Ministri Bushati pret në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, z. Nikolaos Kotzias

Ministri i Punëve Jashtme z. Ditmir Bushati priti sot takim Ministrin e Punëve Jashtme Greqisë, z. Nikolaos Kotzias.

Takimi mes dy ministrave jashtëm u përqendrua trajtimin e gjitha çështjeve me interes për marrëdhëniet dypalëshe me karakter historik dhe aktual, bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian Ballkanit Perëndimor.

Konfirmimi i perspektivës përbashkët evropiane dhe vendosmërisë për çuar përpara procesin e integrimit evropian rajonit, intensifikimi i bashkëpunimit dypalësh gjitha fushat e identifikuara me interes ndërsjellë për palët, rigjallërimi i kontakteve zyrtare nivelit lartë mes dy vendeve, vullneti për bashkëpunim dhe jetësim projekteve zhvillimore dhe energjetike rajonale, ishin pjesë e agjendës bisedimeve mes ministrave jashtëm

Në këtë kontekst, palët diskutuan mbi gjetjen e mekanizmave që do të çonin në çmontimin juridik të ligjit të luftës.

Në lidhje me delimitimin e shelfit kontinental dhe zonës ekonomike ekskluzive palët ranë dakord se fillimisht ekipet respektive duhet të kryejnë vlerësimin teknik, dhe përcaktimin e modaliteteve që do të çojnë drejt ofrimit të një zgjidhje të qëndrueshme. 

Në rast se nuk arrihet mirëkuptim, do të kërkohet adresimi i çështjes brenda normave të së drejtës ndërkombëtare, frymës evropiane e cila orienton drejt mekanizmave apo instrumenteve që mund të japin një zgjidhje definitive.

Gjithashtu palët vlerësuan se, ka ardhur momenti qe të hidhen hapa të rinj, duke rishikuar zbatimin e Traktatit ekzistues të Miqësisë. Ky rishikim duhet të shërbejë për të ndërtuar një kuadër të ri ligjor, në ndihmë të zgjidhjes së problemeve konkrete, me mekanizma të reja konform peshës reale, marrjes në konsideratë të të gjitha përgjegjësive përkatëse në rajon, frymës se barazisë, respektit të ndërsjellë dhe larg çdo lloj nuance e retorike nacionaliste.  

Të dy homologët vlerësuan se marrëdhëniet ndërmjet vendeve tona fqinje duhet të orientohen drejt gjetjes së zgjidhjeve te mirë pranuara mes palëve për problemet e trashëguara nga e kaluara e largët apo e vonë, të frymëzuara dhe përcaktuara nga përkatësia evropiane dhe bashkëpjesëmarrja në NATO, bazuar në Traktatin e Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë midis dy vendeve, dhe, në përputhje me kuadrin ligjor të brendshëm të secilit vend dhe në të Drejtën Ndërkombëtare.

Dy Ministrat ritheksuan rëndësinë strategjike të marrëdhënieve dypalëshe dhe rikonfirmuan se këto marrëdhënie do të vijojnë të mbështeten dhe të udhëhiqen  nga parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe fryma evropiane.

Gjate kësaj vizite ministrat Bushati, Ahmetaj dhe Panariti nënshkruan me Ministrin Kotzias tri marrëveshjeve në fusha konkrete të bashkëpunimit dypalësh, konkretisht :

1. Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Rindërtimit të Prodhimit, Mjedisit dhe Energjisë të Republikës së Greqisë “Për bashkëpunimin në fushën e bujqësisë”.

2. Plani i Përbashkët i Veprimit ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Ekonomisë, Infrastrukturës, Çështjeve Detare dhe Turizmit të Republikës së Greqisë, “Për periudhën 2015-2018 në fushën e turizmit”.

3. Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Greqisë për përshpejtimin e procesit të integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian. 

 

                                                                      ***

 

Konferenca e përbashkët për shtyp e dy Ministrave

 

MPJ Ditmir Bushati: Mirëdita të gjithëve!

Është kënaqësi për mua të mikpres sot në Tiranë Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë fqinje, homologun tim Nikos Kotzias.

Si vizitë e parë e Ministrit Kotzias kjo ishte një mundësi e mirë për të rishikuar progresin në bashkëpunimin tonë në nivel dypalësh, rajonal dhe Evropian.

Si dy vende fqinje që ushqejnë marrëdhënie të një rëndësie strategjike, vlerësojmë se vetëm përmes dialogut, bisedimeve dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare mund të tejkalojmë pengesat e trashëguara nga e kaluara, të cilat mbartin ngarkesë politike dhe emocionale. 

Por ç’do të thotë të jesh fqinj në këto anë?

Marrëdhënia midis fqinjëve mund të përshkruhet më së miri në fjalët e Sofokliut, si një marrëdhënie ku “besimi mund të zbehet shumë lehtë dhe mosbesimi të lulëzojë fuqishëm”.

Prandaj është nevoja që të investojmë gjithnjë tek fryma e besimit. Sepse për ne, të qënurit fqinjë:

- Do të thotë se marrëdhëniet tona janë më shumë se të nevojshme, janë të domosdoshme,

- Do të thotë se, shumë herë, gjërat që na bashkojnë duket sikur na ndajnë,

- Do të thotë që, edhe pse marrëdhëniet mund të kenë pasur dritë-hije,  përpjekjet për të rigjetur klimën e një besimi të qëndrueshëm nuk duhet të rreshtin asnjëherë,

Por çdo të thotë të jesh fqinj i mirë?

Në perceptimin tonë, do të thotë detyrimisht se ndajmë një të ardhme të përbashkët: një të ardhme ku, siç do të thoshte filozofi holandez Spinoza, “paqja nuk është thjesht e kundërta e luftës, paqja është një virtyt, një vullnet dashamirësie, besimi dhe drejtësie”

Për pasojë të qënurit fqinj, e për më tepër fqinj strategjik, do të thotë se nuk kemi asnjë tabu midis nesh. Unë e di dhe e mirëkuptoj  se vizita të tilla të zyrtarëve të lartë të Greqisë në Shqipëri dhe anasjelltas, krijojnë pritshmëri të natyrshme për opinion publik.

Në kuadër të kësaj pritshmërie, mund t’ju them se kemi biseduar me homologun  në një mënyrë krejt të sinqertë, të drejtpërdrejtë, në një ambient  mjaft të ngrohtë për të gjitha  ato çështje  që i konsiderojmë si pjesë të agjendës  tonë dypalëshe ose siç njihen ndryshe pjesë të dosjes sonë diplomatike nga çështjet që konsiderohen të vjetra  apo relike  të së kaluarës dhe deri tek tematikat e përditshmërisë. 

Për të gjitha këto çështje  më vjen mirë  të them që nuk jemi mjaftuar thjesht tek listimi apo tek ballafaqimi  i qëndrimeve tona por kemi tentuar  të skicojmë edhe rrugëdalje të mundshme. Në rast se nuk arrihet mirëkuptimi, nuk  ka asnjë diskutim  që ne do të kërkojmë  adresimin e tyre  brenda  normave të së drejtës ndërkombëtare që mundësojnë  zgjidhje të  mirëpranuara  nga palët sepse  në fund të fundit jemi dy vende anëtare të NATO-s dhe jemi një vend  i cili aspiron të jetë anëtar në BE.

Në këtë frymë  ne inkurajuam Greqinë  që të vijojë me qasjen e saj konstruktive në rajon.  Dihet pozicionimi dhe roli i Greqisë,  që me agjendën e Selanikut  që në 2003, frytet  e kësaj agjende Ballkani Perëndimor edhe sot e kësaj dite  po i merr, ndonëse me vështirësi . Kemi inkurajuar  dhe mbështesim vizitën e Ministrit të Jashtëm grek në Kosovë, një lloj  afrimi të mëtejshëm me Kosovën  dhe në këtë drejtim nuk ka pikë diskutimi që do të inkurajonim  dhe mbështesnim njohjen e realitetit  të Kosovës së pavarur, në një të ardhme sa më të afërt nga ana e Greqisë.

Sfidat me të cilat përballet sot Evropa dhe rajoni, i venë të dyja vendet përballë përgjegjësive të reja:

- Së pari kemi çështjet e sigurisë në jug dhe në lindje të kontinentit tonë,

- Së dyti është edhe çështja e krizës ekonomike me të cilën përballet fqinji ynë, të cilën në krye të herës nuk e kemi parë thjesht si një çështje që i përket vetëm Greqisë, por si një çështje politike, një çështje evropiane që përmban edhe dimensionin e sigurisë.

Prandaj urojmë që situata aktuale të tejkalohet sa më shpejt nëpërmjet marrëveshjes së arritur me BE-në, për mirëqenien e popullit grek por edhe të qytetarëve shqiptarë që jetojnë, punojnë dhe kontribuojnë në Greqi

Në këtë kontekst dua të falënderoj palën greke, e cila, edhe pse ne moment te vështirë e ka gjetur kohen që të miratojë në Parlament ligjin për nënshtetësinë prej të cilit përfitojnë dhe  një numër i konsiderueshëm i fëmijëve të emigrantëve shqiptarë të lindur në Greqi.

- Së treti, një rëndësi të veçantë kanë edhe çështjet e sigurisë energjetike, që do të vijojnë të kryesojnë agjendën e ekonomike të këtij këndi të Evropës.

Në këtë kontekst, Shqipëria ka treguar nëpërmjet politikës së saj dinamike dhe konstruktive në rajon, si dhe nëpërmjet linjëzimit të plotë me qëndrimet e BE-së, se është një partner i besueshëm.

Sot, u angazhuam për të punuar ngushtësisht për mbarëvajtjen e projekteve me rëndësi për sigurinë energjetike dhe stabilitetin ekonomik rajonal, përfshi edhe burimet tona të përbashkëta natyrore.

Gjithashtu, ka ardhur momenti qe të hedhim hapa të rinj, duke rishikuar zbatimin e Traktatit ekzistues të Miqësisë. Ky rishikim duhet të shërbejë për të ndërtuar një kuadër të ri ligjor, në ndihmë të zgjidhjes së problemeve konkrete, me mekanizma të reja konform peshës reale, marrjes në konsideratë të të gjitha përgjegjësive përkatëse në rajon, frymës se barazisë, respektit të ndërsjellë dhe larg çdo lloj nuance e retorike nacionaliste.  

Dua të falënderoj MPJ Kotzias për mbështetjen që Greqia i jep Shqipërisë në procesin e integrimit Evropian.

Siç kisha rënë dakord me ministrin Venizelos gjatë vizitës së tij të parë në Tiranë, sot ne kemi finalizuar dhe nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit për Përshpejtimin e Integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Gjithashtu, memorandumet që nënshkruam sot në fushën e turizmit dhe bujqësisë janë një dëshmi se të dyja palët angazhohen që çdo çështje e pazgjidhur ende mos të influencojë në mbarëvajtjen e proceseve integruese,  pasi këto procese janë ne interesin e të dyja vendeve.

Në këtë kontekst, dua të ritheksoj, se takimi i sotëm dëshmon qartë vullnetin tonë për të vijuar bisedimet në një mënyrë gjithnjë e më të hapur dhe transparente, ashtu siç i takon fqinjëve.

Faleminderit!

 

MPJ Nikolaos Kotzias: Ditmir të falënderoj shumë!

Duhet të filloj jo nga Shqipëria, por nga shqiptarët që jetojnë në Greqi. Them gjithnjë, publikisht, në vendin tim se ne jemi me fat që kemi bashkëqytetarë të tillë, të cilët janë njerëz me kulturë, me kuptimësi dhe me frymë bashkëpunimi, duke sjellë dhe rezultate që kanë tendencën të kenë një ngritje shoqërore dhe jemi njerëzit më me fat në Evropë që kemi emigrantë të tillë. Këta emigrantë, pikërisht me ligjin e ri që ka kaluar qeveria ime në Parlamentin grek dhe kryesisht fëmijët e tyre, përbëjnë pikërisht atë hallkë lidhëse mes dy vendeve tanë. Janë e ardhmja e marrëdhënieve tona dhe duhet të them gjithashtu diçka duke nderuar dhe njerëzit që më kanë ftuar, se gjithmonë në klasat dhe auditorët e universiteteve, shqiptarët janë pesë ndër dhjetë studentët, të cilët marrin pjesë atje dhe kanë një dëshirë të mësojnë, të hapin rrugë të reja në jetën e tyre.

Unë i vlerësoj dhe i dua shumë studentët shqiptarë që jetojnë në Greqi. Jam me fat gjithashtu si grek që kemi këta emigrantë aktivë që vijnë nga Shqipëria dhe jam me fat që si profesor kam pasur dhe shpresoj që të kem edhe në të ardhmen studentë të mirë nga Shqipëria.

Është pikërisht fryma e një populli, i cili do t’i japë frymë së ardhmes. Pikërisht ky dispozicion i luftëtarit që lufton për të ardhmen, me një dispozitë paqësore, demokratike me një drejtë si sociale, ne këtë gjë e përjetojmë çdo ditë me bashkëqytetarët shqiptarë, me studentët e mi shqiptarë që kam në auditor dhe e kam gjetur këtë frymë edhe në takimin e sotëm dhe ju falënderoj shumë për mikpritjen, por edhe për diskutimin e paqtë që kishim. Shqipëria është pjesë e Evropës, është pjesë e Ballkanit, është një partner, një vend por edhe një fqinj strategjik.

Perëndia, ose Allahu na ka dërguar që të bashkëjetojmë në këtë zonë dhe jemi të detyruar që të bëhemi sa më kreativë. Ne dëshirojmë të jemi sa më krijues në përgatitjen e Shqipërisë për në Bashkimin Evropian. Duam të jemi sa më krijues për bashkëpunimin që kemi me NATO-n dhe duhet t’ju them se jam shumë insistues përkundrejt projekteve ndërkombëtare, se çdo gjë që ndodh në Ballkan duhet të përfshijë edhe Shqipërinë, qoftë kjo në lidhje me sigurinë energjetike apo me linja të reja ndërkomunikimi.

Kemi një politikë të integrimit dhe jo të mënjanimit. Të dyja vendet duhet të luajnë një rol stabilizues në zonën tonë. Ju e dini se unë e kam të zakonshme që ne jetojmë në një trekëndësh të paqëndrueshëm sigurie, kemi në majë Ukrainën, Libinë majtas dhe Lindjen e Mesme në të djathtë, dhe ne duhet të stabilizojmë këtë mjedis tonin, duke shmangur pikërisht këto valë paqëndrueshmërie dhe duke përcjellë valë qëndrueshmërie.

Bashkëpunimi ynë nuk është i rëndësishëm vetëm për dy vendet dhe popujt tanë; ai është i rëndësishëm për të gjithë Evropën Juglindore. Madje edhe bashkëpunimi në fushën e Adriatikut, i cili ka marrë institucionalisht tani karakteristika të reja.

Gjithashtu kemi nënshkruar një seri marrëveshjesh me Z. Bushati, kemi nënshkruar tri marrëveshje të rëndësishme e në të ardhmen do të nënshkruajmë edhe marrëveshje më të rëndësishme, që do të jenë sigurisht një memorandum të rishikuar të miqësisë, i cili do të përfshinte gjithë orientet nga energjia te komunikimi dhe te telekomunikimi.

Gjithashtu diskutuam edhe për marrëveshje që ekzistojnë dhe që duhet të aktivizohen, të rishohim çështje aktuale, si p.sh. librat shkollorë. Folëm gjithashtu edhe për mënyrën se si do të zgjidhim çështje me interes të përbashkët dhe që lidhen me të drejtën ndërkombëtare, që lidhen me të drejtën mbi ujërat dhe mbi detet. Dhe mendoj se si Ministër Bushati edhe unë jemi të palëkundur se problemet ekzistojnë në mënyrë që ato të zgjidhen, ndaj ne mendojmë se edhe vizita e Ministrit në Athinë, në vjeshtë besoj, do të përbëjë hapa të rëndësishëm, hapa të mëdhenj bashkëpunimi dhe miqësie mes dy popujve, mes dy shteteve, por edhe mes nesh.

Sikundërse ju mund ta dini, besimi është diçka shumë e vlefshme, i cili formësohet edhe te popujt e institucionet, por edhe mes individëve, ndaj unë jam shumë i kënaqur dhe dua t’ju falënderoj këtu, për mënyrën e hapur dhe miqësore me të cilën ne diskutuam këtu për të gjetur zgjidhje kreative dhe për të promovuar bashkëpunimin tonë. Ju falënderoj shumë Ditmir!

Pyetje për MPJ Bushati: Një pyetje për Ministrin Bushati. Do të doja t’ju pyesja për bashkëpunimin e vitit 2009 për kufijtë detarë, e cila është tërhequr tashmë nga Gjykata Kushtetuese shqiptare. Mbi këtë ekzistonte edhe një model e cila është bërë në nivel botëror. E njëjta metodë e cila ishte përdorur pikërisht për këtë marrëveshje mes Greqisë dhe Shqipërisë, ishte përdorur edhe në vitin 1992 për një marrëveshje respektive mes Shqipërisë dhe Italisë, nga e cila ju fituat 70.000 km katror. Ka ndryshim mes qëndrimit tuaj nga njëri rast në tjetrin, për të njëjtën lloj marrëveshjeje? Çfarë mund të na thoni lidhur me këtë z. Ministër? 

MPJ Ditmir Bushati: Ju falënderoj për komentin dhe për pyetjen që bëtë në lidhje me këtë çështje. Mund t’ju them që edhe nga pikëpamja gjeografike çështja e përcaktimit të shelfit kontinental apo të zonës ekonomike ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë nuk është e njëjta gjë si ajo që do duhet të caktohet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Sikundër e njëjta gjë vlen edhe për Greqinë në raport me Italinë dhe këtë e imponon edhe pozicioni gjeografik. Por është sot e rëndësishme të theksohen disa elemente. Çështja që njihet ndryshe në terminologjinë  popullore si çështja e detit por që në një gjykim më profesionist konsiderohet si nevoja për të përcaktuar shelfin  kontinental dhe zonën ekonomike ekskluzive është një ndër temat të cilën e kemi diskutuar së bashku me ministrin Kotzias. Pra është një nga temat, sepse dihet gama e çështjeve për të cilët palët kanë këndshikime të ndryshme. Dihen edhe pozicionimet dhe zhvillimet në Shqipëri dhe Greqi për këtë çështje. Edhe me të drejtë pritshmëria e opinionit publik në Shqipëri dhe në Greqi është se si do të kapërcehet kjo situatë edhe si do të shkohet në një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët. Një zgjidhje e cila për ne dua ta them këtu edhe atë që kam thënë edhe në takimin dypalësh, duhet të jetë një zgjidhje e cila është e bazuar plotësisht në të drejtën ndërkombëtare, një zgjidhje e cila bëhet në frymën evropiane dhe jo si  precedent përkundrejt rasteve që mund të konsiderohen   të ngjashme ose jo. Pra nuk do të preferoja dhe nuk mendoj që do të ishte e këshillueshme që të orientojmë opinionin publik në raste të tjera që mund të mos kenë ngjashmëri me këtë raport dhe është një zgjidhje të cilën ne dy ministrat dëshirojmë që të vijë në radhë të parë nga ekspertët dhe grupet e ekspertëve për të pasur një reflektim më të thellë për adresimin e kësaj çështjeje, siç edhe unë e thashë besoj  qartë në fjalën time këtu. Në rast se nga një punë e gjatë që do të mund të bëjnë grupet e ekspertëve nuk arrihet në një konkluzion të përshtatshëm, të pranueshëm nga të dyja palët, e drejta ndërkombëtare, fryma evropiane na orienton drejt mekanizmave apo instrumenteve që mund ta krijojnë këtë besim dhe mund të na japin një zgjidhje definitive. Për t’iu referuar rastit të marrëdhënies së Shqipërisë me Italinë në përcaktimin e këtyre elementëve mund t’ju them se procesi i negociatave ka zgjatur rreth 7 vite dhe ka një dosje voluminoze si në ministrinë tonë ashtu edhe në Farnesina. Që do të thotë se  pavarësisht pritshmërive dhe pyetjeve që shtrohen për këtë çështje si nga opinion publik shqiptar ashtu edhe ai grek këto janë çështje që kërkojnë kohën dhe momentin e duhur në mënyrë që të zgjidhen.  E fundit por jo më pak e rëndësishme, ne kemi një interes strategjik për ta zgjidhur këtë çështje, si ne ashtu edhe Greqia, sepse kemi ekonominë detare që duam ta eksplorojmë, duam ta zhvillojmë, kemi konceptet e Bashkimit Evropian për makro-rajonet dhe nuk e kemi menduar asnjëherë që mund të ketë një zgjidhje të njëanshme për këtë çështje, siç e dimë fare mirë që Greqia është një vend që e respekton po ashtu si ne parimet, të drejtën ndërkombëtare dhe kërkon gjithashtu që të ketë një marrëveshje të pranuar dhe të rakorduar me ne. Prandaj mund t’ju them që pavarësisht leximeve të ndryshme, këndit ndryshe të shikimit që kemi për këtë çështje që nuk është e vetmja, ndonëse ka sensitivitete të opinionit publik mund t’ju them që pikat tona të përbashkëta janë më shumë se ato që na ndajnë. Sepse pika jonë e përbashkët është e drejta ndërkombëtare, fryma evropiane, leximi tek këto argumente dhe këto instrumente që na ofron e drejta ndërkombëtare dhe fryma evropiane dhe miqësia e mirë që duhet të ekzistojë mes vendeve tona për ta adresuar këtë çështje dhe për të pasur një klimë të mirë në opinionin  publik që mbështet aktorët politikë apo grupet e ekspertëve për të shkuar në një zgjidhje të gjithë pranuar. Më pas, se cila mund të ishte kjo zgjidhje, mund t’ju them që edhe për shkak të profesioneve respektive por edhe për shkak të skuadrave jashtëzakonisht të mira që ekzistojnë si në Ministrinë e Jashtme greke ashtu edhe në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë, e gjithë kjo periudhë që ne komunikojmë nuk është një periudhë e cila është në zbrazëti, sepse studiohen në imtësi të gjitha opsionet sesi mund të shkohet drejt një gjuhe të përbashkët për sa i përket përcaktimit të shelfit kontinental, zonës ekskluzive ekonomike dhe mbi të gjitha  shfrytëzimit të ekonomisë detare të dy vendeve tona dhe për rolin që dy vendet tona kanë në Ballkan dhe në Mesdhe.    

Pyetje për MPJ Kotzias: Zoti Kotzias, ju folët për Shqipërinë si një fqinj strategjik, por ndërkohë ende shteti grek ka në fuqi atë që konsiderohet si ligji i luftës. A  do të bëjë qeveria Cipras diferencën me qeverinë paraardhëse greke duke i propozuar parlamentit grek shfuqizimin e ligjit të luftës me Shqipërinë?

MPJ Nikolaos Kotzias: Ju falënderoj për pyetjen. Shqipëria dhe Greqia kanë ura shumë të rëndësishme miqësie, të cilat janë emigrantët shqiptarë dhe sigurisht ai minoritet grek që ekziston këtu prej shumë vitesh në Shqipëri. Bashkë me këto, diplomacia dhe interesat tona të përbashkëta krijojnë mjaft ura të tjera të reja. Ne besojmë se nuk ekziston një situatë lufte me Shqipërinë; ne mendojmë se të gjitha marrëveshjet, të gjitha deklaratat që janë bërë nga Këshilli Administrativ në vitin 1980, bashkëpunimi që kemi në NATO na bëjnë jo vetëm miq, por dy shtete të cilët janë partnerë dhe aleatë. Mirëkuptojmë faktin se shpeshherë kjo mënyrë jona e leximit nuk përbën gjithmonë edhe mënyrën e leximit nga pala shqiptare. Prandaj, në të gjitha marrëveshjet e tjera që ne do të bëjmë, do të gjejmë edhe njëherë tjetër mënyrën për të konfirmuar se nuk jemi në situatë lufte, nuk jemi, por duhet ta konfirmojmë këtë gjë. Për sa i përket heqjes së ligjit të luftës dhe të të drejtave të pronësisë, çdo qytetar shqiptar mund të shkojë në gjykatat greke, t’i drejtohet atyre dhe i mbështetur mbi të drejtën, të pretendojë për kërkesat e tij. Ne nuk duam që çështjet e pronësisë së individëve të bëhen elementë të errët në marrëdhëniet ndërshtetërore apo të minojnë disi miqësinë tonë. Për sa i përket pyetjes suaj të dytë, e kam si zakon të them se duhet të mësojmë nga historia, duhet të mbështetemi në histori, të mos përsërisim gabime të së shkuarës, por edhe të mos mbetemi të burgosur në këtë histori. Ndaj, kushdo që të na burgosë në këtë situatë, dhe duke pasur madje një gabim dhe përgjegjësi historike, ne nuk do t’i ndjekim; ne duam të ndërtojmë me Shqipërinë të ardhmen, dhe e ardhmja i përket të dyja vendeve, të dy popujve dhe kryesisht gjeneratave tona të reja. Faleminderit shumë!

Adresa

Ambasada Shqiptare
Vekiareli 7 Filothei 15237,
Athens. GR

Tel / Fax

Tel. +30 210 6876212
+30 2106876213
+30 2106876215
+30 210 6876200
Fax. +30 210 6876223

E-MAIL

embassy.athens@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00
Sektori Konsullor
08.00-14.00