Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme merr pjesë në sesionin e 55-të të “Konferencës së Sigurisë së Mynihut”, 15-17 shkurt 2019, Mynih

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj mori pjesë në punimet e sesionit të rradhës së Konferencës së Sigurisë së Mynihut, e cila prej disa vitesh përbën një arenë të rëndësishme dhe të pavarur të liderëve globale, për të zhvilluar diskutime informale, për sfidat më aktuale të sigurisë. Edicioni i 55-të i kësaj Konference, ishte një nga më të rëndësishmit e 10 vjeçarit të fundit, me pjesëmarrjen më të madhe të personaliteteve të larta në rang global, por edhe sepse 2019 do të jetë viti i provës për zhvillimet ndërkombëtare në fushën e sigurisë.

Tematika qendrore e sesionit të sivjetshëm të Konferencës, ishte ruajtja e rendit aktual ndërkombëtar, situata në marrëdhëniet trans-atlantike, Ballkani Perëndimor dhe perspektivat e tij integruese, si dhe vatrat aktuale të krizave në botë (Siria, Jemeni, Saheli, Venezuela).  Në margjinat e këtij aktiviteti Ministri në detyrë Cakaj zhvilloi dhe një sërë takimesh dypalëshe me disa Ministra të Jashtëm evropianë, përfaqësues të BE-së, OSBE-së, NATO-s, si dhe personalitete të larta, të pranishëm në këtë konfrencë.

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi një takim me Zëvendës Asistenten e Presidentit Trump dhe Drejtore e Lartë për Evropën dhe Rusinë në Këshillin Kombëtar të Sigurisë në Shtëpinë e Bardhë, Fiona Hill. Bashkëpunimi në kuadër të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkëveprimi për sfidat e sigurisë globale, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi evropian, ishin ndër çështjet e trajtuara në takim.

Cakaj shprehu vlerësimin për mbështetjen e çmuar të SHBA-ve për proceset demokratizuese dhe kryerjen e reformave në vend, si dhe partneritetin strategjik mes dy vendeve. Ai siguroi mbi angazhimin e Shqipërisë për të vijuar si partner i vendosur përkrah SHBA-ve për stabilitetin, paqen e prosperitetin në rajonin tonë e më gjerë, si dhe në drejtim të përballimit të sfidave të sigurisë globale. Hill vlerësoi kontributin e Shqipërisë për renditjen e saj përkrah SHBA-ve në adresimin e sfidave globale të sigurisë, si dhe shprehu mbështetjen e SHBA-ve për reformat në Shqipëri dhe rrugën e integrimit të Evropian.

Në takimin që Ministri Cakaj zhvilloi me Zëvendës Sekretaren e Përgjithshme të NATO-s, Rose Gottemoeller, u diskuta mbi pikëpamjet politike dhe këndvështrimet respektive mbi çështjet me ndjeshmëri gjeopolitike në rajon dhe mbi suazën e sigurisë euroatlantike, pak muaj para takimit të radhës të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të NATO-s, që do të mbahet me 3-4 prill 2019, në Washington. Ministri Cakaj vlerësoi veçanërisht rolin dhe peshën e Aleancës, si garantuese e paqes dhe sigurisë ne rajon. Po ashtu, ai vlerësoi rolin e KFOR-it në Kosovë, si një spirancë stabiliteti për Kosovën dhe më gjerë. Nga ana e saj,  Zëvendës Sekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Gotemoeller vlerësoi rolin dhe kontributet e qenësishme të Shqipërisë si vend aleat, si në konteksin e rajonit, ashtu edhe në suazën e sigurisë transatlantike. Lidhur me rajonin, ajo ripërmendi qëndrimin e njohur të NATO-s mbi zhvillimet e kohëve të fundit në rajon, si ecuria e përshpejtuar e Republikës së Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit të plotë në NATO dhe mbështetja për dialogun Kosovë-Serbi, si e vetmja mënyrë për të sjellë paqe dhe qëndrueshmëri në rajon.

Ministri Cakaj zhvilloi një takim edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Thomas Greminger. Sekretari i Përgjithshëm pasi e uroi Ministrin në Detyrë, shprehu vlerësimin e tij për angazhimin e Shqipërisë për marrjen e Kryesisë së OSBE-së në një kohë të vështirë e plot sfida për sigurinë dhe stabilitetin në hapësirën e OSBE-së dhe më gjerë. Në vijim, Sekretari i Përgjithshëm e siguroi Ministrin në Detyrë për vendosjen e një bashkëpunimi të ngushtë dhe mbështetjen e plotë të sekretariatit ndaj Kryesisë shqiptare, në funksion të përmbushjes me sukses të këtij angazhimi. Nga ana e tij, Ministri në Detyrë, Cakaj, vlerësoi mbështetjen e plotë të Sekretarit të Përgjithshëm në procesin e miratimit konsensual të kandidaturës së Shqipërisë për kryesimin e OSBE-së në 2020. Shqipëria, tha ai, është totalisht e angazhuar për të ofruar kontributin e saj në përpjekjet e përbashkëta të të gjithë vendeve pjesëmarrëse, për vendosjen e një dialogu konstruktiv dhe krijimin e besimit në adresimin e sfidave të tanishme dhe të ardhshme në hapësirën e OSBE-së. Në vijim, të dy bashkëfolësit shkëmbyen mendime mbi forcimin e rolit dhe kapaciteteve të OSBE-së, për adresimin e përbashkët të krizave, me synim shfrytëzimin e plotë të potencialit të Organizatës në përballimin e tyre. Gjithashtu, gjatë takimit u diskutua edhe mbi angazhimin e Shqipërisë si anëtare e Trojkës dhe Kryesuese aktuale e Grupit të Kontaktit të Mesdheut.

Ministri Cakaj pati një takim edhe me Ministren e Jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, të cilën e falënderoi për kontributin e saj dhe të Bullgarisë gjatë presidencës së BE-së dhe në vijim për mbështetjen e plotë të Shqipërisë në rrugën e integrimit dhe për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Bashkëbiseduesit theksuan nevojën për rritjen e bashkëpunimit ekonomik, si dhe në fushën e turizmit e kulturës. Ministri Cakaj vlerësoi rritjen e pranisë së biznesit bullgar në Shqipëri dhe siguroi për gadishmërinë e tij për ta çuar më tej këtë bashkëpunim në fusha me interes të ndërsjellë. Ministrja Zaharieva e siguroi Ministrin Cakaj për vendosmërinë e Bullgarisë për të mbështetur me të gjitha mundësitë ecurinë e procesit të integrimit dhe hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Vekiareli 7 Filothei 15237,
Athens. GR

Tel / Fax

Tel. +30 210 6876212
+30 2106876213
+30 2106876215
+30 210 6876200
Fax. +30 210 6876223

E-MAIL

embassy.athens@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00
Sektori Konsullor
08.00-14.00