Zhvillohet në Selanik takimi i Ministrave të Jashtëm dhe të Brendshëm të Greqisë, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë për krizën migratore

Selanik, 21-22 prill 2016

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati dhe Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri morën pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm dhe të Brendshëm të Greqisë, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë për krizën migratore, që u zhvillua në Selanik.

Në fokus të takimit ishin diskutimet mbi krizën migratore shkaktuar nga fluksi i të ardhurve nga vatrat e luftës dhe konflikteve në Lindjen e Mesme, forcimi i dialogut dhe zgjerimi i bashkëpunimit ndërkufitar midis katër vendeve.

Ministrat u ndalën në frymën e angazhimeve të ndërmarra në Mbledhjen e Nivelit të Lartë të tetorit 2015 mbi fluksin e refugjatëve përgjatë vijës së Ballkanit Perëndimor. Takimi i Selanikut vuri theksin në evidentimin e aspektit human, në trajtimin e tij, nevojën për koordinim dhe përforcim të veprimit dhe masave operacionale në adresimin e sfidave që sjell kjo krizë, përfshirë rreziqet e trafikut të qenieve njerëzore, kërcënimit të sigurisë dhe terrorizmit. Në këtë kontekst, ministrat shprehen vendosmërinë në mbrojtje të vlerave tona dhe respektimit të lirive dhe të të drejtave themelore të njeriut.

Thellimi i agjendës gjithëpërfshirëse të bashkëpunimit mbi migrimin ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor ishte gjithashtu një tematikë e rëndësishme e diskutimeve të këtij takimi.

Ministri Bushati ritheksoi angazhimin e vendit tonë për të qenë pjesë e një zgjidhjeje të përbashkët evropiane bazuar në ndjenjën e solidaritetit dhe kapacitetit, si dhe vullnetin për të mbajtur gjallë vlerat, parimet dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare. "Bashkëpunimi cilësor i vendeve kandidate me ato anëtare të BE-së, duhet të shndërrohet në një mundësi për të përforcuar angazhimin politik dhe përshpejtuar proceset integruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor", theksoi ai.

"Mbështesim këtë format takimi i cili mbart një vlerë të veçantë jo vetëm për të shkëmbyer eksperiencat për bashkëpunimin ndërkufitar, por edhe për të evidentuar ato rreziqe që burojnë nga ndryshimi i mjedisit të sigurisë në jug dhe lindje të Mesdheut", u shpreh Ministri Bushati.

Gjithashtu, në kuadër të këtij ministeriali, Ministri Bushati zhvilloi një takim dypalësh me homologun grek Nikos Kotzias. Dy ministrat u ndalën në vijimin e komunikimit dhe procesit të nisur mbi trajtimin dhe gjetjen e zgjidhjeve për të gjitha çështjet dypalëshe, agjendën e bashkëpunimit ekonomik, zhvillimet në rajon dhe integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor. Palët shprehën rëndësinë e vijimit të dialogut midis dy qeverive të vendeve tona, në kuadër të rritjes së frymës së besimit dhe nevojës së konkretizimit të veprimit për të avancuar drejt zgjidhjes së çështjeve dypalëshe.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Vekiareli 7 Filothei 15237,
Athens. GR

Tel / Fax

Tel. +30 210 6876212
+30 2106876213
+30 2106876215
+30 210 6876200
Fax. +30 210 6876223

E-MAIL

embassy.athens@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00
Sektori Konsullor
08.00-14.00