbushjen e kritereve dhe të kërkesave të vendosura nga Komisioni Evropian, vendi është i gatshëm të nisë procesin e negociatave të antarësimit. Jam I bindur se në këtë proces të gjatë, të vështirë dhe transformues Shqipëria do të tregohet një partner i aftë dhe me vullnet për të ndarë vlerat e përbashkëta evropiane. Në këtë rrugëtim drejt antarësimit, ashtu si edhe më parë në histori, Shqipëria ka patur mbështetjen e sinqertë dhe konkrete të Hungarisë dhe të popullit hungarez. Me këtë rast shprehim mirënjohjen për ndihmën hungareze me pajisje, me të holla dhe me ekspertë pas dy tërmeteve të vitit të kaluar, për ndihmën e dhënë gjatë këtij viti në luftën kundër përhapjes së Covid-19, si dhe për ekspertët hungarezë të integrimit, të atashuar tashmë prej dy vitesh pranë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Ndonëse pandemia ka ndikuar në shtyrjen e disa projekteve të përbashkëta ekonomike dhe kulturore, ajo nuk ia ka dalë të ndikojë në marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe. Kontatktet fizike në nivelin politik kanë vijuar, po ashtu edhe shkëmbimet ekonomike dhe tregtare. Vërejmë me kënaqësi që interesi për Shqipërinë, si destinacion për turizëm dhe investime, vjen duke u rritur. Ky fakt na shton besimin se me fundin e pandemisë idetë e përpunuara dhe energjitë e grumbulluara do të sjellin një intensifikim të bashkëpunimit mes dy vendeve. Duke përfunduar, të dashur miq, ju uroj gëzuar Ditën e Pavarësisë.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Budapest 1062;
Andrassy ut 132; 2/3, Hungary

Tel / Fax

Tel: +3613361098
Cel: +36 30 201 3676
Fax. +3613361098
Numri i emergjencave +36 30 201 3676

E-MAIL

embassy.budapest@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E henë- E enjte: 8:30-17
E premte: 8:30-14:30
Sherbimi konsullor
E henë - E premte 10-12