
Në vijim të traditës disa vjeçare, Banka e Shqipërisë, ka rishpallur të hapur konkursin e përvitshëm “Çmimi i Guvernatorit për Diplomën më të Mirë 2017“.
Nisur edhe nga eksperiencat e viteve të kaluara, në këtë konkurs janë të ftuar të konkurrojnë me temat e tyre të diplomës, të cilat fokusohen në çështje të lidhura me veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë, të gjithë studentët e interesuar, të diplomuar gjatë vitit 2017. Përzgjedhja e temave fituese do të bëhet nga një komisioni i posaçëm shkencor i ngritur pranë Bankës së Shqipërisë për këtë qellim.
Temat e diplomës mund të jenë të fokusuara në një nga çështjet e ekonomiksit monetar e ndërkombëtar, stabilitetit financiar, çështje të integrimit ekonomik të vendeve të Ballkanit në Evropë, politika monetare dhe politikat makroprudenciale të Bankës së Shqipërisë, politika fiskale dhe roli i tyre në ekonomi, sistemi bankar shqiptar, sjelljet e individëve dhe firmave në Shqipëri, si dhe aspekte të ekonomisë në përgjithësi.
Dhënia e këtij çmimi, i cili tashmë përbën një traditë të përvitshme të Bankës së Shqipërisë, synon të nxisë studentët që të ndërmarrin studime të thelluara në fushën e bankingut qendror dhe të ekonomisë në përgjithësi, duke shërbyer edhe si një mundësi e mirë për Bankën e Shqipërisë për të thithur burime njerëzore të kualifikuara.
Çmimet
Banka e Shqipërisë e ka vendosur dhe e jep këtë Çmim që prej vitit 2006, sipas ndarjes së mëposhtme:
1. Çmimi i parë 250.000 lekë
2. Çmimi i dytë 200.000 lekë
3. Çmimi i tretë 150.000 lekë
Afati i fundit i dorëzimit të dokumenteve është data 20 tetor 2017.
Për më tepër informacion, lutemi lexoni këtu:
https://www.bankofalbania.org/web/pub/cmimi_i_guvernatorit_2017_rregulla...