Bushati në takimin e Këshillit Ministror të OSBE-së: Shqipëria, e angazhuar në kontributin e saj për paqe dhe stabilitet në rajon

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati ndodhet në Milano për të marrë pjesë në punimet e takimit të 25-të të Këshillit Ministror të OSBE-së. Ministrat e Jashtëm diskutuan mbi rolin e Organizatës, përpjekjet e përbashkëta për zgjidhjen e konflikteve dhe adresimin e sfidave me të cilat përballet sot siguria dhe stabiliteti në hapësirën e OSBE-së.

Në sesionin e paradites, Ministri Bushati nënvizoi se, Shqipëria mbështet plotësisht prioritetet e kryesisë italiane të prezantuara në fillim të këtij viti, për të forcuar kapacitetet e OSBE-së dhe qasjen e saj pro-aktive në sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare, bashkëpunimin ekonomik dhe mjedisor, dialogun politik dhe ushtarak, si dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Shqipëria, tha Bushati, do të vijojë të japë kontributin e saj të çmuar jo vetëm në zbatimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit, por edhe në të gjithë rajonin e OSBE-së.

Ministri vuri theksin në rindërtimin e besimit dhe dialogut konstruktiv për përballjen e sfidave kritike dhe komplekse si konfliktet, ekstremizmi i dhunshëm, terrorizmi, kërcënimet kibernetike, rrjedhat e emigrantëve, krimi i organizuar apo edhe pengesat në zhillimin ekonomik.

“Kërcënimet e tilla transnacionale kanë nevojë, me çdo kusht, për një transparencë dhe parashikueshmëri më të madhe. Besimi dhe dialogu konstruktiv janë mjetet kyçe që do të na mundësojnë të ndajmë më shumë informacion dhe të trajtojmë së bashku sfidat aktuale dhe të ardhshme në zonën e OSBE-së”, u shpreh ministri Bushati.

Ministrat shkëmbyen mendime gjithashtu mbi forcimin e kapaciteteve të OSBE-së si dhe kontributin e secilit për nxitjen e bashkëpunimit mes vendeve të OSBE-së, nevojën e vendosjes së dialogut dhe përgjegjësisë së përbashkët për respektimin e parimeve dhe unitetit të Organizatës.

Gjatë punimeve të Ministerialit të Milanos, Ministri Bushati pati takime dypalëshe me përfaqësues të lartë të institucioneve të OSBE-së si dhe me homologë të pranishëm në Milano.

 

Fjala Ministrit Ditmir Bushati në Ministerialin e OSBE-së

Fillimisht dua të përgëzoj Kryesinë italiane për mikpritjen e shkëlqyer dhe për kontributin e çmuar gjatë Presidencës së OSBE-së përgjatë vitit 2018, duke e kthyer rajonin e Mesdheut në prioritet ashtu si dhe kuptimin e plotë të çështjes së politikave të sigurisë në hapësirën tonë të OSBE-së. Angazhimi ynë i përbashkët për të ruajtur sigurinë evropiane është testuar në shumë mënyra gjatë viteve të fundit, pavarësisht parimeve dhe angazhimeve të dakorduara në Helsink dhe Paris.

Së pari, përshkallëzimi i situatës në Ukrainë dhe rajonit rreth saj, duhet të jetë çështje përparësie për të gjitha palët e përfshira. Kështu duhet të jetë zgjidhja e konflikteve të tjera në hapësirën tonë të OSBE-së. Përdorimi i forcës dhe shkelja e së drejtës ndërkombëtare në kurriz të dialogut, janë të papranueshme.

Së dyti, ne po përballemi gjithnjë e më shumë me sfida komplekse si, ekstremizmi i dhunshëm, terrorizmi, kërcënimet kibernetike, refugjatët e shumtë dhe flukset e migrantëve, sfida, të cilat kërkojnë zgjidhje efektive shumëpalëshe, dialog gjithëpërfshirës dhe rikthim të besimit.

Gjithashtu, ne mund të mos jemi gjithmonë në gjendje të kapërcejmë dallimet tona dhe ne e dimë se besimi është kthyer tashmë në një produkt luksi mes nesh. Megjithatë, përpjekjet tona drejt rivendosjes së rendit evropian të sigurisë, duhet të injektohen nga fryma e bashkëpunimit, dialogut, mirëkuptimit dhe besimit. Në këtë kontekst, ne jemi të kënaqur të shohim ndonjë përparim në rindërtimin e besimit nëpërmjet dialogut të strukturuar ose përmes formave të tjera të zgjidhjes së konflikteve. Operacionet në terren dhe institucionet autonome të OSBE-së janë veçanërisht të rëndësishme. Ato kanë një ndikim në stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e rajonit dhe janë veçanërisht tregues të qartë të punës që OSBE po kryen.

Së fundmi, përgjegjësia jonë e përbashkët bazohet në respektimin e parimeve dhe unitetit të organizatës. Është përgjegjësia jonë e përbashkët për të miratuar vendime që fuqizojnë organizatën me të gjitha burimet e nevojshme për të vazhduar zbatimin e përgjegjësive në mënyrë efikase. Vetëm në këtë mënyrë, ne mund të arrijmë rezultate në stabilitet, paqe dhe prosperitet në hapësirën e OSBE-së.

Pozicionuar në pellgun e rajonit te Mesdheut dhe të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria ka një vëmendje të veçantë ndaj sfidave të përbashkëta të sigurisë si, terrorizmi, radikalizimi, emigracioni i paligjshëm, por gjithashtu edhe për çështje të pazgjidhura që burojnë nga një nivel i lartë mosbesimi mes palëve. Duke qenë një vend me fokus të qartë dhe prirje të fortë euroatlantike, ne gjithashtu i kuptojmë mirë implikimet e sfidave të sigurisë të nxitura nga rajonet tona të ndërlidhura për sigurinë e gjithë kontinentit tonë.

Ne jemi të shqetësuar për përkeqësimin e situatës së sigurisë në Ballkanin Perëndimor, ku marrëdhëniet dypalëshe të pazgjidhura dhe marrëdhëniet e brendshme dhe ndonjëherë retorikat nacionaliste, minojnë përpjekjet për të rivendosur stabilitetin dhe sigurinë dhe për të larguar palët nga rrugët pajtuese.  Pikërisht në këtë kontekst të veçantë, ne e shohim si çështje tepër të rëndësishme shfrytëzimin e organizatës, si platformën e duhur për dialog, gjithëpërfshirje si dhe për rritjen e angazhimit konstruktiv e forcimin e besimit midis të gjithë aktorëve.

hqipëria do të vazhdojë të japë kontributin e saj të vlefshëm në forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe premton t’a përdorë këtë kontribut dhe kapacitet për dialog dhe bashkëpunim konstruktiv, në dobi të sigurisë për të gjithë hapësirën e OSBE-së. Në lidhje me këtë, Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë kryesimin e ardhshëm sllovak të OSBE-së dhe Sekretariatin, në gjetjen e mënyrave dhe praktikave më të mira për t’iu përgjigjur më mirë prioriteteve të shteteve pjesëmarrëse dhe organizatës në tërësi.

I dashur Enzo,

Edhe një herë, përgëzime  për udhëheqjen e mrekullueshme të Kryesisë italiane përgjatë vitit 2018. Mbështetje të plotë edhe për miqtë tanë sllovakë dhe Kryesinë e tyre të ardhshme. Mbetemi në pritje për të qenë pjesë e Trojkës së ardhshme.

Faleminderit.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Vekiareli 7 Filothei 15237,
Athens. GR

Tel / Fax

Tel. +30 210 6876212
+30 2106876213
+30 2106876215
+30 210 6876200
Fax. +30 210 6876223

E-MAIL

embassy.athens@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00
Sektori Konsullor
08.00-14.00