Dorëzimi i Letrave Kredenciale të Ambasadores Hobdari në Armeni

Në datën 16 mars 2018, Ambasadorja e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Armenisë, me residencë në Athinë, Zonja Ardiana Hobdari, i paraqiti në një ceremoni zyrtare Letrat Kredenciale Presidentit të Republikës, Z. Serzh Sargsyan.

Νë fjalën e saj, Ambasadorja Hobdari, përcolli përshëndetjet e autoriteteve më të larta të shtetit shqiptar dhe theksoi rëndësinë e intensifikimit të marrëdhënieve dypalëshe duke evidentuar ndërkohë kontributin që do të sjellë diçka e tillë edhe në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe kulturës, shkembimet mes njerëzve (people to people contacts) dhe në fusha të tjera me interes të përbashkët. Gjithashtu, duke theksuar se anëtarësimi në Bashkimin Europian është një ndër prioritetet kryesore në politikën e jashtme të Shqipërisë, Ambasadorja Hobdari përshëndeti edhe progresin e shënuar kohët e fundit në drejtim të bashkëpunimit të Armenisë me Bashkimin Europian dhe uroi arritje të reja në këtë drejtim.

Nga ana e tij, Presidenti Sargsyan pasi e përgëzoi Ambasadoren për detyrën e saj të re shprehu po ashtu dëshirën për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të mira mes dy vendeve në prag edhe të 25 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona. Presidenti i Armenisë theksoi gjithashtu rëndësinë e vizitave reciproke të nivelit të lartë në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe duke nxitur marrëdhëniet ndërparlamentare, shkëmbimet ekonomike dhe forcimin e bashkëpunimit brenda organizatave ndërkombëtare.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Vekiareli 7 Filothei 15237,
Athens. GR

Tel / Fax

Tel. +30 210 6876212
+30 2106876213
+30 2106876215
+30 210 6876200
Fax. +30 210 6876223

E-MAIL

embassy.athens@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00
Sektori Konsullor
08.00-14.00